Masa drastike:Kush s’paguan energjinë në afat sekuestrim shtëpive e bizneseve

Detyrimet e papaguara të faturave të energjisë elektrike tashmë nuk do të mbeten vetëm në dëshirën e qytetarit nëse duan të lidhin marrëveshje apo jo me kompaninë e shpërndarjes dhe të zgjedhin të qëndrojnë pa drita.

Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave ka miratuar një projektligj, i cili do të hyjë në fuqi 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, i jep të drejtë kompanisë së shpërndarjes që të nisë procedurën e ekzekutimit të detyrueshëm të debisë. Kështu të gjithë qytetarët të cilët kanë një kontratë me kompaninë OSHEE, por nuk paguajnë detyrimet në mënyrë të vazhdueshme, përveç ndërprerjes së energjisë elektrike OSHEE, ka të drejtë të ekzekutojë pasurinë e personit që ka kontratë me të, dhe mund të shkojë deri në sekuestrimin e shtëpisë apo biznesit.

Ligji thekson: “Masa e sigurimit konsiston në vendosjen e barrës hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme të klientit, që furnizohet me energji elektrike në bazë të kontratës së furnizimit e cila rezulton me detyrime të papaguara të energjisë elektrike”. Vendimi për të vendosur barrën hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme për detyrimet e papaguara të energjisë elektrike, bëhet me shkrim nga personat e autorizuar të Furnizuesit. Në draftin e miratuar mbledhjen e të mërkurës thuhet se personi familjar që ka një borxh më të madh se 150 mijë lekë do t’i sekuestrohet pasuria, ndërsa për bizneset debitorë kufiri është mbi 2 milionë lekë të rinj. Deri në fund të shkurtit të gjithë debitorët kanë afat që të lidhin kontratat e reja dhe të përfitojnë ulje me 80 për qind të kamatëvonesave, në të kundërt me ligjin e ri do të mbahet nga pasuria e tyre edhe vlera e plotë e kamatës. Përveç kësaj, në ligjin e ri që pritet të hyjë në fuqi, “burgu” nuk përmendet në asnjë rast.

Vendimi i qeverise per OSHEE

 

Detyrimi mbi pagesat

Klienti fundor i energjisë elektrike është i detyruar të paguajë detyrimet e energjisë elektrike, përfshirë edhe vlerën e kamatëvonesave kur është në vonesë, brenda afateve kohore të përcaktuara në kontratën e furnizimit ose brenda çdo afati tjetër kohor, për të cilin është rënë dakord ndërmjet klientit dhe furnizuesit të energjisë elektrike. Furnizuesi i energjisë elektrike të ngarkuar me shërbimin universal të furnizimit si detyrim i shërbimit publik ka autoritetin dhe kompetencat e dhëna sipas këtij kreu dhe legjislacionit në fuqi për të arkëtuar vetë ose nëpërmjet të tretëve detyrimet e papaguara të energjisë elektrike, përveç rasteve kur ndaj faturës, detyrimi i së cilës nuk është ekzekutuar, është ushtruar e drejta e ankimit pranë gjykatës kompetente dhe paralelisht është dhënë një vendim gjyqësor që vendos masë sigurimi për pezullimin e procedurave të ekzekutimit të detyrimit.

 

Penalizimet

Sa herë që furnizuesi i energjisë elektrike konstaton se një klient fundor nuk ka paguar plotësisht dhe në datën e caktuar detyrimet e energjisë elektrike, ai i dërgon klientit një njoftim me shkrim, ku kërkon pagesën e plotë të detyrimit. Nëse klienti nuk paguan detyrimin e energjisë elektrike në përputhje me afatet e përcaktuara në kontratë, furnizuesi i energjisë elektrike duhet ta arkëtojë detyrimin, duke përdorur njërën ose disa prej masave të parashikuara në këtë ligj dhe në legjislacionin në fuqi, përveç rastit kur ndaj faturës, detyrimi i së cilës nuk është ekzekutuar, është ushtruar e drejta e ankimit gjyqësor dhe paralelisht është dhënë një vendim gjyqësor që vendos masë sigurimi për pezullimin e procedurave të ekzekutimit të arkëtimit të detyrimit. Nëse klienti nuk paguan detyrimin e energjisë elektrike ndaj furnizuesit të ngarkuar me shërbimin universal si detyrim i shërbimit publik, brenda afatit të caktuar në kontratë, furnizuesi i energjisë elektrike, nëpërmjet personave të autorizuar nga ana e tij, përveç inicimit të procedurave të ndërprerjes së energjisë, ndërmerr masat e mëposhtme: a) Inicion procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm duke kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit dhe inicimin e ekzekutimit të detyrueshëm, sikurse përcaktohet në Kodin e Procedurës Civile dhe ligjin nr.8662, datë 18.9.2000 “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”, për çdo vlerë të papaguar detyrimi. b) Në rast se detyrimi i papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike është mbi 150 mijë lekë për klientin familjar dhe mbi 2 milionë lekë për klientin jofamiljar, furnizuesi ka të drejtë të zbatojë mjetin e sigurimit të detyrimeve të papaguara, duke vendosur barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike në bazë të kësaj kontrate furnizimi, detyrimet e së cilës nuk janë paguar.

 

PD, akuza për deputetin e majtë

Operatori i Shpërndarjes se Energjisë Elektrike hodhi poshtë akuzat e ngritura nga selia blu se deputeti i majtë Pirro Kapurani, edhe pse debitor në një biznes të tij, nuk i është ndërprerë energjia. OSHEE thotë se kontrata e biznesit që i referohet Partia Demokratike ka qenë pjesë e listës kryesore te debitorëve qe iu është prerë furnizimi. Për rastin ne fjale subjekti nuk furnizohet me energji që prej datës 29 dhjetor dhe në datën 9 janar pas një verifikimi ka rezultuar serish që nuk është shlyer e gjithë debia, prandaj vijon që ky biznes të jetë pa energji, deri në likuidimin e plotë të borxhit. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe reagimi i dytë i bërë brenda ditës i OSHEE-së. Në deklaratë thuhet se në fabrikën së tullave që përmendi PD në akuzën e saj i janë prerë dritat që në dhjetor dhe nuk do t’i lidhen deri në nënshkrimin e marrëveshjes me OSHEE-praktikë kjo e rregullt ligjore e kompanisë për të gjithë debitorët. Ndërsa deputeti Piro Kapurani nuk rezulton debitor i OSHEE-së dhe as rezulton të ketë qenë i tillë më parë. “Nëse fabrika në fjalë është e vëllezërve të zotit Kapurani, ndërprerja e dritave njësoj si për gjithë të tjerët tregon se OSHEE ka filluar të shpëtojë nga influenca politike e së shkuarës dhe përpara ligjit janë të gjithë të barabartë”- thuhet në deklaratë.

 

Kostot për lidhjen me rrjetin

Kostot e plota për lidhjen me rrjetin ekzistues do të mbulohen nga pala që kërkon të lidhet në rrjet. Kostot e lidhjes do të përcaktohen nga operatori i sistemit, në përputhje me rregullat dhe procedurat për lidhjet e reja, ku përfshihen edhe metodologjia e llogaritjes së kostove dhe marrëveshja standarde e lidhjes, të propozuara nga operatori dhe të miratuara nga ERE. Metodologjia duhet të jetë jodiskriminuese, transparente dhe bëhet publike për palët e interesuara. Në llogaritjen e pagesës së lidhjes do të merret në konsideratë pika e lidhjes dhe kapaciteti i saj, qëllimi i synuar dhe modeli i konsumit, ndonjë kërkesë e veçantë ose statusi i përdoruesit të rrjetit, si dhe karakteristika të tjera të lidhjes. Kur lidhja realizohet prej operatorit të sistemit, kostot e lidhjes duhet të parapaguhen nga pala kërkuese. Në këto kosto përfshihen kostot e pajisjeve, mjetet e konsumit të nevojshme për instalimin, të tilla si materiale pune dhe lëndë djegëse, amortizim i aseteve të përdorura për instalim, kostot e fuqisë punëtore, shërbimeve të nënkontraktuara dhe kosto të tjera të lidhura me to. Në kostot e lidhjes, të ngarkuara palës kërkuese, përfshihen gjithashtu edhe kostot që lidhen me përforcimin ose përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese apo përmirësimin e operimit të rrjetit që mund të nevojitet për lidhjen. Operatori i Sistemit të Transmetimit, në rast mungese të kapaciteteve të nevojshme për lidhjen e përdoruesve të rinj, mund të hyjë në marrëveshje me palën kërkuese për përmirësimin e sistemit, në mënyrë që të bëhet e mundur lidhja e kërkuar, me kusht që kostot të përballohen nga pala kërkuese. Kjo marrëveshje duhet të miratohet nga ERE, pas propozimit nga i licencuari. Në rast të lidhjes së përdoruesve të rinj të rrjetit, lidhjet operohen respektivisht prej OST-së, përfshirë përgjegjësinë për mirëmbajtjen, kostoja e së cilës paguhet prej përdoruesit, ndërsa pronësia e aseteve të lidhjes që i shtohen rrjetit ekzistues i mbetet përdoruesit, deri në amortizim të plotë të aseteve apo në përfundim të autorizimit të dhënë, kushte të përcaktuara në marrëveshjen e lidhjes, nënshkruar ndërmjet palëve. Pas amortizimit të plotë të aseteve të lidhjes, pronësia e tyre do të kalojë tek OSHEE-ja.

 

Ja si do të matet energjia elektrike

Operatorët e sistemit të transmetimit dhe të shpërndarjes janë përgjegjës për veprimtarinë matëse dhe shërbimin e leximit të matësve në rrjetet e tyre përkatëse. Me miratim të ERE-s, operatorët e sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes mund të kontraktojnë operatorë të pavarur për kryerjen e veprimtarisë së matjes dhe/ose shërbimeve të leximit të matësve në rrjetet e tyre përkatëse. Energjia elektrike e hedhur në rrjet ose e furnizuar të klientët fundorë, matet nëpërmjet pajisjeve matëse, në përputhje me rregullat specifike të matjes, të përcaktuara në Kodin e Transmetimit, Kodin e Shpërndarjes dhe Kodin e Matjes si dhe në legjislacionin në fuqi lidhur me fushën e metrologjisë. Klientët kanë të drejtë të instalojnë njësi matëse shtesë me kërkesën dhe shpenzimet e tyre, në përputhje me kërkesat teknike të përcaktuara në kodet e transmetimit, të shpërndarjes e të matjes si dhe në legjislacionin në fuqi lidhur me fushën e metrologjisë. Në rast se të dhënat e matjes janë përkohësisht të padisponueshme ose të paarritshme për një periudhë më të gjatë se 1 muaj, OSHEE është i detyruar të llogaritë vlera reference zëvendësuese, por jo për një periudhë më të gjatë se 3 muaj, bazuar në metodologjinë e miratuar nga ERE. Matësi dhe/ose sistemi matës pas instalimit duhet të vuloset nga operatori i sistemit me vulë të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. Matësit e energjisë elektrike duhet të jenë në përputhje me legjislacionin për instrumentet matëse. Klasa e saktësisë së matësve të energjisë elektrike përcaktohen në Kodin e Matjes, të miratuar nga ERE.

 

Sistemet matëse inteligjente

Në veprimtarinë e matjes do të instalohen sisteme matëse inteligjente te klientët fundorë në mënyrë që të ndihmojnë pjesëmarrjen aktive të tyre në tregun e furnizimit me energji elektrike. Implementimi i sistemeve matëse inteligjente është subjekt i një vlerësimi paraprak ekonomik, i cili duhet të marrë në konisderatë të gjitha kostot afatgjata dhe përfitimet që do të ketë tregu dhe klientët, duke përfshirë gjithashtu edhe formën e matjes inteligjente që do të përzgjidhet, e cila duhet të jetë ekonomikisht më efektive dhe me afatin kohor më të përshtatshëm për implementimin e këtij sistemi matjeje. Ministria përgjegjëse për energjinë, brenda 1 (një) viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, përgatit vlerësimin ekonomik. Në bazë të këtij vlerësimi, ministria përgatit një kalendar për implementimin brenda një periudhë 10-vjeçare të sistemeve inteligjente të matjes. 

SHKARKO APP