Masakër në Tiranë, autori, djali i deputetes Luiza Xhuvani
Mes 4 viktimave ishte edhe një shtetas italian, si dhe një prej shokëve të Xhuvanit, të cilët në bazë të hetimeve paraprake mendohet nga grupi hetimor se u vranë aksidentalisht prej tij. Policia është njoftuar rreth orën 04:00 të mëngjesit të djeshëm, se në lokalin “Ante Grand”, i ndodhur në Rrugën e Elbasanit, ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe pas mbërritjes në vendngjarje arrestoi në flagrancë tre persona, si dhe shoqëroi për të dhënë dëshmi mbi ngjarjen e rëndë rreth 20 të tjerë të pranishëm, mes të cilëve pronarin dhe punonjësin e sigurisë së lokalit në Tiranë, ku ndodhi masakra, që la pas katër të vrarë.
Ngjarja
Fill pas momentit që u dëgjuan krismat, policia mori dy njoftime. Ish- punonjësi i policisë me iniciale A.B, i cili ishte i punësuar si roje nate në lokalin ku ndodhi masakra e djeshme, si dhe një qytetar që ndodhej aty pranë, kanë lajmëruar njëri pas tjetrit Sallën Operative të Policisë, duke e njoftuar se në një lokal që ndodhet përballë Fakultetit Histori-Filologji, kishte ndodhur një vrasje. Zv. Drejtori i Rendit, Krye-komisar Ardi Veliu drejtoi operacionin, që çoi në kapjen në kushtet e flagrancës të tre autorëve të dyshuar, të cilët shkaktuan tragjedinë, me katër të vrarë. Sipas policisë, patrulla “Shqiponja”, rreth orës 4.30, me të marrë njoftimin është nisur drejt vendit të ngjarjes. Pas mbërritjes, mundi të arrestoi autorin e parë, i cili nuk kishte mundur ende të largohej. – “Autori i parë i dyshuar, shtetasi Erald Sina, është kapur në afërsi të vendit të ngjarjes, ndërsa autori i dytë po lëvizte në drejtim të godinës së Fakultetit Ekonomik,” – sqaroi polica e Tiranës. Janë kërkuar përforcime dhe menjëherë u dha detyrë nga drejtuesit e uniformave blu, për rrethimin e godinës me synim kapjen e tij. – “Autori i dytë i dyshuar, shtetasi Albano Bllacaj, u kap në afërsi të Fakultetit Ekonomik”, ndërsa i fundit që u prangos, sipas policisë, ishte Kostadin Xhuvani, por ndryshe nga dy të tjerët, ai u ndal me armë në dorë dhe madje i bëri rezistencë uniformave blu, duke mos dashur të dorëzohet. – “Autori i tretë i dyshuar, Kostadin Xhuvani, është kapur rreth 70 metra larg vendit të ngjarjes, teksa po tentonte të largohej me pistoletë në dorë. Në momentin e arrestimit, ai bëri dhe rezistencë ndaj policisë,” – thuhej në njoftimin e policisë. Pas kapjes dhe ndalimit të autorëve, është bërë shoqërimi i tyre në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Të tre të arrestuarit janë marrë në pyetje nga hetuesit, të cilit nuk kanë fort dyshime si autorë të ngjarjes dhe pritet t’i vënë përpara drejtësisë, si të dyshuar kryesor për masakrën e djeshme.
Viktimat
Dy nga viktimat, që ishin shënjestra e të dyshuarit kryesor, Kostadin Xhuvani, u gjetën nga policia në brendësi të lokalit dhe besohet se janë vrarë në momentin që po tentonin të largoheshin. Dy të tjerët që u vranë aksidentalisht, morën ndihmën e parë, por nuk mundën të mbijetonin nga plagët. Nga ambulanca e ardhur në vendin e ngjarjes iu dha ndihma e parë shtetasit të plagosur, italianit Giaampaolo Azzola. Pak kohë më pas, në Spitalin Ushtarak Tiranë gjeti vdekjen edhe shtetasi Giaampaolo Azzola, 53 vjeç, me shtetësi dhe kombësi Italiane. Në vendin e ngjarjes, në bar “Ante Grand” pas hyrjes së forcave të policisë janë konstatuar pranë portës hyrëse të lokalit, trupat e dy shtetasve, Edison Jaho, 36 vjeç, dhe Enea Xhaj, 36 vjeç, ndërkohë përballë këtij lokali në automjetin tip “Mercedez”, me targa “TR 0250N”, është gjetur i vdekur shtetasi tjetër, Arbër Demiraj, 19 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, djali i ish-prokurorit, Skënder Demiraj. Arbri ishte pjesë e grupit të Kostadin Xhuvanit. Në vendin e krimit, në brendësi të lokalit u gjet një pistoletë model 54, ndërsa një tjetër pistoletë e po këtij modeli iu kap në duar një prej autorëve të dyshuar të vrasjeve, që sipas policisë mbahej nga Kostadin Xhuvani.
Lokali
Lokali ku ndodhi ngjarja nuk ka qenë i siguruar me shërbimin e ruajtjes fizike, ndërkohë vetëm shtetasi A.B, ishte i punësuar si roje private pranë këtij lokali nate. Sipas policisë, ky lokal është i pajisur me leje 24 orësh nga Agjensia Rajonale e Mjedisit Tiranë dhe i regjistruar pranë QKR, ndërkohë që nga verifikimet e kryera në Sallën e Komandimit nuk rezulton të ketë pasur telefonata të mëparshme nga ana e qytetarëve, për prishje të rendit. Megjithatë, banorët pas ngjarjes, janë shprehur të indinjuar pasi zëri i tyre mbi problemin e zhurmës dhe krimit që ndodh në lokalet e natës, bie shpesh në vesh të shurdhët. Krismat, nga ngjarja e djeshme, i ka tronditur edhe më shumë, madje në ankth, duke i lënë më pas pa gjumë, thuajse të gjithë banorët e zonës përreth, nga Fakulteti Ekonomik, deri tek Ambasada Amerikane, që ndodhej vetëm 100 metra larg zonës ku edhe ndodhi edhe masakra e djeshme. Nëpërmjet medieve ata nisën të informoheshin mbi atë çka ndodhi dhe mbi vrasjen e katër personave.
Hetimet
Nga kqyrja e vendit të ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri të llojit pistolete, model 54, si dhe 6 gëzhoja fishekësh, dhe dy automjete të markës “Mercedes Benz”. Menjëherë pas ngjarjes është ngritur grupi hetimor i përbërë nga Zv. Prokurori i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ekspertë kriminalistë, oficerët për Krimet e Rënda, të cilët administruan dhe sekuestruan provat në vendin e ngjarjes. Prokuroria e Tiranës ka ngritur një grup të posaçëm hetimor me tre prokurorë i cili kryesohet nga prokurori Erion Pano. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, si dhe kryeprokurori Adriatik Lalla, shkuan në vendngjarje, si dhe drejtues të tjerë të lartë të policisë e Prokurorisë së Tiranës.
Katër viktimat
Edison Jaho, vjeç 36, lindur në Berat dhe banues në Tiranë
Enea Xhaj, vjeç 38, lindur në Berat dhe banues në Tiranë
Giaampaolo Azzola,53 vjeç, lindur në Itali, banues në Tiranë
Arbër Demiraj, 19 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Të arrestuarit, në kushtet e flagrancës
Pas ngjarjes, nga policia janë shoqëruar edhe rreth 20 shtetas të tjerë që ishin prezent në ngjarje. Gjatë gjithë ditës së djeshme vazhdoi puna e policisë dhe hetuesve për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga veprimet e shpejta të policisë është bërë kapja brenda një kohe shumë të shkurtër e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje, të cilët janë shtetasit:
Të arrestuar:
Konstandin Xhuvani, 25 vjeç
Erald Sida 24 vjeç
Albano Ballcaj, 19 vjeç
Italiani i vrarë, për çështje biznesi në Shqipëri
Shtetasi italian, Paolo Azzolo, 53 vjeç, i cili mbeti i vrarë në përleshjen e djeshme me armë, mësohet se është ish-aksioner i kompanisë për përpunimin e mbetjeve “Apollonia Investments”, në Fier. Italiani ia kishte shitur pak kohë më parë 80 % të aksioneve të tij ish-Ministrit të Jashtëm peruan, Augusto Blacker Miller. Në janar 2013 ish-ministri i jashtëm i Perusë Manuel Augusto Blacker Miller, u arrestua në Tiranë pas një urdhër arresti që kishin lëshuar autoritetet peruane për grushtin e shtetit, në vitit 1992. Më pas ai u lirua, pasi Shqipëria nuk kishte asnjë marrëveshje ekstradimi me Perunë. Sakaq, italiani Azzolo, duket se u ndodh mëngjesin e djeshëm në vendin dhe kohën e gabuar, kur një plumb i mori jetën, në një lokal nate, në kryeqytetin shqiptar.
Dëshmia në polici
Pronari i lokalit: pas sherrit, armën e shkrehu djali i Luiza Xhuvanit
Pronari i lokalit dëshmoi para hetuesve për krimin e ndodhur, se fillimisht ka pasur një debat mes grupeve të të rinjve. Më pas është dashur ndërhyrja e sigurisë, që debati të shuhej për disa momente. – “Kostandin Xhuvani ka qenë ai që pas sherrit është rikthyer dhe ka qëlluar me armë drejt grupit tjetër”, – mësohet të ketë dëshmuar pronari i lokalit. Kostadin Xhuvani është arrestuar më pas me armë në dorë, çka dhe sipas policisë provohet se ai ishte autori kryesor i masakrës së djeshme, të ndodhur në Tiranë.
Njëri nga viktimat, djali i ish prokurorit Skënder Demiraj
Skënder Demiraj, ish- prokuror dhe aktualisht avokat, është babai i një prej katër viktimave gjatë masakrës së djeshme. Pasi mësoi lajmin, ai është parë para morgut, në orët e para të ditës së djeshme, në pritje për të tërhequr trupin e Arbrit, i cili mbeti i vrarë mëngjesin e djeshëm.