Masakrat ndaj çamëve
Nga Hyqmet Zane
Edhe sot pas 24 vitesh që është formuar Shoqata Çamëria, vazhdon kënga e vjetër e një krimi që mbetet në derë të Europës për drejtësi. Rituali i përvitshëm i mbledhjes së pjesëtarëve të komunitetit çam që kujtojnë se si u formua Shoqata Çamëria më 10 janar 1991, më shumë ka mbetur si një relike se sa një funksion për të zgjidhur problemin madhor. Jo se nuk e dëshirojnë dhe nuk janë përpjekur për të bërë atë që duan ata që e njohin problemin, por sepse barrierat e mendësive të përjashtimit dhe të mosmbështetjes janë bërë si muret e izolimit të Berlinit. Këtij izolimi të çështjes çame i është shtuar edhe politika, po aq sa edhe Europa që me heshtjen e saj ka sjellë një padrejtësi më vete që i shtohet asaj padrejtësie që iu bë një popullate jo me ndonjë fjalë, por me krime kundër njerëzimit nga falangat antishqiptare të një shteti që e ruan këtë ndjesi si një relikë të identitetit të vet që nga ekzistenca duke mos njohur fqinjësinë.
Nëse komuniteti çam në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë në botë bëhen bashkë për të dënuar krimin në Çamëri që e kujtojnë çdo vit, kur bashkohen për të dënuar një krim dhe asnjë politikan apo pushtetar, qoftë edhe ata që kanë veshje diplomatike nuk flasin një fjalë për 3 mijë të vrarë dhe 3 mijë të vdekur të tjerë nga ky shkak siç ndodhi në Çamëri pas atij 27 qershori të zi të 1944-ës. Kush nuk e di se çfarë ka ndodhur? Askush, të gjithë e dinë. Edhe në Greqi e dinë se kriminelit Napoleon Zerva i kanë bërë monument. E dinë edhe në Londër e në Paris, e dinë edhe në Berlin e në Romë, ashtu siç e dinë edhe në Washington e Moskë. Edhe në Shqipëri e dinë se çfarë ka ndodhur ndaj një popullate të pafajshme rreth 50 mijë banore, autokton brez pas brezi dhe pa asnjë mbrojtje njerëzore dhe përsëri heshtet dhe hipokrizia mbetet si një lapidar i dy standardeve të sjelljes ndaj një shteti të madh si Franca dhe një krahine të vogël si Çamëria.
Me bindje them se genocidi ndaj Çamërisë dhe popullatës së saj vazhdon në forma dhe metoda të tjera, me diskriminimin, me përbuzjen, me shantazhin dhe arrogancën e krerëve të grekëve në Shqipëri. Cilës këmbanë i duhet rënë për të kërkuar dhe gjetur drejtësinë? Në Francë ndodhi një krim i rëndë, por në Çamëri ka ndodhur një gjenocid i tmerrshëm. Në Paris u bë bashkë Europa për ti thënë ndal krimit ndërsa në Çamëri gjenocidi kërkon drejtësi. Historitë që na treguan gjyshërit dhe prindërit për masakrat e ndodhura nga bandat e frymëzuara nga kryqëzatat greke apo ato të shkruara dhe të provuara nga një komision miks më 1945, janë të vërtetat e pamohueshme të historisë së një kombi që jeton në Ballkan dhe është pjesë e Europës. Po ne që i dëgjuam nga goja e dëshmitarëve okularë bëmat e grekëve ndaj çamëve, si duhet t’ua transmetojmë fëmijëve tanë, si një genocid që duhet falur apo si një heshtje për të harruar të shkuarën e cila mund të na përsëritet në të ardhmen?
Lexova diku se një nobelist francez i shkruante vajzës së tij se, “sa e rëndësishme është që bota ku ti do të jetosh duhet të jetë më e mirë se ajo e prindërve të tu, që nuk ditën të ndalin as krimet raciste dhe as devijimet sektare”. Është një mesazh brezash që më vjen i freskët nga një francez, nobelist në këto ditë të trazuara për Francën dhe vetë Europën, por a vlen ky mesazh edhe për ne bijtë trashëgimtarë të Çamërisë që tua themi fëmijëve tanë se padrejtësia po nuk u ndëshkua, ajo përsëritet? “Unë e dua Çamërinë” është një postulat i dashur, i mirë, tingëllues dhe i domosdoshëm, por shtroj pyetjen se sa më do mua shteti im, kur prindërit e mi ikën nga Çamëria me zjarr dhe me hekur për të mos ndryshuar emrin shqiptar dhe flamurin kuq e zi, për të mos ndryshuar gjuhën shqipe dhe fenë e tyre dhe sot ndodhen në udhëkryqin e mosdhënies së drejtësisë nga kancelaritë europiane që e bëjnë një vesh shurdh dhe një sy qorr për një ngjarje që nuk ikën për tre ditë, por as për tre vjet po aq edhe për tre shekuj. Amaneti i të parëve është si një gur i çmuar që ruhet i shtrenjtë për të ardhmen. Prandaj mblidhen në çdo vit pjesëtarët e komunitetit çam, jo për të qarë, por për ti kujtuar pikërisht kësaj Europe se kur hesht për një krim ndaj një tjetri do të duhet të bërtasësh kur krimi të troket në derën tënde. A ka shpresë për Çamërinë? Është pyetja e madhe që bën çdo shqiptar, nëse vërtet flitet për drejtësi që është substanca e shpresës për ardhmërinë e një kombi. Kur shikon se si burrat e shtetit të Europës mblidhen e bëhen bashkë për të qenë solidarë për të luftuar krimin që u troket në derën e tyre, a nuk është ky një mesazh se ky solidaritet do të jetë për të vendosur drejtësi të konsoliduar në të gjithë Europën. Politikisht komuniteti çam ka organizimin e vet me pjesëmarrjen edhe të 5 deputetëve që mbështetet fuqishëm nga Shoqata Çamëria dhe ky është një realitet i domosdoshëm. Kurrsesi mund të mendosh se lufta jonë për dejtësinë e Çamërisë nuk mund të mbetet peng i dëshirave të njerëzve që flasin e bërtasin për Vorio-Epirin duke bërë të heshtë politika shqiptare.
Edhe ata që janë europianë dhe shkojnë për turizëm në Greqi e veçanërisht në Çamëri, diku, në rrugën Gumincë-Filat-Janinë, gjatë kohës së verës dhe turizmit veror, aty ku janë kryer masakra nga bandat e Napoleon Zervës, është një parullë në beze në anglisht dhe greqisht, shkruhet “Këto janë varret e tradhtarëve çamë, bashkëpunëtorë të gjermanëve në Luftën II Botërore”? Çfarë është kjo, drejtësi apo padrejtësi e thënë nga një shtet europian dhe që është në krah të Europës për të dënuar krimet apo për të fshehur genocidin ndaj një popullate të tërë? Unë jam rritur në Shqipërinë time, shembull i respektimit të etnive të tjera, të feve të ndryshme, me minoritarët grek këtu dhe asnjëherë nuk ushqeva urrejtje.