Masat, nuk do të tregtohet me naftë pa kupon tatimor

Të gjitha subjektët të cilët tregtojnë karburant nuk do të kenë më mundësi ta tregtojnë atë pa kupon tatimor edhe nëse kasa fiskale e tyre është me defekt.

Në një njoftim për mediat, Ministria e Financave ka sqaruar të gjitha subjektet për ndryshimin e këtij ligji, sipas të cilit tregtarët nuk mund të shesin karburant edhe kur kasa fiskale është e dëmtuar, ndërkohë që përpara ndryshimit të ligjit subjekteve u lihej tre ditë afat, duke tregtuar edhe pa kupon tatimor.

“Këshilli i Ministrave miratoi një ndryshim në Vendimin bazë mbi kasat fiskale, në të cilin u hoq rasti i prishjes së pompave të karburanteve dhe shitja për 3 tre ditë pa lëshimin e kuponave fiskalë. Më parë, grosistëve dhe shitësve me pakicë i jepej një afat 3-ditor që të shisnin karburant pa lëshuar kupon tatimor, në rast se i prishej kasa. Pas tre ditësh, me rregullimin e kasës, duhet të hidheshin të dhënat në sistem. Në rast se difekti nuk rregullohej brenda tre ditësh, ndalohej shitja e karburantit.”

Sipas Ministrisë së Financave, praktika e ndjekur më parë, duke i lënë 3 ditë kohë sillte abuzime nga ana e tregtarëve.

“Kjo dispozitë është keqpërdorur dhe abuzuar nga grosistët, të cilët shisnin shpesh 3 ditë pa lëshuar kupon, nën justifikimin e prishjes së kasës.Më datë 29 prill, Këshilli i Ministrave e ndryshoi këtë pikë duke hequr “3 ditëshin“. Në rast se prishet kasa, ndalohet shitja e karburantit. Konkretisht: Kur dispenseri ose pajisja fiskale difektohet dhe del nga regjimi automatik, dispenseri nuk mund të punojë dhe subjekti nuk mund të shesë pa kupon tatimor deri në momentin e asistimit nga shoqëria e autorizuar që ky subjekt ka një kontratë mirëmbajtje.Koha e gjatë për 72 orë deri në momentin e rregullimit të pajisjes fiskale jepte shkas për abuzim, duke tregtuar karburant pa kupon tatimor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

SHKARKO APP