Mashtruesi AKEP

 

Rreth 2 vite e gjysmë nga ankesat e operatorëve të vegjël për mbylljen e tregut celular dhe rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës, AKEP kthehet në pikën 0 pasi ka vendosur shtyrjen sërish të vendimit të rregullimit të tregut, të cilat duhet të zbatoheshin nga 1 janari 2015.

Institucionet e pavarura duhet të jenë trasparente, të përgjegjshme dhe llogaridhënëse për vendimmarrjen e tyre sidomos në tregjet e rregulluara dhe që kanë peshë të rëndësishme në Produktin e Brendshëm Bruto. Ky nuk është rasti i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) i cili e ka zhytur tregun e telefonisë celulare në problem të rënda të funksionimit dhe cënimit të konkurrencës duke rrezikuar shkuarjen drejt një duopoli Vodafone-AMC me pasoja shumë të rënda për ekonominë e vendit, abonentët e telefonisë, konkurrencën dhe sistemin bankar dhe sektorë të tjerë të ekonomisë të ndërvarura me tregun cellular.

Vendimmarrja e AKEP pas analizës së tregut që duhet të hynte në fuqi në 1 janar 2015 dhe operatorët duhet të barazonin tarifat dhe minutat e ofertave brenda me jashtë tregut u shty në mënyrë joligjore deri me 13 mars 2015 kur AKEP vendosi të amendojë vendimet e veta dhe të shtyjë rregullimin me 1 korrik 2015 për numrat me parapagim dhe 1 janar 2016 për abonentët me kontratë.

AKEP ka shqyrtuar ankimimet e operatorëve celularë për vendimin për rregullimin e tregut në tarifat e terminimit dhe mosdiskriminimin on net vs of net dhe ka konfirmuar si të sakta gjetjet, konkluzionet dhe masat pasi operatorët e mëdhenj kanë “kyçur” tregun në dëm të operatorëve të vegjël duke përkeqësuar konkurrencën që edhe ndërkohë është e kufizuar dhe u konfirmua nga vendimi i fundit Autoritetit të Konkurrencës i datës 31 mars 2015 për marrjen e masave të përkohshme ndaj Vodafone. Ndërkohë që duhej të dënonte operatorët e mëdhenj për refuzimin e zbatimit të vendimit të vet që kishte hyrë në fuqi në 1 janar 2015, AKEP në absurd mer masa të menjëhershme vetëm për uljen e tarifave për operatorët e vegjël Eagle dhe Plus.

Në këtë mënyrë, sjelljes antikonkurruese të shoqërive të mëdha celulare i bashkohet vendimmarrja e AKEP duke krijuar një ambjent antikonkurrues dhe me kosto të larta për operatorët e vegjël për të mbijetuar në një treg që po shkon drejt duopolit. Axhenda e ngjeshur e Kuvendit me dekriminalizimin ka lënë jashtë vëmendjes analizën e veprimtarisë së punës së AKEP që duhet thënë se edhe vitin e kaluar veproi për analizën e tregut dhe marrjen e masave rregullatore vetëm pas rezolutave të Kuvendit dhe seancave dëgjimore në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese.

Por sjellja e AKEP në rolin e rregullatorit të tregut ka qenë më së paku kontradiktore dhe kundër konkurrencës në treg deri në kufijtë e papërgjegjshmërisë në moszbatimin e vendimeve të nxjerra nga vetë AKEP të cilat mbeteshin në fuqi sa kohë vetë AKEP apo Gjykata nuk kishte vendosur ndryshe.

Kjo për faktin se megjithëse kanë kaluar më shumë se 2 vite e gjysmë që kur është depozituar në AKEP ankesa e parë dhe qëkur Autoriteti i Konkurrencës pas konstatimit të kufizimit të konkurrrencës vendosi hapjen e procedurave hetimore, AKEP shtyn sërish afatin e zbatimit të vendimeve të tij të mara në nëntor 2014 e që duhet të zbatoheshin nga 1 janari 2015. AKEP jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë efektive për rregullimin e kushteve të tregut për konkurrencë efektive dhe për të zbutur prolematikën e bllokimit të tregut por mer masat absurd dhe në kundërshtim me vetë konkluzionet e veta duke marrë masa që shkojnë në dobësimin e konkurrentëve të rinj Eagle dhe Plus që në fakt janë subjektet e dëmtuara të situatës së bllokuar të funksionimit të tregut cellular.

Tregu lëngon prej 2.5 vitesh, AKEP shtyn vendimet

Po si është historia e vendimeve të AKEP që arrijnë absurdin me vendimin e fundit Nr.2542, datë 13.03. 2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimet e Këshillit Drejtues të AKEP me nr. 2522, 2523, 2524, 2525 dhe 2526, datë 06.11.2014” që shtyn sërish zbatimin e vendimeve të marra nga vetë AKEP dhe pas analizave të stërholluara të tregut të telefonisë celulare?!

Në fund të nëntorit të vitit 2012 Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe Autoriteti i Konkurrencës u njohën me ankesën e parë për kufizimin e konkurrencës në tregun celular. Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës me vendimin 261, datë 11.01.2013 vendosi  “Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e telefonisë celulare me pakicë”  për të thelluar hetimet me vendimin 275, datë 25.03.2013 “Për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Vodafone Albania SHA në tregun e telefonisë celulare me pakicë”.

Me vendimin 303, date 16.01.2014 Komisioni i Konkurrencës dha rekomandime për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare kryesisht mbi barazimin e tarifave brenda me jashtë rrjetit për t’i dhënë fund efektit tribu(club) të operatorit dominant Vodafone dhe për ti dhënë frymëmarrjen e duhur konkurrencës në treg.

Vendimi 303 i Konkurrencës u mbështet nga Kuvendi nëpërmjet dy rezolutave për AKEP dhe AK dhe kërkuan nga rregullatori AKEP marrjen e masave. AKEP zhvilloi analizën e tregut dhe morri vendimet për rregullimin në 6.11.2014 të cilat do të hynin në fuqi më 1 janar 2015. Sipas vendimet nga 1 janari nuk lejohej  aplikimi i tarifave të ndryshme on-net/off-net për përdoruesit me parapagim dhe me kontratë dhe se moszbatimi i këtij vendimi do të sillte për pasojë vendosjen e gjobave të rënda nga AKEP dhe/ose Autoriteti i Konkurrencës.

Alibitë për shtyrjen e zbatimit të vendimit

Ndryshimet në Bordin e AKEP shërbyen si alibi për moszbatimin e vendimit dhe dy kompanitë e mëdha Vodafone dhe  AMC  me  një  shkresë  të  përbashkët  (Nr.2743  Prot.,  datë  22.12.2014)  drejtuar  institucioneve  kryesore  të Shqipërisë,  kishin kërkuar rishikimin e asimetrisë së tarifës së terminimit në rrjetin Plus si dhe shtyrjen e afatit të aplikimit të mos-diskriminimit të tarifave on -net/off-net deri më 1.07.2014.

 

Plus  me  një  shkresë  (Nr.34  Prot.,  datë  16.01.2015)  drejtuar  institucioneve kryesore kërkon zbatimin e menjëhershëm të masave rregullatore të vendosura më 6.11.2014 dhe Albtelecom  me  një  shkresë  (Nr.142  Prot., datë  21.01.2015)  drejtuar institucioneve kryesore kërkon zbatimin e detyrimit të masave rregullatore të vendosura më 6.11.2014 dhe rishikimin e tarifës së terminimit në rrjetin Plus.

Tarifat dhe minutat barazohen në 1 korrik për kartat dhe 1 janar 2016 për kontratat

AKEP në vendimin e 13 marsit vendosi të  përcaktojë  si  afat  të  fillimit  të  zbatimit  të  detyrimeve  për mos-diskriminimin në tarifat on-net/off-net, afatet e mëposhtme: data 1.07.2015: për programet tarifore, ofertat, opsionet etj., për përdoruesit  me  parapagim  dhe  përdoruesit  e  rinj  me  kontratë, përfshirë  rinovimet  e  kontratave ekzistuese  që  kryhen  pas  kësaj datë; dhe data  1.01.2016:  për  të  gjitha  programet  e  tjera  tarifore  të aplikuara për  përdoruesit  aktualë  me  kontratë  (kontrata  me programe tarifore standarde dhe të personalizuara/specfike). 

Afatet e mësipërme nëkuptojnë që  duke filluar nga data 1.07.2015 nuk lejohet aplikimi i tarifave të ndryshme on-net/off-net për përdoruesit me parapagim, përdoruesit e rinj me kontratë dhe përdoruesit aktualë me kontratë që kryejnë rinovim të kontratës pas datës 1.07.20. Duke filluar nga data 1.01.2016 nuk lejohet  aplikimi i tarifave të ndryshme on-net/off-net edhe për përdoruesit me kontrata specifike si dhe përdoruesit aktualë me kontratë. Dy afatet  e  mësipërme  janë  të  lidhura  me  datat  e  reduktimit  të tarifës së terminimit në rrjetin Plus.

Sipas AKEP secili  operator  celular  ka  kohën  e  mjaftueshme  për  të  kryer ndryshimet e nevojshme dhe njoftuar përdoruesit për ndryshimet në tarifa, përfshirë përdoruesit me kontratë.

AKEP do të monitorojë nga afër zhvillimet në tregun celular, tarifat me pakicë si dhe  efektet  në  trafikun  on-net/off-net  dhe  pagesat  neto  midis  operatorëve,  dhe konkurrencën  në  tregun  me  pakicë  celularë,  për  të gjykuar  mbi  nevojën  e rishikimit të masave të mësipërme.

SHKARKO APP