Masterplani i Parkut të Liqenit, projekti modern për qytetarët

 

Nga Aldrin Dalipi*

Këtë javë qytetarët i Tiranës u njohën me një lajm të mirë, lidhur me shtimin e hapësirave të gjelbra, por veçanërisht me projektin e Hyrjes së Parkut të Liqenit Artificial dhe Masterplanin, që do t’i japë një hapësirë të re çlodhëse, të shkëlqyer kryeqytetit. Pavarësisht se pati keqinformim për hyrjen e parkut të liqenit, lajmi i mirë është fakti se jo vetëm që nuk i është marrë 1 mm katror liqenit, por i janë shtuar 5.5 hektarë nga ish Garda e Republikës.

Projekti i hyrjes së parkut të liqenit, nuk parashikon asnjë ndërtim të ri. Përkundrazi, ai sjell prishjen e 13 nga 14 godinat ekzistuese të Gardës së Republikës, duke ia kthyer hapësirën në fjalë qytetarëve. Nga 14 ndërtesa të Gardës, 13 do të rrafshohen dhe do t’i kthehen si hapësirë e gjelbër liqenit. Ajo që do të mbetet, do të shndërrohet në qendrën e shërbimeve publike, një hapësirë ku qytetarët do të kenë një stacion me një ndalesë për të marrë pasaportën, certifikatën, për të lidhur pensionin apo ndihmën ekonomike. Projekti përbëhet nga 10 miniprojekte, të cilat synojnë më shumë hapësira argëtuese për të gjitha moshat, duke filluar nga fëmijët deri tek të rriturit. Njëri prej tyre është rehabilitimi i digës, një tjetër është pista e vrapimit, një tjetër është korsia për biçikletat.

Bashkia e Tiranës u kujdes për të gjetur një zgjidhje sa më të pranueshme edhe për banorët e komunitetit rom që jetonin në atë zonë në kushte të papranueshme.  

Bashkia e Tiranës ka gjetur një zgjidhje të arsyeshme për secilën familje, duke u ofruar atyre edhe subvencionimin e qerasë, por edhe strehim në qendrën tranzitore të emergjencave në Tufinë. Hapësira e zënë prej disa vitesh, u është rikthyer qytetarëve dhe momentalisht po rehabilitohet.

Sipas rastit dhe dëshirës së tyre, disa prej familjeve zgjodhën subvencionet në formën e qerasë mujore dhe përfaqësuesit te Bashkisë i mbështetën për të marrë me qira apartamente në kryeqytet. Familje të tjera zgjodhën të jetojnë në Qendrën Tranzitore të Emergjencave në Tufinë, e krijuar nga MMSR, dy vjet më parë, kur një skuadër tjetër e Bashkisë e përzuri Komunitetin Rom për t’i hapur rrugë një zhvillimi privat në territorin e Bashkisë.

Kjo e fundit siguroi transportin për të gjitha familjet e regjistruara në qytete të tjera që kanë në pronësi të tyre banesa atje dhe që vendosën të rikthehen në shtëpitë e tyre. Nëpërmjet këshillimit të vazhdueshëm, mbështetjes teknike dhe logjistike u arrit të përfundohet ky proces në mënyrë të civilizuar, pa asnjë incident apo problem.

*Kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës

SHKARKO APP