Mbaj shënim?!
Nga Hyskë Borobojka
Na kishte djegur malli për deputetin tonë, që s’kishte shkelur në fshatin e krahinën tonë, që kur na mori votat e u bë “Baba i Kombit”. Madje na u bë zemra mal, kur mësuam se deputeti ynë e kishte rritur pjacën e qe bërë ministër dhe mbante në kurriz një thes të madh me detyra e përgjegjësira. Kur u shtrydhën retë e qiellit e dolli nga shtrati, jo vetëm përroi i qametit, por edhe lumi aq sa fshati ynë u bë gjol e kënetë, deputeti ynë që ishte bërë ministër, nuk na harroi dhe erdhi bashkë me një staf (si në kohën e fushatave zgjedhore) të na qante hallin që na kishte zënë.
-Ç’bëhet kështu, more vëllezër? – na pyeti përpra se të na përshëndeste.
-Atë që të bën Perëndia, s’ta bën dot as qeveria ! – i thamë.
Dhe i numëruan sa shtëpi ishin bërë të pabanueshme. Sa ara e parcela ishin kthyer në gjole e sa bagëti kishte rrëmbyer përroi i qametit e ia kishte dërguar peshqesh lumit të madh.
-Por ata të gjorë që u janë bërë shtëpitë të pabanueshme ku rrinë? – pyeti deputeti që ishte bërë ministër.
-Nëpër miq, në fshatrat e tjera të zonës! – i thamë.
-Për të ngrënë e për të pirë si ia bëjnë? – pyeti i porsaardhuri dhe pa pritur përgjigje, i tha njërit nga shoqëruesve të tij:
-Mbaj shënim! Tu dërgohen sa më parë nga një pako të madhe me oriz, vaj, makarona, biskota… E shkrove? Të lumtë dora e pena.
Pastaj porositi që të gjitha ato ara e parcela që ishin mbuluar me ujë si orizore, t’i rimbillnim me oriz!
-More zoti deputet që je bërë ministër, në fshatin tonë s’është mbjellë kurrë oriz! – i tha njëri nga fshatarët.
-Në qoftë se s’keni pasur kurrë orizore, jo ku i keni ! – foli duke treguar një arë të mbushur fund e krejt me ujë. Nuk harroi të urdhëronte atë që mbante fletoren hapur e penën në dorë të shënonte, që të dërgohej sa më shpejt fara e orizit.
Deputetit që ishte bërë ministër, i vajtën sytë të një ndërtesë dykatësh, që kishte shpëtuar nga rrebesh dhe pyeti:
-Po ajo që ka mbetur me çati e pa çati, ku mbuluar ku zbuluar?
-Ka qenë shkollë e mesme, që frekuentohej jo vetëm nga nxënësit e fshatit tonë, por edhe më shumë nga e gjithë krahina. Vitin që shkoi erdhi lumi si i tërbuar dhe mori urën ku kalonin nxënësit. Tani, siç e sheh, në katin e parë mërzejnë bagëtia, në të dytin ç’bije nga sipër hyn brenda, sa në muret e klasave janë pikturuar të gjithë hartat e botës.- e sqaruam.
-Mbaj shënim! – i tha atij që priste me defter hapur: – Të ndërtohet ura e lumit brenda tri ditëve!
-Të jetë ndonjë diskutim në Parlament! – pëshpëriti njeri njëri nga fshatarët. Por si duket ai s’e dëgjoi e vazhdoi:
-Të jepen fonde për meremetimin e çatisë, vendosjen e dritareve e dyerve të reja dhe të urdhërohen mësuesit me në krye drejtorin të vijnë sa më parë të zhvillojnë programin mësimor!
Pas kësaj porosije e hodhi vështrimin në një ndërtesë, që kishte shpëtuar nga përroi i qametit pa ndonjë dëmtim dhe donte të dinte përse kishte shërbyer ajo.
-Ishte spital, por mjeku dhe infermierët e braktisën sapo filluan shirat e të vinte rrebeshit, pasi ishte larg nga qyteti ! – e sqaruan.
Por deputeti që ishte bërë ministër donte të dinte si ia bënin fshatarët kur i ngiste kolla e i zinte gripi. Ata e sqaruan se atje lart në krye të fshatit, afër ndërtesës së ish-spitalit, kishte shtëpinë një veteriner, apo si i thoshin në fshat “hajvan doktor”, që mjekonte e shëronte gjënë e gjallë. Dhe deri sa është doktor për kafshët ka haber edhe për sëmundjet e njerëzve e na bën derman duke na dhënë ndonjë hapje.
-Kjo është për të qarë me dyzet palë lotë! Pse në një vathë futen njerëzit me bagëtitë! – bërtiti deputeti që ishte bërë ministër dhe urdhëroi atë që priste me defter hapur e penë ne dorë: – Mbaj shënim! Të sistemohet sa më parë spitali, të vijnë jo një, por dy mjekë, tre infermierë si dhe reparti i prapavijës, që të kuzhinieri e deri te sanitarët!
Si dha këto udhëzime me vlerë, hoqi këpucët e mbathi çizmet dhe, i shoqëruar nga të tjerët, kaloi në disa ara të mbuluara me ujë e zbriti deri te buza e përroit të qametit që derdhej në lumë. Sytë i vajtën te ca mure të rrëzuar, pllaka e dërrasa të hedhura, një koritë e bërë fërtele dhe nuk harroi të pyeste:
-Po ky çka qenë që është katandisur në këtë ditë?
-Mulli, që ne fshatarët e quanim mulliri i qametit, së vihej në punë vetëm kur nxihej qielli sterrë e shkundeshin retë. Më shumë bluante premtimet e partive gjatë fushatës elektorale se sa grurë e misër. Por ja që rrebeshi që na erdhi peshqesh nga qielli se la të vazhdonte punën e tij. Vala e përroi e mori përpara dhe e katandisi kështu si e sheh zortrote.
-Mbaj shënim! – urdhëroi deputeti që ishte bërë ministër: – Tani vendi ynë s’ka nevojë as për mullinj me ujë e as me erë. Gruri e misri na vjen i bluar, prandaj në vend të tij të ndërtohet një hidrocentral, që t’i japë dritë e energji jo vetëm këtij fshati por të gjithë krahinës.
Poshtë, buzë lumit pa disa djem që kishin hedhur grepat për të zënë peshk dhe i pyeta:
-Hë, more çuna, si duket ka peshk?
-Ka shumë, por janë bërë të zgjuar e s’hynjë kollaj në grep! –u përgjigjën ata.
-Mbaj shënim, i tha atij që mbante deftere e premtimeve hapur e penën në dorë: – Të bëhet një rezervat për kultivimin e peshkut, që të furnizohet jo vetëm kjo krahinë, por edhe më gjerë!
Kjo ishte porosi e fundit e deputetit, që ishte bërë ministër, Por ç’e do, ndodhi ajo që s’duhet të ndodhte. Gjatë rrugës fletorja që mbante porosite e vyera, s’pati fat të arrinte në destinacion, pasi e pësoi edhe ajo nga rrebeshi. Premtimet e deputetit tonë që ishte bërë ministrat u fshinë e u harruan si të gjithë premtimet që bëjnë deputetet kur venë e vijnë për të marrë votat, dhe pastaj si e hedhin lumin, e harrojnë kalin që i nxori në breg.