Mbi 2 milionë lekë të ardhura? Duhet t’i deklaroni brenda 30 prillit

Brenda datës 30 prill, të gjithë qytetarët të cilët kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë, duhet të plotësojnë deklaratën individuale vjetore. Plotësimi i deklaratës bëhet vetëm në formë elektronike për individët rezidentë në Republikën e Shqipërisë që realizojnë të ardhura personale mbi 2 milionë lekë në vit dhe po ashtu, për personat jo rezidentë (individë të huaj) që realizojnë të njëjtën sasi të ardhurash vjetore në Republikën e Shqipërisë.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se një shifër të saktë të personave që kanë detyrim këtë vetëdeklarim nuk ka. Referuar një liste të hartuar në vitin 2011, rezultonin mbi 4700 punonjës të administratës shtetërore, punonjës në Universitete shtetërore dhe të tjerë me funksione në sistemin gjyqësor shqiptar që kanë detyrimin ligjor, sipas kritereve të vendosura për të deklaruar të ardhurat e tyre. Që nga ai vit, kjo listë është gjithnjë në ndryshim për shkak të vendosjes së personave të rinj, heqjen e disa të tjerëve e kështu me radhë dhe arrin shifrën e thuajse 16 mijë personave, por nuk janë shifra zyrtare.

Sa i përket procesit, Suela Behri, përgjegjëse për shërbimin pranë sporteleve të Drejtorisë Rajonale në Tiranë, tregon se po shkon mirë, se një pjesë e mirë e personave interesohen paraprakisht, më pas marrin edhe asistencën për mënyrën e plotësimit të formularit të deklarimit, të vendosur me ligj. Ajo tregon se deklarata plotësohet vetëm elektronikisht dhe se i ka qartësisht të ndara kërkesat e dhënies së informacionit mbi të ardhurat për individët që janë të detyruar të bëjnë këtë deklarim. Megjithatë, nuk mohohen as rastet kur vite më parë, persona të ndryshëm nuk kanë qenë në dijeni të detyrimit për të bërë vetëdeklarimit dhe kanë marrë masë ndëshkimore në formë gjobe nga mosdija. Ajo shpjegon edhe se institucioni përgjegjës për monitorimin, ILDKPKI, ka çuar rrallëherë zyrtarë të lartë nën akuzë për fshehje të pasurisë. Znj. Behri, megjithatë, thekson se vitet e fundit ndërgjegjësimi ka qenë më i madh për të marrë informacione dhe një pjesë e mirë janë interesuar përmes rrugëve të tilla si telefonata, e-mail dhe interesim pranë sporteleve të Tatimeve.

Kush duhet të deklarojë të ardhurat vjetore e shpenzimet dhe çfarë përfitohet

Deklarimi vjetor i të ardhurave personale, sipas ligjit nr. 10343, datë 28.10.2010 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8438 ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, datë 28.12.1998″, bën fjalë për detyrimin që kanë individët për të përgatitur dhe për të paraqitur deklaratën individuale vjetore të të ardhurave.

Të ardhurat mbi 2 milionë lekë në një vit të plotë, janë detyrim për t’u deklaruar nga çdo qytetar shqiptar.

Deklarata vjetore e të ardhurave plotësohet nga tatimpaguesi që mbart detyrimin për të deklaruar, përmban të dhëna për të ardhurat bruto, për shpenzimet e zbritshme të kryera, si dhe për tatimet e paguara gjatë periudhës tatimore.

Përveç tatimpaguesve me të ardhura mbi 2 milionë lekë, deklarata vjetore e të ardhurave mund të plotësohet edhe nga persona të tjerë, që vendosin të bëjnë deklaratën, megjithëse nuk kanë detyrimin ligjor për këtë, për arsye se duan të përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme, e parashikuar në këtë ligj, kur këta individë plotësojnë kushtet e përfitimit të zbritjes së shpenzimeve.

 Çfarë deklarohet nga një person si e ardhur personale

Tatimpaguesi, në deklaratën vjetore të të ardhurave, jep të dhëna për të ardhurat bruto, në të cilat përfshihen:

  1. a) Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët.
  2. b) të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit;
  3. c) të ardhurat bruto nga qiraja dhe fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të deklaruesit;

ç) të ardhurat bruto nga interesa bankarë;

  1. d) fitimi kapital neto, i krijuar nga investimet në tituj apo në pasuri të paluajtshme;
  2. dh) shuma bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit;
  3. e) të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike;

ë) fitimi kapital nga dhurimi;

  1. f) të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;

SHKARKO APP