Mbi 334 mijë qytetarë me të drejtë vote, pjesëmarrje e ulët e të rinjve
Pesë bashki të vendit votojnë sot për kryebashkiakët e rinj, në një proces zgjedhor që përfshin 334.539 qytetarë me të drejtë vote në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë. Qendrat e votimit janë hapur prej orës 07:00, megjithëse në disa raste është raportuar vonesë në nisjen e procesit.
Vlorë: 171.895 votues të regjistruar, 232 qendra votimi. Deri më tani, pjesëmarrja është vetëm 10%, duke e renditur këtë qark me nivelin më të ulët të votimit. Berat: 82.161 votues, 116 qendra votimi.Cërrik: 38.724 votues, 57 qendra votimi.Mat: 29.092 votues, 47 qendra votimi.Tepelenë: 12.667 votues, 22 qendra votimi.
Sipas Kodit Zgjedhor, kur zgjedhjet zhvillohen në periudhën 15 tetor – 15 nëntor, qendrat e votimit mbyllen në orën 18:00.
Zgjedhjet e pjesshme po zhvillohen për të zëvendësuar pesë kryebashkiakë që janë zgjedhur deputetë apo ministra, si rasti i Andis Sallës në Cërrik. Në garë janë 13 kandidatë, por fushata ka kaluar pa mitingje apo takime elektorale me praninë e liderëve të partive kryesore.
Partia Demokratike nuk ka kandidatë të regjistruar nën siglën e saj apo të ndonjë partie tjetër opozitare, megjithatë ka shprehur mbështetje për disa kandidatë të pavarur.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi deklaroi se pjesëmarrja më e lartë është regjistruar në grupmoshën mbi 65 vjeç, ndërsa vihet re një braktisje e kutive të votimit nga të rinjtë, një fenomen që po përsëritet në zgjedhjet e fundit.
KOHA JONË SONDAZH

