Mbi varrin e Charlie këtu

Nga Frrok Çupi

Që nga lufta e Dytë Botërore, Franca nuk kishte parë marshim të tillë qytetarësh: 3. 7 milionë në marshim të gjallë…

Ka disa ditë që bota po tronditet në dy mënyra rreth "Charlie…".

Njëra mënyrë është trishtimi, dhimbja dhe frika e një sulmi kundër vlerave franceze dhe perëndimore të lirisë e sidomos të lirisë së shprehjes.

Ndërsa mënyra e dytë është tronditja e pjesës tjetër nga entuziazmi heroik. Këta të dytët përfaqësojnë pjesën e prapambetur të botës, por që e shikojnë "Charlies…" si një shans vetjak për të manifestuar heroizëm personal. Në këtë pjesë të botës entuziate për terrorin mbi Charlie bën pjesë edhe Shqipëria. Jo Shqipëria si vend, si komb e si popull, por si lidership politik.

Çfarë është Charlie?

Është revista statirike e përjavshme pariziene "Charlie Hebdo". Ka një jetë jo të shkurtër, me plot peripeci, që nga viti 1970 kur presidenti i famshëm i Francës, De Gol ndërroi jetë. Pastaj ndërroi emër. Pastaj, aty nga viti 1992 lindi revista me këtë emër "Charlie Hebdo", gjysma e emrin në kujtim të një komediani të famshëm dhe gjyma tjetër gjysmë e fjalës "e përjavshme" në gjuhën frënge. Deri më datën 7 janar 2015, ora 11.30, revista sa pamfletiste, sa komentuese, sa karikaturiste dhe humoriste, erdhi pa ndonjë zë të madh për botën. Me 7 janar, dy ose tre terroristë, të justifikuar me fenë dhe të armatosur me urrejtje, hynë në selinë e Charle dhe kryen masakrën e madhe. Vranë 12 vetë, redaktorin e revistës, gazetarë dhe policë. Pas kësaj, vrasësit morën njerëz pengje në periferi të Parisit, vranë edhe katër prej tyre…

Ngjarja tronditi botën.

Kush kishte kujtesë delikate tha se "po përsëritet 11 shtatori i Amerikës!'. Kush kishte besim në vlerat e lirisë e të qytetërimit perëndimor, u mblodhën nga gjithë Franca dhe kërkuan unitet në luftën kundër terrorizmit.

Të tjerë, sidomos gazetarë në vendet periferike të Europës, thellë në vetvete thanë me zë shumë të ulët: "Sa mirë të jesh gazetar në Francë! Edhe sikur e keqja të të vijë në zyrat e redaksisë, përsëri në Francë je, qytetërimi është me ty e krah lirisë tënde". Po çfarë të bëjnë njerëzit e gazetarët në botën e ligësht ku liria i përket veç qeverisë, veç kryeministrit, veç të fortëve dhe të pushtetshmëve?! Ky është problemi i madh.

A na është pushkatuar këtu Charlie?

Askush nuk pyeti? Disa u trishtuan çfarë po ndodh në Paris; disa menduan në favor të qeverisë dhe thanë se "përderisa ndodh në Paris, çfarë kërkoni ju o njerëz?!"; disa u frymëzuan nga entuziazmi. Entuziazmi i përket qeverisë që fati i keq i Parisit solli një shans të mirë për ta. Kryeministri i Republikës vuri në xhep tre lapsa me ngjyrën e flamurit të Francës, sipas modelit që zbuloi në internet nga një shkollë arti në Francë, dhe u nis drejt parisit, shumë i gëzuar. Kur të kthehet do të ushtrojë "dhunë franceze" mbi popullin e vet duke iu thënë se "mua më thërret Franca, e kush pyet për ju?!". Pak ditë më parë se të vriteshin në Charlie, ky kryeministër kishte tallur e bërë leckë gazetarët shqiptarë në një pritje gala për vitin e ri.

Po a na është pushkatuar këtu Charlie?

Askush nuk pyeti, veç u turrën drejt Parisit… Kur them se "cili Charlie u vra?", nuk po pyes për kohë të shkuar kur u var në litar poeti Avzi Nelaj në Kukës, as kur u burgos gazetarja e shkrimtare e ndritur Musine Kokalari; as kur u burgos Trifon Xhagjika; as kur u shpallën armik Gjergj Fishta dhe Martin Camaj…

Ata ishin pushkatuar në emër të Rilindjes, por të një rilindjeje para kësaj që po jetojmë tani. Në këtë Rilindje u vra "Charb-i" shqiptar, Artan Santo. Santo ishte një shkrimtar, ishte një botues, aksioner i dy televizioneve dhe tre gazetave. Me 26 qershor 2013 e vranë para zyrave të tij, në mes të Tiranës, aty ku dikur rriteshin njerëz "të bllokut". Ka një lidhje Santo me "Charb". Charb është Stephane Charbonnier, editori i revistës Charlie; dhe Santo autor e editor i disa mediave. Santo, njësoj si "Charb" u vra nga dy njerëz të maskuar, në mes të ditës; veçse ky në ora 09.20, ndërsa "Charb" në 11.30.

Këtu është Charlie…

Megjithatë askush nuk pyeti. Kryetari i Qeverisë e mori kohën e entuziazmit rreth terrorit në Francë duke kontrolluar internetin dhe duke zgjedhur lapsa për kostumin. Askush nga liderët e botës së qytetëruar nuk mund t'ia lejonte vetes luksin (ose marrëzinë) që të kujdesej për qëndizma në look…

Në Parisë shkuan edhe këta. Këtu mbeti "Charb-i" ynë, i gjakosur, mbështetur pas një peme në bllok, pa asnjë vëmendje.

Parisi, ndoshta veç Parisi, edhe në këtë rast, sikur hodhi një sy këtu: sa nga Kokalari, te Nelaj, te Xhagjika, te Camaj… dhe te Santo. "Këta nuk kanë liri shprehjeje në vendin e tyre, pse vijnë në Paris?. Kjo është pyetja që shkruan me gërma të mëdha proteste parizienët. "Reporterët pa Kufi" dënuan ardhjen në Paris të liderëve ku shkelet liria e shprehjes. "Ne nuk e duam këtë solidaritet!", deklaruan "Reporterët pa Kufij". Reporterët dënuan ardhjen në Parisë të liderëve nga Egjipti, Turqia, Rusia, Algjeria dhe United Arab Emirates (UAE), si vende ku ekziston një ambient i ashpër për gazetarët. Egjipti ndodhet në vendin 159 të lirisë së shprehjes, Turqia në të 154, Rusia në të 148, Algjeria në 121 dhe Emiratet e Bashkuara në të 180.

Shumë afër me Algjerinë, pra kaq poshtë e keq, ndodhet edhe Shqipëria, në vendin 107 për lirinë e shprehjes.

Megjithatë kryeministri shqiptar gjeti lapsat me tri ngjyra dhe plot entuziazëm u nis drejt Parisit.

Aty para liderëve famëkeq, ngriheshin parulla lirie, parulla kundër grabitësve të lirisë:

"Ne duhet të shfaqim solidaritet me Charlie Hebo pa harruar të tjerë Charlie në botë- protestuan Reporterët pa Kufij përmes Christophe Deloire, sekretar i përgjithshëm i Grupit.- Çfarë mund të tolerohet (në qoftëse) përfaqësuesit e vendeve që kufizojnë gazetarët, që të përfitojnë nga ky pjesëmarrja në këtë emocion që derdhet rrugëve të Parisit… me qëllim që të përmirësojnë imazhin e tyre ndërkombëtar… Ne nuk i lejojmë grabitqarët e lirisë së shtypit që të pështyjnë mbi varrin e Charlie Hebdo".

Kështu protestuan Reporterët pa Kufij në Francë.

Ndërsa këndej nga pjesa ku "grabitqarët e lirisë" ngrenë kultin e tyre, këndej Reporterët vazhdojnë me duartrokitje, me brohoritje dhe entuziazëm për udhëheqësit.

 

 

SHKARKO APP