Mbyllet dosja e skandalit të bankës, pritet gjykimi
Prokurori Ramadan Troçi ka mbyllur dosjen e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë dhe pasi t’a dorëzojë atë në Gjykatë, ka marrë detyrë drejtuese të komanduar në Prokurorinë e rrethit Vlorë. I larguar për punë të mirë apo të dobët, mbetet enigmë, megjithatë Troci ishte ai që dha urdhër arresti për drejtuesit e Bankës së Shqipërisë, në momentin që shpërtheu skandali, dhe ishte ai që ka kryer gjithë procesin hetimor. Dosjen e plotë ai do ta dorëzojë të premten në gjykatë, ndërsa pjesën e mbetur të hetimit, atë për ish- Guvernatorin Ardian Fullani do të ndjekë prokurori që po heton prej 3 muajsh kupolën e bankës, Ndini Tavani. Në dosjen e parë që do të shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës, bëjnë pjesë Ardian Bitraj përgjegjës i arkës stok, dhe i akuzuari kryesor mbi zhdukjen e parave, nipi i tij Klevis Bejtja (bashkëpunëtor në vjedhje por jo punonjës), si dhe Mimoza Bruzia, me detyrë specialiste e arkës, e cila është e vetmja nga punonjësit e arrestuar që ka pranuar se ishte në dijeni të vjedhjes së parave nga Bitraj. Tre të pandehurit akuzohen për vjedhje në bashkëpunim në skandalin që përfshiu Bankën e Shtetit disa muaj më parë dhe pritet të ndëshkohen më rreptë nga të gjithë të tjerët. Me urdhër të Drejtorit të hetimit dhe ndjekjes penale në Prokurorinë e Përgjithshme Adnan Xholi, dje janë prezantuar lëvizjet e reja në Prokurorinë e Lushnjës dhe asaj të Vlorës. Në Lushnjë drejtimin e organit të hetimit e ka marrë Prokurori Arben Dyla, i cili më parë ka qenë hetues pranë së njëjtës Prokurori. Në Prokurorinë e rrethit Vlorë është emëruar drejtues i komanduar prokurori Ramadan Troci.
Prokuroria: Paratë e vjedhura, u harxhuan në lojëra fati
Plot 713 milionë lekë (të reja) që janë vjedhur në qendrën e Emisionit të Monedhës në Linzë, janë harxhuar në lojëra fati nga Adrian Bitraj. Ky është versioni i fundit pas hetimeve dhe mbylljes së dosjes nga ana e prokurorisë, në lidhje me të akuzuarit kryesorë të shumës së parave të zhdukura. Ardian Bitraj, nipi i tij, Klevis Bejtja dhe punonjësja e bankës, Mimoza Bruzia, të tre të pandehur, u është komunikuar akuza e “vjedhjes së bankës” në bashkëpunim, dhe do të gjykohen së shpejti nga Gjykata e Tiranës. Me dorëzimin e dosjes në gjyq, shorti elektronik pritet të caktojë brenda javës treshen e gjyqtarëve, mbi këtë çështje. Për vjedhjen në bankë janë proceduar edhe 16 persona të tjerë, mes tyre ish Guvernatori i Bankës, Ardian Fullani si dhe ish-Inspektorja e Përgjithshme, Elivar Golemi, dhe ish-punonjës të tjerë që po hetohen dhe do të gjykohen në dy dosje të ndryshme.