Më i vështirë bashkëpunimi me “serbët tanë, se me ata të Serbisë

Vizita e Ramës në Serbi ka nxjerrë shumë të palara të tjera në shesh për Serbinë, krahas atyre që nxori një copë flamuri i varur në një lodër fëmijësh. Opinioni botëror pa se harbutëria, kapadaillëku mesjetar, racizmi e urrejtja e kanë shtëpinë prapë në Serbi. Pavarësisht se çfarë vendosi UEFA e Platinisë për futbollin, që t’u mbyllte gojën edhe agresorëve edhe viktimave, apo dhe çfarë tha ndonjë politikan mediokër nëpër Europë, pjesa më e madhe e realistëve në europë dhe SHBA mendojnë se; çdo gjë që tha Rama ishte në vendin dhe kohën e duhur. Vetëm kështu thyhen realisht akujt shekullor të pellgjeve të gjakut mes Serbisë e Shqipërisë dhe mes Serbisë e Kosovës. Serbia, kasapja e Ballkanit, të cilën, siç duket nuk e zë gjumi nga ëndrrat e këqija, kur mendon se ka vrarë mbi 300 mijë njerëz, vetëm këto 30 vitet e fundit në Bonje, Kroaci e Kosovë, i tmerrohet kujtesës, i tmerrohet barazisë europiane me viktimat e saj. Ndaj, ajo sot po kërkon vetëm një gjë: Të mos e provokojë kush, sidomos në shtëpinë e vet, pasi kështu i zbulohet fytyra e vërtetë që kanë serbët e Serbia. Për të tjerat tema, Serbia është dakord të ulet në çdo tavolinë e të nënshkruaj çdo marrëveshje. Ashtu siç mendojnë pjesa dërrmuese e politikanëve, opinionistëve, mediave botërore, ai takim mes dy Kryeministrave theu me vështirësitë e pritura, akujt e ngrirë mes shqiptarëve dhe serbëve.

Tashmë çdo kush e di se nuk ka shanse që ai takim të mos pasojë me shumë takime të tjera, më ta suksesshme, në Tiranë e Serbi. Ai spektakël i shëmtuar me futbollin dhe diletantizmi në konferencën e shtypit me Ramën ishin maksimalja e asaj që mund të bënin radikalët e sotëm të Serbisë. Kjo u vërtetua edhe më pas, kur vrapuan të korrigjojnë turpin fshehurazi natën, duke mos e lejuar delegacionin shqiptar të hante darkë në shtëpinë e vet (në Ambasadën shqiptare), por ta tërhiqnin për krahu për darkë, në një nga rezidencat luksoze të Titos, ku u pi verë e u këndua deri në orët e vona të natës, pas asaj dite të vështirë, që u gjëmë e madhe para mediave. Edhe me kaq kuptohet se krekosja e radikalizmit, nacionalizmit e racizmit serb po vdes në Serbi. Jo vetëm gjysma tjetër europiane e saj, që është në opozitë, por dhe krerët radikalë që e qeverisin sot, bëjnë veç spektakël për vota me radikalizmin folklorik, me krenarinë kombëtare idiote kundër shqiptarëve, me Kosovën e humbur, për të cilën ngjajnë si budallenj kur e quajnë akoma serbe etj. Serbët janë të detyruar nga rrethanat e kohës së re të ndryshojnë e të veprojnë krejt ndryshe nga sa krekosen e nga sa thonë në strofullën e tyre. Europa dhe SHBA e dinë mirë se serbët e shqiptarët kanë qenë çelësi i paqes në Ballkan dhe më gjerë. Ndaj, ata janë shumë të interesuar që ti largojnë këto dy kombe nga dhuna e urrejtja dhe t’i fusin në rrugën europiane të paqes e prosperitetit. Të dyja këto kombe mbartin me vete edhe dy rreziqe të mëdha për Europën e SHBA. Njëra mund t’i kërcënojë me rrezikun rus dhe tjetra me rrezikun islamik në zemër të Europës dhe Aleancës Atlantike. Ndaj, kujdesi ndaj tyre do të jetë më i madh në të ardhmen, për t’i detyruar që të lidhin interesat jetike me njëri-tjetrin dhe sidomos me Europen dhe SHBA. Rrugën e bashkëpunimit me Serbinë e shoh vetëm në rritje dhe kjo vizitë shërbeu veç që të thyente akujt shekullor e hapte dyert e ndryshkura. Bashkëpunimin me interes të madh reciprok mes dy kombeve, me sy nga e ardhmja e me shpinë nga e kaluara tragjike, e shoh se do të hapet vrullshëm në të ardhmen.

Me këtë vizitë historike, më duket se më shkoqur se kurrë më parë ka dalë edhe ngjashmëria e serbëve radikalë të Serbisë, me këta “serbët” tanë. “Serbët” tanë, ishin në sinkroni të plotë me qëndrimin e politikanëve radikale serbë për fjalët e Kryeministrit shqiptar Rama, edhe pse këto fjalë kishin konsensin dhe ngritën peshë zemrat dhe krenarinë kombëtare të çdo shqiptari. Fjalët e Ramës në Beograd dhe Preshevë ishin brilante, ishin të denja për një lider të moderuar, intelektual dhe europian të kohës. “Serbët” tanë mezi prisnin që vizita e kryeministrit Rama të dështonte, që serbët e Serbisë ta përzinin Ramën nga Beogradi, si 11 kuqezinjtë e Kombëtares, që në Preshevë të trembeshin shqiptarët e flamujt e tyre dhe të mos e priste njeri Ramën. Madje, mbase uronin që t’i ndodhte dhe ndonjë gjëmë më e keqe atje ose gjatë rrugës.   

Rama tha se kishte një bashkëbisedim i vështirë me Vuçiçin. Por në fund, u nënshkruan tri marrëveshje të rëndësishme. Pyetja që na mundon të gjithëve tani është: si do ia bëjnë Rama dhe Qeveria e tij me “serbët” tanë, të cilët ishin kundër aksionit të policisë së shtetit në Lazaratin e Dukagjinin e drogës, kundër mbylljes së shkollave që shisnin diploma false, kundër arrestimit të lakejve të tyre të vjedhjes së pasurive publike e korrupsionit, kudër arrestimit të xhihadistëve, kudër marrëveshjes me amerikanët për ca bidonë helme nga Siria, kundër reformës territoriale që i zhvat vendit 200 milionë euro çdo vit e prodhon vetëm anarki e kaos, kundër aksionit të vjedhjes së energjisë, që i shkakton ekonomisë së shqiptarëve 150 mln euro dëme dhe ka lënë Shqipërinë në errësirë, kundër atyre që kanë shkallmuar bukuritë dhe të ardhmen e vendit me ndërtime me dhe pa leje, kundër prekjes së një qime floku administratës publike PD-iste dhe gjithë sistemit mafioz të drejtësisë, kundër pranimit të Shqipërisë si kandidate për në Bashkimin Europian, kundër çdo gjëje që është për të mirën e këtij vendi. “Serbët” tanë ishin kundër Kuq e Zinjve në ndeshjen e futbollit të Beogradit, ishin kundër Kryeministrit të tyre në vizitën historike të 10 e 11 tetorit në Serbi. Më këta tanët ,Qeveria Rama-Meta e ka sigurisht domosdoshmëri që të bashkëpunojë. Por , me sa duket, do ta ketë më të vështirë bashkëpunimin, se me serbët e Serbisë.

 

 

 

SHKARKO APP