Më mirë humbje në tavolinë, se përsëritja e ndeshjes me Serbinë?
Tani që adrenalina e nacionalizmave ka rënë dhe UEFA u kthye në një organizatë politike me atë vendim që mori, duke dënuar njësoj si dhunuesit dhe viktimat, mbase logjika ka filluar të prevalojë mbi instinktet. Pala serbe, edhe pse kuptohet që investoi shumë për mos rikthimin e imazhit të vjetër të serbëve si bisha të Europës, po e kupton se nuk mbulohet dielli me shoshë dhe ai turp nuk zhbëhet me vendime të UEFA-s. Në fund të fundit edhe në futboll ka humbur se humbur, edhe pse fatkeqësisht na mori dhe neve me vete pa e merituar aspak. Serbia duket se ka filluar të kthjellohet e të kërkojë përsëritjen e ndeshjes me Shqipërinë, qoftë dhe në një stadium asnjanës. Ndërsa pala jonë, duke parë absurditetin e vendimit të UEFA-s, ka besim se Apeli mund të vendos ndryshe dhe të na riktheje pikët e hequra për hatër të Serbisë. Kjo është sot situata. Atëherë duhet të gjykojmë, cila rrugë është më mirë për neve dhe cila për serbët? Serbët duan përsëritjen, sepse kështu mendojnë se rikuperojnë imazhin dhe shpresojnë ta fitojnë ndeshjen. Tanët duan që drejtësia të vihet në vend dhe të na kthehet tre pikëshi i hequr padrejtësisht. Mirëpo, të dhënat e deri sotme flasin se në afro 95% të rasteve Apeli nuk ia prish UEFA-s. Pra, mund të jemi para verdiktit përfundimtar se UEFA ka dënuar të dyja palët në sherr njësoj, duke u mbyllur gojën e duke favorizuar Portugalinë e skuadrat e tjera të grupit për në europian. Për këtë arsye pyesim: cila do të ishte më e mira për ne, humbja e tri pikëve në tavolinë, apo përsëritja e ndeshjes me Serbinë? Nëse, gjithsesi jemi të humbur, a mos vallë do të ishte më mirë ta përfundonim atë ndeshje…? Meqë të dyja palët kanë dalë të humbur nga loja në tavolinë, a do të ishte më mirë të apelojë së bashku për përsëritjen e kësaj ndeshje, të ndërprerë në mes nga racizmi e dhuna në Beograd? Ajo që ka ndodhur nuk zhbëhet më. Si budallallëqet në stadiumin e Beogradit, (të cilat nuk ka nevojë për komente), ashtu dhe ajo që ndodhi në UEFA-n e Platinisë. Këto tashmë janë fakte të kryera. Thjeshtë mund të rivulosen në Apel. Është dënuar rëndë dhe pa e merituar Shqipëria, e cila ishte vetëm viktimë. Por është dënuar edhe Sebia. Por më keq akoma, siç po e shprehin dhe shumë media prestigjioze europiane, është dënuar e dhunuar futbolli dhe vlerat europiane që ai promovon. Është goditur shpresa e njerëzve për drejtësi, është stimuluar racizmi e dhuna në stadiume. Këtë radhë kanë fituar si në fushë dhe në UEFA urrejtja, hipokrizia, mashtrimi, intriga, djallëzia. Nga ana tjetër, janë trazuar dy popuj, të cilët kanë lënë pas një histori tragjike, që po përpiqeshin ta kapërdijnë e ta harrojnë. Kanë humbur të gjithë me këtë ndeshje, por më keq akoma humbja është thelluar me këtë vendim të UEFA-s.
Kam idenë se, nëse shpresat janë të pakta për në Apel, ose nëse dhe Apeli lë në fuqi vendimin e UEFA-s, do të ishte më mirë që dy qeveritë, dy kryeministrat, dy ministrat e jashtëm t’u sugjerojnë dy federatave përkatëse të futbollit që t’i kërkojnë Apelit ose Arbitrazhit përsëritjen e kësaj ndeshje turpi. Të dyja shtetet tona janë në të njëjtën rrugë aderimit për në Europë dhe europiani është thjeshtë një spektakël që duhet t’i shërbejë bashkimit të popujve dhe jo një sebep për të zgjuar instinktet kafshërore të huliganëve primitivë, urrejtjes racore e nacionalizmave. Apelimi së bashku i vendimit të trutharëve të UEFA-s së Platinisë për ta përsëritur ndeshjen, do të ishte kuptimplotë, pajtues dhe shërues. Një veprim i tillë, ose qoftë dhe një kërkesë e tillë e përbashkët jo vetëm do të shuante gjithë këtë zallamahi absurde urrejtje, që përfshiu me vete njësoj të mençur e budallenj, por do t’i shërbente për mirë gjithë klimës pajtuese, që kishte nisur mes dy vendeve tona dhe në veçanti Kosovës me Serbinë. Do rihapte rrugën e bashkëpunimit të shumanshëm ekonomik midis shteteve e bizneseve tona. Do të rriste besueshmërinë në sigurinë e përgjithshme në rajon dhe do vinte me shpatulla pas muri edhe taufët e futbollit në UEFA. Po ashtu do çarmatoste edhe huliganët e çmendur nacionalistë të stadiumeve, të cilët nuk mund të lejohen më t’u afrohen stadiumeve në ndeshje të tilla. Nëse Shqipëria dhe Serbia do të jenë të zotët të lënë pas meritë dhe të apelojnë së bashku përsëritjen e ndeshjes, kam bindjen e plotë se nuk kanë çfarë humbin, por veç të fitojnë. Edhe në takimin e ardhshëm të dy Kryeministrave, një hap i përbashkët e dy Federatave,do të ndikonte që të kishte sukses të plotë në çdo aspekt. Në fund të fundit fitorja është bindëse, kur arrihet me futboll dhe në fushën e lojës, kur kënaqën tifozët me lojën dinjitoze dhe korrekte dhe kur shkon në një kompeticion europian me dinjitetin e vlerave të futbollit që ke. Nga ana tjetër, duhet të biem dakord të gjithë se shumë më tepër rëndësi se sa një ndeshje futbolli, kanë marrëdhëniet mes dy shteteve dhe ky është një rast i mirë për të mbyllur këtë plagë të rihapur kot së koti nga huliganët nacionalistë serbë dhe padrejtësia e UEFA-s.