Medalioni

Nga Nikolla Sudar  

Jetojmë çaste, ditë e vite të një tranzicioni pa fund dhe pyesim veten: vallë, për këtë realitet ëndërruan, luftuan dhe sakrifikuan breza të tërë atdhetarësh dhe demokratësh? Përgjigjja është sa e hidhur, aq edhe tronditëse. Realiteti i përditshëm të detyron t’i rikthehesh asaj sentence, sa të mençur, aq edhe tronditëse: “Kur e kaluara harrohet, ajo përsëritet”. Bëmat e diktaturës i përjetuam, u përpoqëm deri diku t’i evidentojmë, por gabuam rëndë, kur kujtuam se i përkasin së kaluarës. Tashmë që kemi rënë ngushtë kujtojmë ndodhinë fatale me veshgjatin: ujku ia kishte mbërthyer dhëmbët vdekjeprurës nga pas, ndërsa i ziu gomar ngushëllohej, duke thënë: “Ishallah jam në ëndërr!”

Vështrojmë nga e kaluara e si në ekran riprodhojmë ngjarje, biseda, takime të përjetuara në atë diktaturë, sa të tmerrshme, aq edhe absurde. Këto po mendoja, ndërkohë që m’u kujtua një rrëfim tepër tronditës i asaj kohe, që më ka ndjekur si hije për vite me radhë, i denjë për një skenar filmi. Ajo ngjarje demaskon pa doreza demagogjinë komuniste, e cila si gjatë luftës ashtu edhe për dekada me radhë, mashtroi dhe terrorizoi popullin martir shqiptar. Ishte fillim shkurti i vitit 1972. I vetëm ndodhesha në pastiçeri “Tirana”, kur papritur më afrohen dy veteranë. Njërin prej tyre e njihja mirë, ndërsa tjetrin e shihja për të parën herë.

– Ky është ai, për të cilin të kam folur, – iu drejtua i njohuri im tjetrit dhe pa e zgjatur, duke na dhënë dorën, shton:

– Tani mua do të më falni, se jam tepër i zënë, – dhe u largua, duke na lënë vetëm.

Përballë meje ndodhej një burrë mbi të pesëdhjetave, i thinjur plotësisht, që duke më zgjatur dorën, më thotë:

– Gëzohem që po njihemi. Për shijakasit kam shumë simpati. Mbi të gjitha kam pasur nderin të njoh personalisht Qemal Deliallisin, atë vigan të vërtetë, që në pamjen e parë të trembte me fuqinë e tij, por që kishte zemërbutësinë e një fëmije. Do të vijë dita që Qemali të zërë vend shumë më të nderuar se këta sot, që përpiqen të shkelin mbi gjakun e këtij Dasho Shkreli nga Shijaku.

Ndërkohë që ai po fliste unë heshtja, një ndjenjë frike dhe pasigurie më pushtoi të gjithin, prandaj fillova të vështroj sa majtas e djathtas. Bashkëbiseduesi im e pikasi shqetësimin tim e me të qeshur më thotë:

– Hiç mos u bëj merak, se afër nesh nuk ka asnjë “kalec”.

Ndjenja e pasigurisë, por edhe e kureshtjes për këtë njeri të çuditshëm nuk po më ndahej.

– Dëgjo këtu, – ngriti zërin ai, – je akoma i ri dhe ma merr mendja se s’ke pas herë tjetër punë me “baballarët e kombit”, që janë sot në fuqi. Unë i kam njohur qysh gjatë luftës, por sidomos u binda fort se ç’mostra janë në ditët e para të çlirimit të Tiranës.

Edhe sot, pas 30 vjetësh ruaj, ato mbresa të pashlyera, atë tronditje të thellë që provova, si edhe një trishtim dërrmues nga ai rrëfim i sinqertë dhe bindës.

– Familja ime, – filloi ai rrëfimin, – ka jetue denbabden në një shtëpi përdhese prej qerpiçi. Bashkë me vëllanë dhe motrën më të vogël qysh herët u futëm në lëvizjen ilegale. Vazhdimisht tek ne vinin shokë dhe shoqe ilegale, bëheshin mbledhje, fshihej material propagandistik dhe, për fat, asnjëherë nuk u zumë në befasi. Në vitin 1943 dola partizan dhe u ktheva ditët e para të janarit 1945. Ishim të rinj atëherë, plot entuziazëm e dëshira për të rrëzuar malet. Sapo isha pranuar në parti, kur bashkë me tre partizanë të tjerë më ngarkuam për të bërë kontroll në Tiranën e Re. Të katër drejtohemi tek një vilë e bukur. Pronari i saj i trembur në kulm e me duart që i dridheshin, mezi na hapi derën. Kontrolli ynë nuk nxori gjë. Tregtari ishte lemerisur, por me gjithë torturat e “stilit partizan”, nuk tregoi gjë, ndërkohë na ndihmoi shërbyesja. Me ndihmën e aktivistëve të lagjes ne gërmuam në kopësht dhe mundëm të zbulonim dy arka të mëdha municioni, të mbuluara me mushama. I hapëm dhe brenda gjetëm monedha ari e argjendi, bizhuteri të shumta, si edhe valutë të huaj. Pasi i vumë hekurat tregtarit, u nisëm drejt komandës partizane. Rrugës kaluam afër shtëpisë së hallës, që kisha më se një vit pa e parë (dy djemtë e saj gjatë gjithë luftës kishin kryer detyra të shumta ilegale në qytet). Me lejen e skuadërkomandantit, i përmalluar drejtohem tek halla, që për fat ndodhej në prag të derës. Ndërkohë që po e përqafoja vura re në qafën e saj një zinxhir të bukur, që përfundonte me një monedhë floriri (medalion, apo dupje, siç e quante populli). Përnjëherë më lindi ideja dhe iu luta hallës të ma jepte, sepse kushtonte shumë. Ajo me të drejtë më kundërshtoi, sepse e kishte kujtim nga gjyshja, por unë këmbëngula, duke i thënë se “atdheut të shkatërruar nga lufta i duheshin të holla për t’u rimëkëmbur”. Më në fund, ndonëse pakëz e pezmatuar, ajo ma dha dupjen. E ku mund ta parashikoja unë se pikërisht ajo “dhuratë e vogël për revolucionin” do të kthehej në fatalitet për mua dhe për hallën?!

Me dupjen (medalionin) në dorë kthehem tek shokët. Pasi ua shpjegova rastin, hapa njërën arkë dhe e futa brenda. Ndërkohë disi i mënjanuar skuadërkomandanti diçka shënoi në një bllok të vogël, por mua nuk më shkoi në mendje se ç’djallëzi do të kurdiste ky maskara. Një orë më vonë komanda bashkë me disa partizanë të tjerë na dërgoi me shërbim në Shkodër. Urdhri ishte urdhër dhe duhej zbatuar. Pas një muaji me padurim të madh u ktheva në qytetin e lindjes, pa e ditur se ajo që më priste këtu do të ishte vendimtare për të ardhmen. Ashtu tërë gëzim, me automatikun krahut, futem në shtëpi. Por… shtanga në vend. Pa u përshëndetur fare me mua, m’u vërsul babai me fjalë të rënda: “Edepsiz, të kom bo lanet, shporrmu sysh! Tre vjet kemi rrezikue kaptinën unë ene halla jote për ty e për shokët e tu komunista e ju të ma boni këtë turp? Jeni të gjithë pa din e pa imon! Ene, ngjo këtu, mos bo gabim me shku ke halla, se s’do me ta pa mo surratin. Më ke nda për së gjalli me motrën e vetme!” – dhe me lotë në sy u ul në minder. Kaq shumë e humba toruan, saqë s’ dija si të veproja, por në fakt s’po kuptoja asgjë, se ç’kishte ndodhur, sepse asnjë nga të shtëpisë nuk u takua me mua. I shqetësuar në kulm nga një parandjenjë e keqe marr guximin e drejtohem tek halla. Sapo iu afrova shtëpisë pashë një partizan të armatosur që sillej rrotull, dyshova, por nuk e dhashë vetën dhe futem në shtëpi. Por ç’të shihja: një rrëmujë plaçkash të flakura sa andej-këndej dhe muret prej qerpiçi të çara, ndërsa halla dhe dy djemtë po rrinin ulur në minder. Sapo më panë mua, të dy kushërinjtë me të shpejtë u ngritën dhe u mbyllën në dhomë, kurse halla me një tërbim të paparë ndonjëherë, por që shpejt iu kthye në vaj, m’u drejtua:

 “E prune kaptinën, gjidi edepsiz? Paç faqen e zezë që ke guximin ene me ardhë këtu! Të ma boj nipi im këtë turp, ene kujt mu, që ty, Beqirin, Dylin e Liun ju kom prit e përcjell si kalamojt e mi? Përjashta prej shpisë teme e sa të jem gjallë s’du me ta pa bojën!”.

 Edhe gjatë luftës nuk kisha provuar tronditje më të madhe. Me gjithë përpjekjet e mia dhe përbetimet se s’dija gjë fare se ç’kishte ndodhur, qe e pamundur të bisedoje shtruar me të. I dërrmuar futem tek komshiu, i cili m’i tregoi të gjitha paudhësitë e “shokëve të mi të idealit”.

 Ç’kishte ndodhur?  Sapo më nisën me shërbim para një muaji, komanda partizane kishte dërguar një skuadër, e cila e kishte rrethuar shtëpinë e hallës, ndërsa tre prej tyre ishin futur brenda. Në shtëpi ndodhej halla dhe dy djemtë. Pasi i nxorën të dy djemtë jashtë, filloi hetimi: “Nashti, plakë do na tregoç zotërote, se ku I ke fshehur florinjtë! – iu drejtua skuadërkomandanti hallës. “ Ku ka nona florinj, mi të keqen!”,- ja ktheu ajo. Po pse i mbushej mendja “trimit nga mali”? Ashtu i nervozuar urdhëroi të sillnin djemtë. Por për inat të partizanëve, me gjithë kërcënimet e bëra, përgjigja qe e njëjtë. Atëherë kapoja ia ngjeshi me shuplakë hallës. Në çast të dy djemtë iu sulën furishëm atij dhe kështu filloi një përleshje e egër brenda në shtëpi. Ndërkohë u dha alarmi dhe me shpejtësi futen edhe pesë partizanët e tjerë, të cilët me kondakët e pushkëve “qetësuan situatën”. Pasi i lidhën të dy vëllezërit të gjakosur, bashkë me hallën, duke i shtyrë si kafshë i drejtuan tek vendkomanda partizane, në Pazar të Ri. Rrugës komshinjtë dhe kalimtarët e rastit, tashmë jo më të habitur, shikonin një skenë nga më të zakonshmet në rrugët e Tiranës. Si rrufe u përhap nëpër të gjithë lagjen se “halla na paskësh florinj të fshehur”. Në komandë i kishin plasur në një bodrum dhe i kishin rrahur për t’i pasur zili edhe fashistët. E poshtëruar në kulm dhe tepër sedërlije, halla nuk pranoi të njoftonte asnjërin nga shokët e luftës për ta ndihmuar, për ta ndiente vetëm neveri (e shkreta hallë nuk e dinte se ata ishin informuar, por nuk bënë asgjë për të). Dikush në komandë kishte shfaqur një mendim tepër “racional” dhe ashtu u veprua: të gjakosur e të pangrënë djemtë i sollën me forcë në shtëpi. Filloi çarja e mureve, saqë u rrezikua vetë shtëpia, po ashtu nuk mbeti skutë pa u kontrolluar. Rezultati? Asgjë. Ndërkohë të dy djemtë i zgjidhin, u japin nga një kazëm e lopatë dhe i detyrojnë të hapin gropa të shumta në të gjithë kopështin, ndërsa vetë partizanët triumfatorë rrinin përreth, duke i sharë dhe pështyrë. Të tërbuar se përsëri nuk gjetën gjë, me një kokëfortësi që sa vinte e shtohej, i përplasin për së dyti në burgun e komandës. Mbas disa ditësh i lanë të lirë, por gjithnjë nën vëzhgim.

 Kjo kishte ndodhur gjatë largimit tim të qëllimshëm, gjë që kishte prekur thellë tërë komshinjtë dhe miqtë. Papritur më pushtoi një tërbim i vërtetë, prandaj heq automatikun nga krahu dhe turrem jashtë:

 – Kë ruan ti, mor qen bir qeni? – i thirra fort partizanit që sillej aty rrotull, duke i drejtuar automatikun. Ai i tmerruar ia mbathi me vrap, pa kthyer kokën pas. Me një urrejtje që sa vinte e shtohej nisem drejt komandës. Nga që mbajtja e automatikut në dorë binte në sy, e hodha krahut, ndërsa në xhepin e kapotës futa pistoletën. Por ja që nxitimi dhe padurimi më prishën shumë punë. Për fat ish komandanti, që më kishte nisur qëllimisht për në Shkodër, po fliste me dikë që nga ballkoni. Me një zemërim të papërmbajtur, duke iu afruar, thirra me sa fuqi që kisha: – Aty më prit, mor kopuk, se do ta tregoj qejfin! – ndërkohë që në dorë tundja pistoletën. Ai, me sa duket, e nuhati rrezikun dhe, pasi lajmëroi dikë, u fsheh në zyrë. Nuk arrita të ngjis shkallët, kur një breshëri goditjesh me grushta e kondakë pushkësh më rrëzuan pa ndjenja. Në atë gjendje plotësisht i gjakosur, më zvarritën në një biçim magazine, ndërsa dy partizanë ruanin tek dera. Kur erdha në vete e pashë veten të çarmatosur dhe të lidhur. Më vonë mora vesh se komandanti im menjëherë ishte nisur “me shërbim” për në jug. Një shije e hidhur më ngacmonte buzët, në fytyrë isha bërë tërë gjak: e ndjeva veten më të poshtëruar se kurrë. Ashtu tëre gjak, por të zgjidhur, më futën në zyrë, ku përballë meje ishte ulur “komisari”, një djalosh i ri. Tek ai më bëri përshtypje uniforma e re angleze, së cilës i gëzohej, sepse e bënte person të rëndësishëm në sytë e shokëve, shumica e të cilëve kishte kontribuar shumë më tepër se ai.

 Pasi më dëgjoi me një bezdi, që dallohej hapur në fytyrën e tij, me një cinizëm karakteristik komunist, m’u përgjegj:

 – E po kohë lufte është akoma dhe ne s’kemi dalur për të përkëdhelur njerëzit. Pastaj, nga e di ti se tetua jote me djemtë nuk janë marrë gjatë luftës me kontrabandë floriri?

 Gjaku më hipi në kokë dhe pa e bërë të gjatë e mbërtheva nga jaka dhe e mbështeta pas muri. Ai nuk e priste një kundërveprim të tillë dhe e humbi toruan, por në ndihmë i erdhi roja që rrinte tek dera, i cili më goditi fort me automatik në kokë, ndërkohë që nga jashtë u sulën edhe disa partizanë të tjerë, që vazhduan “trimërinë” e të parit. Duke më tërhequr zvarrë, kësaj rradhe më futën në një bodrum gjithë lagëshirë, ku lëvrinin minjtë. Tërë ditën dhe tërë natën më lanë aty pa bukë e pa ujë. Të nesërmen, duke u dridhur nga të ftohtit, iu afrova hekurave të bodrumit se mos dalloja ndonjë fytyrë të njohur. Për fat pashë njërin që po dejtohej nga hyrja dhe, me atë pak zë që më kishte mbetur, e thirra. Me një farë frike, por edhe kureshtje, ai u afrohet hekurave të bodrumit dhe habitet jashtë mase kur më sheh në atë gjendje, megjithatë porosinë ma plotësoi. Por vetëm afër mbrëmjes, “gjeti pak kohë” sh. Beqir që të më vizitonte në bodrum. Një xhip me disa ushtarakë ndalon para komandës. Pas pak hapet dera e bodrumit dhe në të futet “shokut i luftës ilegale, i cili e kishte bërë shtëpinë time e të hallës si të veten” dhe më thotë me nota të dukshme zemërimi dhe talljeje:

 – Çohu mor Suf, se qeke bo ibret! – dhe pa begenisur që të më jepte dorën, shton: – Ç’bo kështu, mre burrë, se na fulliqe të gjithëve!”.

 Rrëfimin tim e priti ftohtë dhe pa asnjë interes, gjë që më revoltoi pa masë (ishin ditët e para të Çlirimit të Tiranës dhe sapo “triumfatorët komunistë” erdhën në fuqi, harruan nga kishin dalë, harruan se njerëz të thjeshtë si halla i kishin shpëtuar disa herë kokën “komandantit” të guerilasve të Tiranës. Kjo do të ishte “mirënjohja komuniste”, që do t’i ndiqte njerëzit e thjeshtë gjithë jetën). Siç duket ai u foli diçka për mua dhe kështu më lanë të lirë (por vetëm kaq qe “kontributi i tij”). Menjëherë mblidhet celula e Partisë, ku, sipas zakonit, më bënë gjyqin. Vendimi i saj: përjashtim përgjithmonë nga partia, ndërsa komanda partizane më udhëroi të mos largohesha për asnjë arsye nga Tirana. Por shokët e vërtetë nuk më lanë në baltë, ndërhyrjet e tyre të vendosura, më shpëtuan nga bugu.

 Kështu përfundoi kjo “aventurë” e imponuar, e cila më bëri që të kristalizoj përfundimisht qendrimin tim në të ardhmen: mohim i idealeve komuniste, të cilat, për fat të keq atëherë dhe për dekada me rradhë do të bëheshin sunduese në të gjitha sferat e jetës.

 Tashmë do të fillonte një kapitull i ri në jetën time, gjithë zhgënjime dhe pa asnjë perspektivë. Vitet kalonin, por hija e zezë e “aventurës” më ndoqi hap pas hapi. Njerëzit ku hapur e ku fshehur më shmangeshin. Me shumë vështirësi kreva natën shkollën e mesme ekonomike, por kurrë nuk e kalova dot cakun e një llogaritari të thjeshtë, sepse nuk të linte “vigjilenca revolucionare”. Si të gjithë njerëzit, edhe unë dashurova një vajzë, që për dreq ishte nga një familje komunistësh. E çfarë nuk bënë prindërit, vëllezërit dhe të afërmit e saj për të na ndarë: kërcënime e ofendime në rrugë, thirrje dhe presione në mes të natës në Degën e Punëve të Brendshme, transferim për vite me rradhë jashtë Tiranës, por pa rezultat. “Edhe fakir-fukaraja e ka një shans në jetë!” – thotë populli. Vajzën që doja u detyrova ta rrëmbeja, duke pranuar tashmë një izolim të plotë. Mundimet e luftës, por sidomos ato të pasluftës lanë gjurmë në shëndetin tim, por përsëri nuk më mposhtën dot.

 

NJË JETË E SHKATËRRUAR PLOTËSISHT …

 

 Po me hallën, ç’u bë?

 Ajo e shkreta e pësoi më keq nga të gjithë. Qyteti u rrit, lagja u zgjerua. Të ardhurit e shumtë tashmë bënin ligjin dhe në krye të listës së atyre me “biografi të keqe” vunë hallën. “Ndërkohë, që ne luftonim të pangrënë e të zhveshur, djemtë e hazdisur të plakës na merreshin me kontrabandë floriri!” – ishte refreni në çdo mbledhje populli i kryetarit të Frontit në lagje. Me vështirësi djemtë e hallës arritën të çajnë në jetë: i madhi u bë shofer, ndërsa i dyti mekanik. Të dy u martuan e u bënë me fëmijë, ndërsa unë i vështroja nga larg me një brengë cfilitëse, pa guxuar t’u flisja me gojë. Më vdiq babai, nuk më erdhën; vdiq halla, por ata më dërguan paralajmërimin që të mos guxoja t’u shkelja në shtëpi. Fëmijët u rritën, por trishtimi më shtohej nga dita në ditë,

 Kështu kaluan njëzet vjet. Vajza parë e djalit të hallës, sapo kishte marrë maturën dhe ato ditë do të shpallte fejesën. Të gjitha këto i mësova rastësisht nga një kushëri i largët, të cilit me lotë në sy iu luta të bënte çmos për të më pajtuar me djemtë e hallës. Nuk mund ta përshkruaj gëzimin e madh që ndjeva, kur më erdhi lajmi se më në fund kishin pranuar. Të them të drejtën qava nga gëzimi dhe pas meje edhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Të nesërmen të veshur si për festë u bëmë gati që të shkonim tek kushërinjtë, por s’qe e thënë të realizohej ajo dëshirë që më kishte zhuritur vite me rradhë. Akoma pa u nisur, më vjen kushëriri me një frymë e më thotë:

 – Sufo, mos bo gabim me shku ke halla, se atje ka ra dambllaja!

 Dhe me të vërtetë atje kishte rënë dambllaja e shkuar dambllasë. Këshilli popullor i lagjes, i udhëhequr nga parimet udhërrëfyese të “ashpërsimit të luftës së klasave”, kishte ndërhyrë dhe, madje, kishte kritikuar rëndë seksionin e arsimit të rajonit, i cili kishte guxuar t’i jepte të drejtë studimi një vajze “të deklasuar” e për pasojë u prish edhe fejesa e saj. Një pështjellim i gjithanshëm më pushtoi, në ato çaste fillova të urrej veten dhe gati sa s’u çmenda. Gjithçka tashmë kishte marrë rrokullimën, me kushërinjtë e parë përfundimisht isha ndarë për së gjalli, zhgënjimi qe i plotë dhe dërrmues. “Halli të bën të paftyrë!” – thotë një fjalë e urtë, kështu që edhe unë vendosa të ndëmerrja një hap, ndonëse plotësisht të dyshimtë për një rezultat pozitiv. Me një ndjenjë të thellë poshtërimi iu drejtova ish shokut të luftës ilegale, tashmë anëtar i Byrosë politike dhe ministër i Mbrojtjes, i cili, po të donte mund t’i shpëtonte të ardhmen mbesës sime, gjyshja e së cilës e kishte strehuar në kohët më të vështira për të. Shumë vjet kishim pa u takuar. E ku kishte nge ai të interesohej për shokët e dikurshëm! Një herë nuk kishte pyetur ky njeri për trajtimin e keq që i ishte bërë hallës. Rastësisht ishim parë në një festë, por ai ishte mjaftuar me një salutim të thjeshtë. Mbas shumë përpjekjesh arrita më në fund që të më dëgjonte “vetëm dy minuta”. Ai më priti në kabinetin e vet të ministrisë. Sapo hyra, e humba fare toruan nga salltaneti që konstatova. Ministri e nuhati hutimin tim dhe me një ndjenjë të hapur kënaqësie e mëndjemadhësie më ftoi të ulesha. Por mjaftuan vetëm fjalët e para të kërkesës sime që unë të kuptoja sesa rëndë kisha gabuar, ndonëse tashmë s’kishte kthim prapa. Ai u ngrys në fytyrë, u ngrit në këmbë dhe filloi të lëvizë nëpër kabinet. Pasi heshti pak, me një ndjenjë të theksuar pakënaqësie, më dha atë përgjigje cinike, përmbajtjen e së cilës tashmë e parashikoja: “E di si është puna, Sufo? Duhet ta pranosh se ke bo gabim të madh atëherë. Ç’t’u desh ty të ngatërroheshe me dupjen (medalionin), ma mirë t’ia kishe pas lanë hallës…”

 Duke kujtuar pas disa dekadash këtë takim, mendja më shkoi tek ai burrë i ndershëm, tek ai atdhetar i vërtetë, i cili me rrëfimin e tij të sinqertë më bëri për vete. Ai nuk arriti të shihte përmbysjen e madhe të komunizmit, ndonëse është më se e sigurtë se sot do të kishte mbetur i zhgënjyer nga realiteti i padëshiruar.

SHKARKO APP