Media, radha për dekriminalizim?
Nga Lutfi Dervishi*
Kryeministrit tonë i ka dalë fjala se bën çdo gjë vetë!
Jam i sigurtë se fjalimin e ka shkruar vetë,
se është kujdesur personalisht për dekorin,
Por me ç’po shoh në sallë qenka kujdesur edhe per protokollin se ndryshe…. do te shikoja në sallë… Adi Krastën!
Jam i lumtur që jam sonte këtu! Nuk di të them më i lumtur se Çim Peka që refuzoi, se Muç Nano që bojkotoi apo se ata që mbajnë shënim ardhjet dhe mungesat në këtë darkë.
Dua ta nis fjalën time të shkurtër me sukseset e arritura këtë vit!
Sa suksese kemi arritur! E nisim 2015 me debatin për gropat e buxhetit dhe po e mbyllim me vrimat..ne letërsi!
Nuk mund ta anashkaloj dot, suksesi I madh I qeverisë më 2015 ka qenë ngritja e bunkerit! Por jam I detyruar ta pranoj suksesi më I madh I opozitës është prishja e bunkerit. E vetmja vrimë që nuk mori çmim këtë vit!
Është fakt se qeveria I fitoi zgjedhjet e 2015 përballë opozitës! Druaj se po të garonte vetëm do të kishte humbur.. thellë!
Gjatë 2015 gati u realizua premtimi për shëndetësinë! Të gjithë ata që nuk kanë patur punë me spitalet dhe ambulancat- e morën falas shërbimin.
– Kryeministri na ka dalë borxhit ka themeluar faqen transparenca.al! Faji ynë që nuk e marrim seriozisht… Këtë vit mësuam që nuk duhet të besojmë asgjë që thotë opozita deri në momentin që përgënjeshtrohen në këtë faqe. (Meqë jemi në këtë pikë- në një darkë me gazetarë është thënë: ‘Ka një Judë në media! Po- ky është Endri Fuga, por vetë Endri nuk e di)
2015 ishte një vit i mirë për ne, por i vështirë për Europën dhe botën! Falë altruizmit të qeverisë tonë dhe, nën kujdesin e veçantë të kryeministrit, 100 mijë shqiptarë shkuan të nxjerrin Gjermaninë nga kriza! 200 mijë të tjerë shprehën gatishmërinë për t’iu gjendur pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
Edhe në 2015 radio televizioni publik është pa drejtor dhe qeveriset për bukuri. Por kryeministri duhet ta marrë seriozisht këtë situatë, se mos mësohemi keq dhe kërkojmë të qeverisemi si Belgjika… pa kryeministër!
– Vlerësojmë arritjet, por kemi edhe zhgënjimet tona- zhgënjimi më i madh që kam unë ka lidhje me deklaratën programatike: ‘ne nuk do të vjedhim si këta…që ikën’…për ata që nuk e kuptuan batutën po e çoj deri në fund…do të vjedhim ndryshe’! Dhe ky është zhgënjimi…
Qeveria duhet falënderuar me zë të lartë se kryesisht falë punës saj tri programet më të suksesshme televizive për 2015 rezultojnë Portokalli, Al Pazar dhe Fiks Fare!
Uroj që nga kjo darkë të mos dalë ndonjë problem se druaj se qeveria do të mblidhet sot në mesnatë (qeveria punon natën se ditën është në televizor)…dhe do kërkojë zgjidhjen me koncesion!
Një falënderim i veçantë i takon sonte kryeministrit që nuk ka ftuar ambasadorin amerikan Donald Lu..
Ju e dini që ai e ka për zemër de kriminalizimin. Këtë vit z. Lu është marrë me dekriminalizimin 3 pushtete: Kuvendin, Qeverinë (e mbani mend që ka folur për ministra të korruptuar) dhe Drejësinë!
Po të ishte sonte këtu Ai do të merrej edhe me pushtetin e katërt..dhe do të thoshte:
“Prova ime për korrupsionin është shumë e thjeshtë! Nëse keni marrë ndonjëherë leje ndërtimi apo tendera ne shkëmbim të një politike editoriale në favor të pushtetit jeni një media e korruptuar…edhe nëse e ke bërë këtë vetëm një herë, ke thyer besimin e publikut dhe nuk je media e pavarur!
Një kriter tjetër shumë i thjeshtë: nëse ulni kokën dhe shikoni kyçin e dorës dhe keni një orë që kushton sa rrogat e papaguara prej muajsh të gazetarëve atëherë ka të ngjarë të jeni njerëz të korruptuar…në shpirt!
Këshilla ime për kryeministrin është: mos shko në televizione që nuk paguajnë gazetarët apo i paguajnë me vonesë! Shqipëria është vend anëtar i NATO-s nuk shkon që gazetarët më lehtë të marrin kredi në bankë se rrogën në vendin e punës!
Ju e dini që e kam zakon të flas me emra, por për këtë temë lista të sakta ka zoti Aleksandr Cipa! Më të sakta se listat e kolonelit Zampa të Ismail Kadaresë!
Media është biznes, por kur bashkohet me politikën: Media- Biznes- Politikë është trekëndëshi Bermudës ku humbet interesi publik!
Ashtu si ne SHBA, televizionet këtu janë private, por harrojnë që eteri është pasuri publike dhe përmbajtja përgjegjësi publike- për këtë duhet pavarësia e institucionit rregullator!
Unë shoh shumë televizion, çdo ditë nga 4 orë, madje edhe 5 nëse ka ndonjë program të mirë- por për 2015 kjo nuk ndodhi!
Në ditët e para kur erdha këtu, do të thoshte Lu, mendova se më ishte prishur televizor, ndërrova 7 kanale dhe shikoja në të vetëm një portrte- atë të kryeministrit – live!
Për 2016 urimi është që të mos rritet numri kanaleve që japin live çdo fjalim të kryeministrit!
Më lejoni ta mbyll me një anekdodë të shkurtër…
Erion Veliaj, Edi Rama dhe Ben Blushi janë dënuar me dënim kapital nga pronarët e mediave dhe u kërkohet dëshira e fundit sipas radhës.
– Erion Veliaj kërkon një iphone 6s për një selfie!
– Edi Rama kërkon, 5 minuta kohë sa për të mbajtur live një fjalim.
Vjen radha Ben Blushit: (doja të përfundoja një libër, por ndërrova mendje) ju lutem,- tha – më varni para se ky të mbajë fjalimin!
Gëzuar 2016!
*Fjala e mbajtur në mbrëmjen me gazetarët të thirrur nga Edi Rama