Mediat sociale në Shqipëri po rrezikojnë përgjegjshmërinë politike

Nga Emiljano Kaziaj-Mediat shqiptare gjithnjë e më tepër po përcjellin shkrime të marra copy-paste nga faqe të facebook-ut, twitter, apo instagram të lloj-lloj personave dhe institucioneve publike. Por nëse përdorimi i medias sociale do duhej të ishte një përparësi , pra mundësia që sjell më afër publikun me politikanin, konteksti ku përdoren dhe mënyra se si (keq)përdoren mediat sociale sot në Shqipëri ngre shqetësime serioze për pasojat që sjell për përgjegjshmërinë politike.

Një shembull që më bëri të mendoj për gjithë këtë ishte rasti i zhvillimeve për projektin e ri të bashkisë së Tiranës, për ndërtimin e një parku argëtimi për fëmijë tek kodrat e liqenit. Rasti u kundërshtua nga aktivistë të mjedisit, të cilët kërkuan transparencë për çështjen. Bashkia iu përgjigj duke publikuar fotografi të parqeve në Holandë. Aktivistët e kundërshtuan duke shkuar dhe duke shkulur rrethimin e projektuar për ndërtim. Bashkia iu përgjigj me foto në median sociale të një serie aktivitetesh që ishin zhviluar në parkun e liqenit. Aktivistët vazhdonin kundërshtimin. Bashkia nxorri disa foto të tjera të parkut, si do të bëhej, i cili ndryshonte dukshëm nga fotografitë që postonin aktivistët. Bashkia u akuzua se kishte shtuar pemë me photoshop …dhe ende vazhdon e gjithë kjo ‘luftë’ imazhesh, deklaratash, premtimesh e kundërshtimesh më së shumti online, nëpërmjet medias sociale. Më pas përcillet copy- paste në dhjetëra media vizive, të shkruara dhe online në Shqipëri dhe Kosovë. Janë shumë të pakta shkrimet kritike që verifikojnë burimet apo vërtetësinë e deklaratave të Bashkisë apo pretendimeve të aktivistëve. Të gjitha mediat bëhen kështu përcjellëse zërash sa të njërës palë e të tjetrës, duke krijuar një kakofoni informacioni për këtë çështje. Publiku në fund mbetet si spektator i një dueli mes Bashkisë dhe kundërshtuesve të veprimeve të saj pa qënë në gjendje të krijojë një ide të qartë se për çfarë bëhet fjalë. Dhe ky është vetëm një rast mes qindra lajmeve të së njëjtës natyrë që merren dhe përcillen pa asnjë përgjegjshmëri gazetareske dhe që nuk informojnë askënd. E vetmja gjë që bëjnë mirë është krijimi i iluzionit se ‘në këtë vend po punohet’, ‘filan politikan është kaq aktiv’, ‘filan iniciativë ishte kaq e suksesshme’ e kështu me rradhë.

Por hapësira online krijon mundësi të mëdha për manipulim, heqje, vënië, retushim fotografish, fshirje statusesh, dhe më e rëndësishmja synon drejt konsumit të shpejtë të informacionit dhe jo mendimit kritik. Për këta faktorë, është e vështirë për publikun të gjykojë apo kritikojë politikanët për veprimet a mosveprimet e tyre, sepse në morinë e informacionit të transmetuar, nuk ka kohë që të kuptojë rëndësinë apo vërtetësinë e këtyre veprimeve. Për më tepër, hapësira online është e kufizuar në ligjshmëri. Eshtë ë vështirë që dikush të mbahet përgjegjës për çka shkruan në facebook apotëitter, edhe nëse paguhet me taksat e qytetarëve.

Por duket se kjo sjellje e mediave tashmë është kthyer në fenomen. Mbushja e kohës televizive, faqeve të gazetave apo ëeb-eve informative, me materiale copy-paste nga mediat sociale si burim informacioni, po kthehet në normë në mediat shqipfolëse. Madje me rastis të lexoj në shkrime të ndryshme, burime të cituara ‘kështu u shpreh filani i pyetur në facebook’. Media tradicionale po i largohet misionit të saj, atij të informimit të drejtë të publikut, investigimit të çështjeve me interes publik dhe ç’është më e rëndësishme, vënia përballë përgjegjësisë së aktorëve politikë. Në këtë kuptim ndikimi i medias sociale dhe mënyra se si po përdoret sot në Shqipëri është një rrezik serioz për përgjegjshmërinë politike. Media tradicionale mund të luaj një rol të madh në këtë mes, duke u bërë filtër mes politikanëve dhe publikut për t’i përcjellë mesazhet në mënyrë kritike. Po pse nuk ndodh kjo në Shqipëri? Për dy arsye madhore:

Së pari, është tashmë e ditur që mediat në Shqipëri (të çdo lloji) janë zgjatime të politikës. Ato mbrojnë interesa të një grupi të ngushtë njerëzish ku primarë janë politikanët. Si të tilla, medias në Shqipëri i interesojnë statuset apo çdo lloj informacioni që mund të marrin të gatshëm nga këta politikanë apo institucione dhe ta përcjellin si lajm, sepse kështu kursejnë burimet financiare dhe njerëzore por edhe iu kthejnë ‘qokat’ politikanëve për favorizimet e bizneseve të tyre. Së dyti, sepse me përhapjen e mediave sociale dhe gazetarëve iu është lehtësuar puna. Përballë kushteve të këqija të punës, pasigurisë dhe rrogave që iu vonohen me muaj, ata e kanë më të lehtë të ‘gjuajnë’ statuse facebook-u (mundësisht ulur në një bar në qendër të kryeqytetit) dhe t’i bëjnë lajme, sesa të shpenzojnë mund duke investiguar, verifikuar apo shkruar lajme. Në fund të fundit askujt nuk i intereson e vërteta. BIRN

SHKARKO APP