Memaliaj si kryeqendër e Toskërisë
Nga Feti Zeneli
Bashkia Memaliaj, përveç qytetit, do të përfshij në territorin e saj të ardhshëm edhe të gjithë fshatrat që ndodhen në krahun e djathtë të rrjedhjes së lumit Vjosë, e njohur ndryshe si zona e Tepelenës toske. Kështu që, nëse Vjosa përbën vetëm kufirin jugperëndimor të kësaj krahine nga Mezhgorani deri në Kalivaç, kufijtë e tjerë përcaktohen nga ndarja administrative me bashkitë e Mallakastrës, Beratit, Poliçanit, Skraparit, Përmetit, Këlcyrës dhe Tepelenës.
Pra siç shihet, kemi të bëjmë me një sofër të madhe territoriale, gjë që të krijon përshtypjen sikur rreth saj janë mbledhur të kuvendojnë kultura dhe zakone të ndryshme nga ato Tepelenës autoktone. Por e vërteta është krejt ndryshe, pasi kjo zonë, që ka nxjerrë burra të tillë të njohur në histori, si Tafil Buzi dhe Ali Pasha, është ndoshta më e tepelentë se sa pjesa tjetër, që shtrihet në të majtë të rrjedhjes së Vjosës deri në kufi me fshtatrat e Vlorës, Sarandës dhe Gjirokastrës, me përjashtim të Dukajt, Salarisë së Selam Musait dhe krahinës së Lopsit, që kanë qenë debnabaden – Tepelenë. Sepse siç dihet, një pjesë e mirë e territorit në pjesën perëndimore të Tepelenës së sotme, dikur ka qenë e organizuar si rreth me vete, në atë të Kurveleshit, që në tradita dhe zakone është më e vlortë. Kur shteti komunist prishi në ’49-ën kufijtë perëndimor të Tepelenës së Ali Pashës dhe Selam Musait, bëri të mundur që të mësyjnë drejt qendrës administrative të këtij qyteti pjesa lindore e Labërisë, e cila për shkak të kontributeve të shumta në Luftën Nacionalçlirimtare mori në dorë gati gjithë drejtimin lokal të rrethit. Kësisoj Vjosa, nga një kufi gjeografik, u shndërrua në një kufi politik, midis pjesës “këtej lumit”, që kryesisht do të drejtonin dhe pjesës “përtej lumit”, që kryesisht do punonin nën drejtimin e lebërve për 45 vite me radhë. Për rrjedhojë, gjuha që do mbizotëronte në zyrat e partisë dhe pushtetit lokal të Tepelenës për një kohë të gjatë do të ishte labërishtja. Epërsia numerike dhe përkrahja politike e bëri këtë gjuhë urdhëruese, denigruese dhe cinike në artikulimin e komunikimit zyrtar me banorët e zonave përtej Vjosës. Termi pezhorativ “kërcikuq” i përket pikërisht kësaj gjuhe, për të etiketuar e përbuzur toskët e Tepelenës, si të paaftë për të drejtuar organet e partisë dhe pushtetit në rreth. Mjafton të përmendim se fare për pak kohë gjatë gjithë periudhës së monizmit ka patur vetëm 3-4 raste të zgjedhurish nga radhët e atyre “përtej lumit” në krye të organeve të Tepelenës, por ajo që duhet theksuar lidhet me fundin tragjik të largimit nga detyra, e shoqëruar me persekutime, vetëvrasje dhe burgime. Situata nuk ndryshoi shumë as në gjysmën e dytë të viteve ’80, kur sekretar i parë ishte një skrapalli dhe kryetar komiteti një lushnjar, pasi ligjin e bënin zëvendësit e tyre dhe nëpunësit e vjetër apo “të përjetshëm” të zyrave, të shndërruar tashmë në “ustallarë pushteti”.
Në këto kushte, ndonëse Memaliaj dhe të gjithë fshatrat “përtej Vjosës”, nëpërmjet prodhimit të qymyrgurit që nxirrej në luginën e lumit të Luftinjës jepnin kontributin kryesor në ekonominë e rrethit dhe atë kombëtare, përfitonin investime simbolike krahasuar me ata “këtej Vjosës”. Mjafton të përmendim, për shembull, se shumica e fshatrave rreth e qark zonës së Buzit, deri në fund të viteve ‘80, për të shkuar në Tepelenë me makinë, shfrytëzonin rrugën e vjetër Përmet-Berat, të ndërtuar që në kohën e Turqisë nga Ali Këlcyra, ku udhëtimi zgjaste mbi 5 orë. Por kjo e keqe e pati një të mirë, pasi tërhoqi drejt Memaliajt shumë prej banorëve të zonës së Ballabanit në rrethin e Përmetit, duke arritur që shumë shpejt numri i banorëve të këtij qyteti të arrinte atë të qytetit Tepelenë. Kur për 45 vite me radhë drejtuesit lokal të kohës së monizmit nuk investuan në këtë zonë as për të ndërtuar 4-5 km rrugë e shtruar me çakull në sektori i Katërt i Minierës deri në Buz, kuptohet që investimet e tjera ishin me pikatore. Edhe të drejtat e studimit që akordoheshin për shkollimin e vajzave dhe djemve të Toskërisë u përkisnin specialisteve të bujqësisë dhe inxhinierisë së minierave. Madje edhe për mësuesi kishte shumë pak bursa, aq sa nevojat e zonës në këtë drejtim plotësoheshin me mësues të ardhur nga Dropulli i Gjirokastrës apo zona të tjera të vendit. Situata nuk do të ndryshonte shumë as në vitet e pluralizmit, me përjashtim të një periudhe të shkurtër kohe, kur kryetar i degës së PD-së Tepelenë ishte z. Tomorr Xhani, me origjinë përmetare dhe kur për herë të parë u mundësua, që një bir i Tepelenës toske, z.Sadik Bejko, poet dhe intelektual i njohur të zgjidhej deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Pati dhe disa emra të tjerë, që natyrisht morën poste drejtuese në nivel lokal, por ’97-a e ktheu gjithçka aty ku kishte qenë: -Tepelenën “këtej lumit” në drejtim dhe Memaliajn me zonën “përtej” në prodhim apo më mirë të themi në emigrim, pasi miniera e qymyrit u mbyll dhe tokat bujqësore u kthyen në pyll nga mungesa e punimeve dhe investimeve. Mjafton të kujtojmë se gjatë këtyre viteve të fundit, Memaliaj është shndërruar në qytezën më të varfër të republikës, gjë e cila është theksuar së tepërmi në dy-vjeçarin e parë të qeverisjes socialiste, duke marrë përmasa tragjike.
Kjo situatë, veç të tjerash, është krijuar dhe sepse gjithë zonës që me ndarjen e re administrative do të përfshihet në bashkinë Memaliaj, i ka munguar prej vitesh ndjeshmëria drejtuese e bijës apo birit të saj, pasi ai i deritanishëm ka qenë inat dhe diktat njëherësh, të cilat konvergojnë në një formalizëm klasik për kryerjen e detyrës. Në këto kushte, harta e re administrative, mund të mos i këtë pëlqyer shumëkujt prej njësive të reja vendore të krijuara nga një ndarje e tillë, por kurrësesi Memaliajt, qytetit që mori jetë në vitet e pasçlirimit dhe u popullua në pjesën dërrmuese me banorë të zbritur nga fshatrat e Kalivaçit, Krahasit, Levanit, Toçit, Qesaratit, Kamçishtit, Zhapokikës, Luftinjës, Xhafajt, Maricajt, Izvorit, Rabies, Gllavës, Buzit, Selckës, Komarit, Shalsit, Golemajt, Arrzës, Maricajt, Kashishtit, Xhafajt, Miricës, Vasjarit, etj., të cilët “u tepronin” kooperativave bujqësore të atyre zonave. Me ndarjen e re administrative, toskëve të Tepelenës u krijohet mundësia që për herë të parë pas kaq vitesh të zgjedhin në krye të pushtetit vendor bijën ose birin e tyre. Mesa duket këtë dëshirë të ndrydhur e të shtypur për vite me radhë të këtyre banorëve e ka lexuar drejt Partia Demokratike, e cila ka përzgjedhur Sadik Xhelilin, si kandidat për kreun e bashkisë Memaliaj. Sadiku është bir i këtyre anëve nga Selcka, që një pjesë të mirë të jetës së tij familjare po e kalon në qytetin e Memaliajt. Me shkollimin e mesëm si teknik ndërtimi dhe atë të lartë si mësues matematike plotëson kriterin profesional dhe atë intelektual për t’u përzgjedhur në një post të tillë drejtues. Me biznesin e suksesshëm që ka ngritur qysh para 20 vitesh në qytetin e Memaliajt shfaq aftësinë tjetër, që kërkohet në këto raste, atë të menaxhimit të punëve në kohën e sotme. Me mospërfshirjen e tij në detyra të mëparshme publike, ka ruajtur figurën e tij morale nga përfoljet për korrupsion apo veprime të tjera antiligjore dhe amorale. Bën përjashtim këtu ushtrimi i profesionit të mësuesisë në shkollën e mesme për disa kohë, që në fakt veçse i ka shtuar simpatinë dhe respektin në komunitet. Pra, me një fjalë është një intelektual i formuar, një menaxher i zoti, një edukator i përkushtuar dhe një figurë e pastër morale. Zgjedhje më të mirë dhe më vlerësuese për komunitetin toskë të Tepelenës nuk mund të gjendej. Ndërkohë të majtët, sa për shkak të orientimit dhe afeksionit të tyre monist, aq dhe të atij egoist për të qeverisur të tjerët, vazhdojnë me avazin e vjetër, duke propozuar dikë nga Kurveleshi për të drejtuar bashkinë e ardhshme të Memaliajt. Një zgjedhje e tillë është bërë jo se nuk gjendej një kandidaturë socialistësh apo lsistësh me origjinë nga toskëria e Tepelenës, por nga që ky është një mentalitet i trashëguar qysh nga koha e punizmit, sipas të cilit ata “përtej Vjosës” kanë lindur për të punuar, kurse këta nga krahu i tyre, për të drejtuar. Nëse ky standard lokalist do të ishte aplikuar edhe për kandidatë të tjerë majtist, i bie, për shembull, që në Finiq apo Konispol të ishte zgjedhur një sarandiot, në Himarë – një vlonjat, në Libohovë – një gjirokastrit, në Kuçovë – një beratas, në Poliçan – një skrapalli, në Devoll – një korçar, në Roskovec – një fierak, në Peqin – një elbasanlli, në Kavajë – një durrsak, në Bulqizë – një dibran, në Has – një kuksian, në Vuan e Dejës- një tropojan, në Kurbin – një krutan e kështu me radhë, gjë që në fakt nuk ka ndodhur. Pra, siç shihet dhe unë nuk kam asgjë me kandidatin e zgjedhur prej të majtëve për bashkinë Memaliaj, por e kam me ata që e kanë zgjedhur. Personi në fjalë mund të jetë njeri shumë i mirë, megjithatë, siç thotë vetë kryesocialisti Rama, këtu çështja nuk shtrohet për të bërë një dhëndër, por për të zgjedhur një kryetar bashkie për një komunitet të gjerë njerëzish, të cilëve demokracia, që ata i hapën të parët dyertë e mirëseardhjes, u krijoi mundësinë të drejtohen dhe të mos sundohen apo përçmohen më, si dikur në monizëm. Shto këtu edhe faktin, që ky individ është pjesë e administratës së bashkisë akuale të Memaliajt, e cila për 4 vite rresht, në vend që ta ndryshonte për mirë e ka bërë më të vështirë jetën e komunitetit të këtij qyteti, arrihet në përfundimin se intelektuali dhe biznesmeni Sadik Xhelili është zgjedhja e duhur për kreun e bashkisë së re Memaliaj. Të majtët po përpiqen t’i japin shanse kandidaturës së tyre, duke përdorur strategjinë e tipit “përça e sundo”, nëpërmjet blerjes apo nxjerrjes së disa “të pavarurve” nga radhët e demokratëve, por janë të dështuar, pasi përveç shumë avantazheve të tjera, Sadiku ka para së gjithash statusin e birit të krahinës, që në raste të tilla i neutralizon maksimalisht kufijtë partiak. Në këto kushte kryeqendrës së Toskërisë, midis kandidatëve që i kanë servirur, si mbetet gjë tjetër veçse të zgjedh fituesin, atë që i përshtatet më mirë mentalitetit të Toskërisë.