Mëngjes-darkë, ndëshkim-arrestime

 Vetëm në Tiranë, kreu i Policisë së kryeqytetit, Ardian Çipa njoftoi se ishin vënë në pranga 21 persona, deri në orët e mbrëmjes. Numri i qytetarëve të proceduar penalisht për vjedhje të energjisë është disa herë më i madh. Operacioni ka vijuar me të njëjtin intensitet edhe në qytete të tjera. Kështu, në Fier janë arrestuar 5 pronarë biznesesh që kishin krijuar lidhje të paligjshme për aktivitetet e tyre tregtare duke vjedhur dhjetëra milionë lekë, pothuaj sa për të bërë dhjetë shkolla të reja në këto vite. Në Lezhë janë arrestuar 6, në Vlorë 5, në Shkodër, 3, në Elbasan 2, në Gjirokastër 2. Në Berat, Durrës, Kukës, Korçë, Dibër ka pasur nga një biznesmen të arrestuar për energjinë elektrike. Dita e djeshme është vetëm fillimi i një operacioni që do të shtrihet shumë gjatë në kohë. Bizneset janë pika e parë e planit ku është përqendruar fillimisht aksioni i policisë. Drejtuesit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) thanë dje se, për qytetarët operacioni do të nisë në një fazë tjetër dhe pritet të jetë edhe më masiv. Ajo që bie në sy është se në të 12 qarqe e vendit ka pasur persona të arrestuar për vjedhjen e energjisë elektrike, çka tregon se aksioni ka nisur në të gjithë vendin dhe synohet që të shtrihet jo vetëm në qytetet kryesore, por edhe në zonat e thella malore të vendit.

Fillimisht do të monitorohen dhe ndëshkohen bizneset dhe entet shtetërore që kanë abuzuar me energjinë. Ndër personat e arrestuar ka pasur pronarë biznesesh me disa milionë lekë xhiro mujore. Por pavarësisht shumave të mëdha që fitonin, prej disa vitesh nuk paguanin asnjë qindarkë për energjinë elektrike. Në listë nuk mungojnë dhe biznese të mëdha në vend, të cilët duke shfrytëzuar njohjen me njerëz të pushtetit kanë arritur të shmangin deri edhe miliona euro pagesa gjatë disa viteve. Në total, llogariten 150 milionë euro në vit që humbasin nga Buxheti i Shtetit për shkak të vjedhjes së energjisë, pjesën më të madhe të vjedhjes e shkaktojnë pikërisht këto biznese, të cilave deri më sot nuk u ka munguar edhe mbështetja politike. Në skemën e vjedhjes rezulton se janë përfshirë dhe punonjës së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Gjatë ditës së djeshme është bërë i mundur vetëm arrestimi i dy punonjësve. Por burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se po hetohen një numër i madh nëpunësish të këtij institucioni që kanë abuzuar me detyrën. Janë këta njerëz, që në shumicën e rasteve kanë kryer vet lidhjet e jashtëligjshme, apo kanë mbyllur sytë për shmangien e faturimeve. Për disa prej tyre pritet arresti për vjedhjet që kanë bërë duke bashkëpunuar me bizneset.

Efekti i parë i nismës së qeverisë “Rama” ka nisur të ndjehet. Gjatë ditës së djeshme qytetarët dhe sidomos biznesmenët janë dyndur në sportele për të pagur energjinë elektrike. Kjo është shenja se mesazhet kanë shkuar në veshët e duhur dhe bizneset po nisin të respektojnë ligjet e vendit. Por ky është vetëm fillimi. Ndëshkimet dhe arrestimet nuk do të kenë të ndalur deri në shmangien e të gjitha abuzimeve që kanë të bëjnë me energjinë. Kjo nuk është një fushatë një javore. Gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri zhvilloi një takim me të gjithë drejtorët e policisë në 12 qarqet e vendit. Nga burime të Ministrisë thuhet se të gjithë drejtuesve të policisë u është kërkuar zbatimi i ligjit me rreptësi dhe mostolerimi i asnjë rasti. Në mënyrë të veçantë, drejtuesve të policisë u thënë prerë nga ministri Tahiri që forca e ligjit të bjerë edhe mbi njerëz të lidhur me pushtetin, të afërm të politikanëve, apo edhe vet zyrtarë lokalë dhe qendrorë që kanë biznese apo kanë abuzuar me energjinë elektrike. Madje, në rastet kur ka të dhëna se njerëz të afërt me politikanë vjedhin energjinë, do të jenë ata që do të goditën të parët. Ministri Tahiri ka urdhëruar që të arrestohen të parët pikërisht këta biznesmenë që thonë se jemi të PS. Ministri ka përsëritur se nuk ka biznese të PS apo PD, por të zbatojnë ligjin. Shembujt në ketë drejtim pritet të mos mungojnë dhe do të publikohen gjatë ditëve të fundit. Llogariten se janë rreth 500 mijë lidhje të paligjshme në vend. Një shifër e tillë është shumë e lartë për një vend si Shqipëria dhe arrestimi i tyre do të ishte thuajse i pamundur. Por, nga ana tjetër, marrja e masave duhet të shërbejë dhe si frikë, se kush guxon vjedh energjinë mund të përfundojë dhe në burg.

Burimet e gazetës “KOHA JONË” tregojnë se qindra biznese janë vënë në radhë për të paguar faturat që kishin vite pa paguar. Ndërkohë që qytetarët e thjeshtë paguajnë dhe këto “pizevengë” me makina të shtrenjta e vila luksoze vjedhin energjinë e nuk kanë paguar asnjë lekë, pra kjo nuk është e drejtë, ndaj arrestimet janë pak për këto soj njerëzish. Policia e Shtetit ka bërë një listë për biznesmenët që nuk paguajnë, ose ata që kanë fabrika e punishte dhe paguajnë faturat sikur të kishin konsumuar sa një familje e thjeshtë. Ka informacione të besueshme se disa dhjetëra biznese në Tiranë kanë lidhje elektrike nëntokë dhe të fshehura, nga ku vjedhin energjinë elektrike në mënyrë të përvitshme, duke paguar fatura krejtësisht të vogla, por që po hetohen nga policia dhe specialistë të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për tu arrestuar. Siç ka edhe burime informacioni, se disa pronarë mediash që kanë edhe prona e firma ndërtimi, të cilët nuk paguajnë lekë ose vjedhin energjinë me linja të fshehta po hetohen dhe pritet të arrestohen. Edi Rama ka urdhëruar që të arrestohet çdo biznesmen që vjedh energjinë, pasi nuk kemi se si dalim para njerëzve të thjeshtë që nuk kanë mundësi për të paguar. Ndaj shteti është në kërkim të shkelësve të ligjit kudo e kushdo është.

Priten që qelitë të mos kenë vende për ca muaj nga mbipopullimi. Nëse paguajnë energjinë elektrike, edhe dalin! Por deri mbrëmë kishte mbipopullim në burgje.

SHKARKO APP