Meqë po afron 8 Dhjetori

 

Nga Ilir Levonja

Sa herë që klikoj listën themeltare të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Shoh një emër studenti që i përket miqësisë sime. Një student i shkëlqyer i inxhinierisë nga bregu. Që sot është emigrant në botën e Athinës. Në fakt, janë shumë të tillë. Shumë shtegtarë. Një tjetër e gjeta në Cleveland-in (Klevelend) e ftohtë të shtetit Ohio (Ohajo). Drejton një barbuffe. Folëm për virtytet e vrara të demokracisë. Më dukej sikur kisha përballë edhe atë të Athinës. Në fakt ka shumë e shumë të tillë. Shumë shtegtarë.

Idealet kanë shtegtuar. Kanë shtegtuar idealistët. Dhe domosdo…Kulistët, ngërçistat, dallaverexhinjtë gëzojnë lirinë më brutale. Janë të lumtur në mbretërinë e tyre.
Duket naive…, koiçidenca e treçerekshekullore. Midis aspiratave dhe faktit real të zhvillimit kombëtar. Përballë kësaj shfryme vulgare që dominon sot kuvendin e një populli vital që flet me vete sikur të jetë budallallepsur.
Duket naive…, faktikja e shekullit shtet. Përballë kësaj shfryme më shumë se vulgare. Gati karagjozësh që e kanë marrë peng familjarisht dhe shoqërisht atë vend të copëtuar në shtete me shtetarë arrogantë. Gati prerje të sojit binjak me matrapazin.
Përse debatojnë sot shtetarët shqiptarë? Veç për bëmat e tyre.
Përjashta botës së tyre. Ka vetëm popull të budallallepsur. Ka vetëm shi. Ka mizerje. Ka mjerim. Por sinqerisht, një mjerim që është më fisnik se mjerimi i gojës së çdo politikani që del e flet në atë foltore. Ku mban sytë një komb i tërë.
Në të vërtet duket po kaq naive, ironike, fyese…. edhe thirrja për protesta, pikërisht në 8 dhjetorin e idealeve të vrara. Por kështu ka qenë historikisht tek ne. Idealistët dënoheshin me degdisje. Kurse matrapazët qeverisnin. Kështu po ndodh edhe tani.
Ndaj nuk keni pse habiteni me dekorimet. Nuk keni përse debatoni se kush duhet… dhe kush nuk duhet të dekorohet.
Nga ana tjetër ne do mbesim përjetësisht si:
Të ndarë e plot urrejtje karshi njëri-tjetrit. Fetarë me bumin e boshësisë së tolerancës fetare. Pa drita, pa ujë, pa rrugë. Pa data historike. Pa histori. Pa një burrë a një grua kombi. Pa një mishërim intelektuali. Ironikë dhe vulgarë karshi vetes. Plot çmenduri klasash. Plot revolucione matrapazësh.
Megjithatë më 8 Dhjetor, ditën e idealistëve në shesh. Të protestojmë të largojmë qelbësirat. Nga qelbësirat… se e qelbën atë vend. Më 8 dhjetor dilni në protestë, socialistë, demokratë, republikanë, LSI-sta dhe betohuni për idealet. Mburruni me idealistët që i gjeni emigrantë ose të vrarë. Pjesë e historisë kombëtare.
Në Shqipëri… në 8 Dhjetor. Në protestë. Në ditën e idealistëve.
Atyre të vrarëve dhe të harruarve. Atyre të gjallëve që lajnë pjata, e që punojnë nga 16 orë. Në protestë me ata dhe për ata që tallen me ju.

SHKARKO APP