Merkato, Rusia “bllokadë Turqisë në janar

 

Sporti tenton të qëndrojë gjithnjë larg politikës, po kjo nuk realizohet aq lehtë kur tensionet kalojnë kufijtë. I tillë është edhe rasti më i fundit që vjen nga Rusia.

 “Nëse ndonjë klub mendon të blejë lojtarë nga Turqia në merkaton e janarit nuk do ta ketë mundësi. Skuadrat e kanë marrë mesazhin dhe nuk kam asgjë për të shtuar”. Këto ishin fjalët e ministrit rus të sporteve, Vitaly Mutko, që njëkohësisht është edhe president i Federatës së Futbollit.

Arsyeja lidhet me ngjarjet e javës së kaluar, ku Turqia goditi një avion rus, pas shkeljes së hapësirës ajrore gjatë bombardimeve në Siri. Si kundërlëvizje, Rusia aprovoi të martën një seri sanksionesh ekonomike kundër Turqisë, jashtë të cilave nuk mbeti as futbolli.

Klube si Lokomotiv e Moskës, Krasnodar, Spartaku i Moskës apo Kuban Krasnodar njoftuan se i kanë marrë parasysh sugjerimet e dhëna nga institucionet më të larta.

 Pas deklaratës për bllokimin e lojtarëve turq në merkato, Mutko saktësoi se “të gjithë ata që kanë kontrata aktive me klubet ruse do të vazhdojnë pa probleme punën”.

 Puna do të vazhdojë edhe për dhjetëra kompanitë turke, të angazhuara në ndërtimin e impianteve sportive apo infrastrukturës për Botërorin e vitit 2018 në Rusi.   

Në klimën aspak të qetë, një tjetër lëvizje nga ana e Federatës Ruse të Futbollit ishte ftesa e Mutkos adresuar klubeve të futbollit, që të anulojë prenotimet për grumbullimet dimërore, në kuadër të fazës përgatitore.

SHKARKO APP