Mërkur Bua Shpata, si ndryshoi historinë e Zvicrës me 300 kalorës shqiptarë

Në foton që shihni, është kalorësi shqiptar Mërkur Bua Shpata, pinjoll i familjes princërore Bua.

Nuk ka studim të mirëfilltë për këtë udhëheqës me nam në të gjitha betejat e Evropës së ‘500-ës. Në këtë shkrim, më tepër ilustrues, jemi nisur nga fotoja e përfshirë në enciklopedinë “Shqiptarët në artin botëror” përgatitur nga Ferid Hudhri.

Nga ajo lavdi vetëm kjo pikturë e famshme ka mbetur, e realizuar nga piktori italian Lorenzo Lotto. Titulli i tablosë është “Portreti i një burri fisnik” (Ritratto di gentiluomo) që mban datën 1535, vendosur në galerinë “Borghese” në Romë. Kjo tablo e realizuar me mjeshtëri nga dora e piktorit L. Lotto mendohet se i kushtohet shqiptarit të shquar Mërkur Bua Shpata.

Tërheqjen e fundit flitet se e bëri në qytetin Trevizo, qytet që e shohim në sfond të portretit.

Lotto e jep në këmbë Mërkur Buan, me beretë të zezë dhe dorën e djathtë vendosur mbi një tavolinë, nën të cilën shquhet një kafkë e vogël, e rrethuar me petale trëndafili e jasemini, me pamje fisnike si edhe në veshje. Disa kanë vërejtur unazën në gishtin e vogël (p.sh. shkrimtari Luan Rama, të cilit i referohemi; të dhënave të përshkrimit bashkangjitur dhe foton, në një artikull të tij e lidh me gruan e tij të vdekur), po ashtu dhe unazën në gishtin e martesës së dytë të bërë me një fisnike veneciane. Ndërsa studiuesi i enciklopedisë, Ferid Hudhri, shënon se pamja melankolike e fisnikut të ve, të cilit, sipas përshkrimeve nga historianët, i ka vdekur gruaja gjatë lindjes, është një ndër elementet mbi të cilat mbështeten biografët në përkatësinë e portretit.

Nuk mund të flitet me saktësi se kur historia ka nisur të merret me këtë figurë, por mund të themi se në median e shkruar është folur mjaft pak për Mërkur Bua Shpatën.

Ekziston një artikull në gazetën “Bota sot” (11.12.2012, botim i diasporës, me titull: “Mërkur Bua Shpata, si ndikoi para 500 vjetësh në neutralitetin e Zvicrës”, ku flitet për meritën që pati si udhëheqës në vendosjen si zonë neutraliteti të Zvicrës).

Po ashtu me pemën historike të luftimeve të Mërkur Buas merret dhe studiuesi i njohur Luan Rama (“GSH”, 14.3.2010), dhe një informacion për familjen princërore Bua, simbolet dhe heraldikën e tyre e gjejmë në faqen informative “Wikipedia”.

Këtyre tri burimeve u jemi referuar për të hedhur një vështrim mbi portretin e panjohur të Mërkur Buas, referuar së fundi edhe publikimit të pikturës në enciklopedinë e parë të arteve pamore shqiptare.

Në gazetën “Bota sot”, referenca është studiuesi Astrit Leka (aktivist ne diasporë) në rastin e vendosjes së bustit të Skënderbeut në Gjenevë, duke çuar në një punë kërkuese për historinë e Zvicrës. Në këto hulumtime që boton në numrin e saj gazeta e diasporës e vendosur në Zvicër ndesh emrin e Mërkur Bua Shpatës,stërnip i Gjin Bua Shpatës, duke zbuluar rolin që kishte luajtur në historinë e Zvicrës.

Pyetja e parë për t’u shenjuar nga këto njohuri është cilësia e këtij personaliteti, cili është konti i Akuinos dhe Rokasekas, që përfshin perandorinë romane dhe gjermanike.

Pasardhës i familjes princërore, Mërkur Bua thuhet se është me prejardhje nga bregdeti i Shqipërisë së sotme, e vendosur në Peloponez. Të parët e tij kishin qenë despotë të Angelokastrës dhe të Artës, si edhe baronë të Despotatit të Moresë.

Citojmë nga Bota Sot:

Flamuri i kontit Mërkur Bua Shpata i njohur nga perandori i shenjtë roman Maksimalian (1510). Petro Bua mërgoi në Gadishullin Apenin. Aty Mërkuri u shqua si luftëtar dhe prijës trim i mercenarëve shqiptarë e ballkanas”.
Në këtë periudhë të historisë evropiane studiuesit nxjerrin në pah se Mërkur Buaishte njohur si një nga komandantët ushtarakë më trima të Evropës, që i takojnë fundshekullit të XV. Mërkur Bua luftoi në ushtrinë e perandorit gjerman, Maksimiliani I, që prej vitit 1490, si komandant i përgjithshëm i kalorësisë së lehtë.

Mërkur Buas i njihet titulli kont në vitin 1510. Në pemën gjenealogjike të familjes koha e vdekjes së tij jepet midis vitit 1527 -1560. Mbajtja e titullit kont shoqërohet dhe me njohjen e simboleve heraldike, ku titulli jepet dhe bëhet i dallueshëm në trajtën e kurorës përkatëse të kokës (kurorë konti), që paraqitet edhe në stemë, si dhe njohja e paraqitja e origjinës fisnike familjare, e cila pasqyrohet në shqytin e tij. Deri më sot nuk kemi paraqitje artistike të stemës së kohës së Mërkur Buas e cila vjen e ndryshme në kohë të ndryshme. Ai u njoh si aleat i Luigjit XII të Francës duke mundur spanjollët.

Pas fitores venedikase të vitit 1513, Merkur Bua pranoi t’u shërbente venedikasve dhe u propozoi të tërheqë me vete dhe shqiptarët që i kishin mbetur besnikë perandorit, veçon studiuesi Luan Rama, në artikullin “Dominus” Merkur Bua, Historia e një pasardhësi të denjë të Gjin Bua Shpatës” (citim nga “GSH”. 14.3.2010). Në artikujt e paktë për këtë figurë thuhet se shumë kronikanë kanë shkruar për luftën e tij, në çdo vend të Evropës.

Mërkur Bua i shndërruar në “një sinonim betejash” arriti të krijojë “figurën e tij legjendare”.

Në vitet ‘500 ai ishte bërë tashmë mjaft i njohur sipas studiuesve në luftërat e Italisë.

Duke iu referuar hulumtimit të bërë, thuhet se në vitin 1515 pranë Milanos është zhvilluar beteja e madhe e Marinjanit, duke hyrë në histori si “beteja e gjigantëve”, pasi merrnin pjesë ushtritë më të rëndësishme të Evropës.

“Nga Franca erdhi Françesku i Parë, ushtritë e Papës, ushtria e Venedikut, ushtria zvicerane, kundërshtare e tyre dhe ushtria e Maksimilianit, perandorit gjermanik.

Në betejën e Marinjanit me 13 shtator herë dukej se fitonte njëra palë, herë pala tjetër. Madje edhe vetë mbreti Françesk u plagos. Të nesërmen, aty, kah mesdita, zviceranët sulmuan dhe po mundshin francezët. Atëherë mbreti i Francës kërkoi ndërhyrjen e 40 000 ushtarëve të Venedikut.

Këmbësoria e rëndë e Venedikut në kohën kur francezët po mundeshin, ishte e vendosur në Lodi, katër orë larg në këmbë nga fusha e betejës. Pra kur të vinte ajo në ndihmë, zviceranët do ta kishin fituar betejën” (Bota sot, “Mërkur Bua Shpata, si ndikoi para 500 vjetësh në neutralitetin e Zvicrës”, 11.12.2012)

Sipas këtij artikulli Mërkur Bua Shpata, drejtuesi i kalorësisë shqiptare në shërbim të Venedikut, arriti të tronditë udhëheqjen ushtarake të 40 mijë ushtarëve zvicerane, duke u gjendur në krah të Francës. Kjo është beteja e famshme, për të cilën zviceranët sipas artikullit të “Bota sot”, patën kujtuar se kishin të bënin me një mijë kalorës, duke marrë vendimin e tërheqjes dhe pranimin e humbjes.

Në të vërtetë aty kishin hyrë vetëm 300 kalorës shqiptarë. Mërkur Bua ndonëse i plagosur arriti të kapë 6 flamuj dhe katër topa të ushtrisë zvicerane. Beteja u fitua nga ai.”
Historianët thonë që u mund ushtria zvicerane që për 1500 vjet, që nga koha eJul Cezarit nuk kishte njohur dështime. Vetëm një vonesë e vogël e Mërkur Bua Shpatës do t’u jepte fitoren zviceranëve.

“Mërkur Bua Shpata, si ndikoi para 500 vjetësh në neutralitetin e Zvicrës”, 11.12.2012″

Është shkruar se në mbrëmjen e asaj dite të fitores, mbreti Françesku i parë i Francës, kur po festonin fitoren, e paraqiti Mërkur Bua Shpatën e plagosur si shpëtimtarin e jetë së tij. Historianët këtë fitore ja kanë atribuuar Françeskut të parë, mbretit të Francës. Por një mbret 21 vjeçar që bënte pagëzimin e luftës për herë në atë ditë nuk mund të qe strategu i fitores se betejës së gjigantëve. Kjo provohet edhe nga fakti që dhjetë vjet më vonë, në betejën e Pavias, mbreti Françesku i Parë, aleatin Mërkur Bua Shpata e kish kundërshtar. Ai u mund, ra rob lufte dhe po të mos të kishte qenë autoriteti i Mërkur Bua Shpatës edhe do ishte vrarë nga mercenarët katalanas. Mërkur Bua Shpata ua mori mbretin Françesk katalanasave dhe i bëri këtij nderimet si mbret, si aleat e vartës i dikurshëm, të zgjidhte suitën dhe të kishte trajtim mbretëror.”
Duke cituar po të njëjtin burim të informacionit, thuhet se dy muaj më pas, zviceranët u mblodhën dhe vendosën që të mos dalin kurrë jashtë kufijve të vet, si pushtues. Është momenti kur ata shpallën neutralitetin.

Vitet e fundit të jetës, Mërkur Bua Shpata i ka kaluar në Trevizo, duke u tërhequr deri në vdekjen e tij, trupi i të cilit u varros në kishën e Santa Maria Maggiore.

Përgatiti: V. Murati

SHKARKO APP