Mes kokëfortësisë dhe zgjuarsisë
Nga Besjan Pesha
Çmimi i naftës është bërë objekt bisede për shumicën e shqiptarëve në këto ditë të para të 2015. Nëse Facebook do e përsëriste veprimin e para një muaji, kur ua dedikoi shqiptarëve një prej avatarëve të tij që shprehte emocione pozitive, me siguri sot ky avatar do të asociohej me emocione negative pikërisht për shkak të çmimit të naftës.
Feeling shqiptar = të ndihesh i pafat, i keqmenaxhuar, i tradhtuar.
Ndërsa të gjithë konsumatorët në botë janë duke shijuar benefitet e një çmimi nafte të ulur deri edhe në 50%, shqiptarët kanë vjelë veç një 10% ulje në raport me 1 vit më parë.
Ja si është situata në rajon e konvertuar në lekë për litër:
Mali i Zi – 140 lekë
Serbi – 135 lekë
Bosnje dhe Hercegovinë – 135 lekë
Kosovë – 130 lekë
Maqedoni – 125 lekë
Shqipëri – 170 lekë
Komentet që has në rrjetet sociale janë të thjeshta. Të gjithë hamendësojnë se shtetarët tanë janë të korruptuar dhe nafta është monopol. Ndaj njerëzit e thjeshtë mendojnë se për këtë arsye pushteti ka rënë dakord me monopolin që të mos ulin cmimin dhe të ndajnë fitimet. E kanë të drejtë. Shtetarët tanë janë të korruptuar dhe nafta është në një situatë pothuajse monopol. Edhe raporti mes tyre jo se nuk ka ndodhur ndonjëherë dhe nuk po ndodh, por situata në fakt është pak më e komplikuar.
Nëse i hedhim një sy sistemit të taksimit të naftës në Shqipëri dhe marrim për analogji edhe dy vende fqinje, Serbinë dhe Maqedoninë, do të vëmë re një disnivel të lartë shifrash. Ndërkohë që Serbia dhe Maqedonia e taksojnë në total naftën në rreth 45 lekë për litër, qeveria shqiptare merr plot 95 lekë taksë nga ky produkt. Kjo bën që pavarësisht uljes së çmimit në tregjet ndërkombëtare, çmimi ynë të mos lëvizë nga istikami edhe nëse dëshiron grosisti monopolist, për shkak se taksa nuk është subjekt i bursës. Taksa është fikse dhe si e tillë nuk do t’ia dijë shumë për luhatjet e bursës.
E thënë ndryshe, edhe nëse pronarët e kuazi-monopolit e vënë ujin në zjarr për të ulur çmimin, qeveria është totalisht e pandjeshme ndaj çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe si rrjedhojë, konsumatorët shqiptarë nuk do të përfitojnë çmime të lira. Kokëfortësia e qeverisë në këtë rast u kushton shqiptarëve para. Shumë para. Një shqiptari që e mbush 2 herë në muaj serbatorin e makinës së tij dhe shpenzon diku te 130 litra naftë në muaj, kjo kokëfortësi i kushton rreth 5000 lekë të reja.
Por jo vetëm konsumatori vuan. Ulja e çmimit të naftës krijon një efekt negativ pikësëpari për industritë që merren me nxjerrjen dhe përpunimin e saj dhe në këtë rast, Shqipëria si një vend naftëmbajtës, me një nga vendburimet më të mëdha në kontinent, atë të Patos-Marinzës, humbet goxha nga ulja e çmimit. Duke qenë se nuk është më e leverdishme të prodhosh e të shesësh naftë bruto në këto nivele të çmimit, kompani si Bankers, Petromanas, Shell etj., do të detyrohen të fikin motorët e investimeve. Nga ana tjetër, niveli i eksporteve të naftës bruto po ashtu do të shkojë drejt rënies drastike.
Por kjo histori ka edhe një anë tjetër medaljeje dhe ajo është çka fiton ekonomia nëpërmjet rritjes së mobilitetit të konsumatorit, si rrjedhojë e uljes së çmimit. Çmimi i ulët i naftës stimulon lëvizjen dhe qarkullimin, për rrjedhojë qytetarët, bizneset, shërbimet etj., lëvizin më shumë, kryejnë më shumë punë, prodhojnë më shumë e si rrjedhojë ekonomia në tërësi rritet më shumë. Kjo shërben si amortizator i humbjeve në rastin më të keq, por shpeshherë ka shërbyer edhe si katalizator i zhvillimit ekonomik. Kokëfortësia e qeverisë sonë eliminon këtë mundësi, duke na futur në një rrugë loose-loose (humb-humb).
A ka zgjidhje kjo situatë?
Nisma “Thurje” ka propozuar një plan, i cili kërkon vetëm vullnetin e Këshillit të Ministrave për t’u zbatuar. Plani konsiston në 3 pika:
- Unifikimin e Akcizës, Taksës së Karbonit dhe Taksës së Qarkullimit në një taksë të vetme për naftën. Do e quaja Taksa e Naftës.
- Norma e Taksës së Naftës të jetë jo-fikse, por në varësi të çmimit.
- Norma e Taksës së Naftës të jetë jo më e lartë se 50% e çmimit të blerjes.
Në këtë mënyrë, çmimi do të ulej në mënyrë drastike dhe do të mund të shkonte në nivelet e fqinjëve. Kjo politikë do t’i shërbente rritjes ekonomike dhe do të amortizonte humbjet që Shqipëria do pësojë si rrjedhojë e uljes së detyrueshme të eksporteve dhe investimeve në sektorin e naftës bruto. Paratë që qeveria mendon se do të humbasë nga ulja e taksës, do t’i fitojë nga rritja e mobilitetit.
Lënda bazë e ekonomisë është energjia. Pa energji nuk funksionon asgjë. Dy janë burimet kryesore të saj, energjia elektrike dhe nafta. Qeveria vendosi ta rrisë çmimin e energjisë elektrike për bizneset duke i qëndruar kokëforte vendimit të saj fillestar, nëse e mban të lartë e me kokëfortësi edhe çmimin e naftës, dita kur ekonomia jonë do fiket, nuk do të jetë e largët. Mes kokëfortësisë dhe zgjuarsisë në ekonomi, unë do të zgjidhja këtë të fundit.
"MAPO"