Mësimdhënësit e papërgjegjshëm
Nga Ramadan Bozhlani
Shtatori entuziazmon mijëra nxënës, studentë, arsimtarë dhe profesor e po ashtu i gjallëron objektet arsimore. Fillimin e këtij muaji e vërshojnë urimet dashamirëse nga të gjitha nivelet. Do ju bashkohem këtij krye urimi për formimin dinjitoz të gjeneratës mbi supet e të cilës do peshon e ardhmja shqiptare, por, do mundohem të zbres edhe në ndjesinë e këtij raporti më të rëndësishëm njerëzor nxënës-mësimdhënës. Përpjekjet do konsideroheshin fisnike kur këtë marrëdhënie të shenjët do mundohemi ta zhveshim nga të metat. Qasjen time ndaj shkrimeve e justifikon kjo shprehje e shkrimtarit dhe kritikut letrar Francesco De Sanctis: "Dashuria e rrejshme ndaj atdheut na nxit të mendojmë se është mirë t'i fshehim të metat e kombit tonë, e kjo është një anë qesharake e njerëzve të dobët". Sikur të veprohej sipas kësaj thënie të Niçes, të arriturat në shkencë do të ishin të mahnitshme: "Profesori duhet të jetë i lumtur vetëm kur e tejkalon studenti i tij."
Për nxënësit dhe studentët është shumë i rëndësishëm dhe emocionues takimi i parë me mësuesit dhe profesorët e tyre. Një numër i vogël i mësimdhënësve shqiptarë që në fillim me një fjalor joshës, dashamirës dhe inkurajues kanë ditur t'i hapin portat drejtë horizonteve të diturisë duke u shndërruar kështu në personazhe frymëzuese për dëgjuesit. Një numër i madh i mësimdhënësve shqiptarë kësaj ore të parë ju kanë qasur me autoritet duke e paraqitur rrugën e diturisë me shumë peripeci, sfida dhe sakrifica. Në këtë mënyrë tek nxënësit kanë ngjallur frikë ndërsa disa studentë i kanë shty t'i thonë lamtumirë fakultetit. Fatkeqësisht kam pasur rastin të takoj studentë të tillë dhe që nuk kanë qenë nxënës të dobët. Orët e para disa herë edhe i kanë dhunuar. Po e bëjë pjesë të këtij shkrimi një kujtim të hidhur të jetës sime për të pasqyruar vulgaritetin e arsimtarëve. Ishte ora e parë e klasës së pestë ku ne ishim në pritje të njoftoheshim me kujdestarin Ferit, ai posa hyri na gjeti jashtë bankave dhe na skuqi pamëshirshëm faqet e gjysmës së nxënësve.
Më kujtohet edhe mësuesi im hijerëndë Shefqeti, kur na detyronte t'i rregullonim shkopinjët e trashë të cilët i thyente në duart tona, ndërsa ne ishim nën moshën dhjetë vjeçare. Kam parë edhe nxënës të gjakosur nga duart e arsimtarëve. Dhuna patë ndikim ngulfatës ndaj diturisë dhe na mbjelli traumat thellë në qenien tonë. Lotët e nxënësve më kanë prekur aq shumë sa që fillova t'i shoh si armiq të fëmijëve arsimtarët. Me kalimin e kohës, e kuptova se mësimdhënësit me gjithë qenien e tyre janë duke bërë sakrifica mbinjerëzore për ta mbajtur gjallë frymën e arsimit pa paga dhe nën torturat e policëve serb. Mësimdhënësit e para luftës nga titujt e heronjve i privon vetëm dhuna që kanë përdorur ndaj nxënësve. Për hir të punës heroike çdo gjë ju falet, por nuk mund të harrohet. Ndërsa mësimdhënësve të pas luftës asgjë nuk ju falet. Çuditërisht rrahja në forma mizore gjeti prehje edhe mbas luftës nga mësimdhësit. As ligji nuk arrit t'i ndaloj nga përdorimi i dhunës, madje këta të parët e shkelën me të dy këmbët ligjin. Kur isha në gjimnaz hyri një profesor në klasë dhe e nxori shoqen e klasës sime përmes flokëve, vetëm pse kishte dalë në korridor dhe na shokoj të gjithëve Sabiti. Në vitin 2006, kur shkova në mbledhjen e prindërve për motrën time kujdestari i saj Selimi na u drejtua: a jeni të pajtimit që t'i rrah nxësit se nuk po mësojnë?! Të gjithë ishin të moshës së shtyrë dhe u pajtuan për çudi! Prita që të flas i fundit dhe fillova kështu: Si ka mundësi të bëhet një propozim kaq i turpshëm nga një profesor?! Vetëm kur mungon fuqia e fjalës ajo zëvendësohet me grushte…. Mbasi mbarova profesori ngeli i shtangur ndërsa në fytyrat e prindërve kishte një pendesë që kishin ra dakord me propozimin e turpshëm të profesorit. Në suaza të kësaj psikoze më së shumti jam revoltuar kur me humor e pata pyetur një moshtar timin që ishte bërë arsimtar, mos vallë i rrihni nxënësit? Ai u përgjigj me krenari se nganjëherë po. Mbi të u shfryva me aq mllefosje sa që u ngrit nga tryeza me pretekst qesharak: paskam harruar se e kam një takim. Fatkeqësisht edhe brezi i ri i mësimdhënësve ishte infektuar nga të vjetrit, pasojat ishin dramatike.
Për gjatë shkollës së mesme i vreja shikimet e profesorëve ngultasi mbi sytë e vajzave nën moshën tetëmbëdhjet vjeçare. Më ka rastisur të dëgjoja kur kaloja afër profesorëve përshkrime erotike për nxënëset. Pastaj u fliste për lidhje dashurie mes profesorëve dhe nxënëseve me fakte. Disa prej këtyre lidhjeve u kurorëzonin me martesa e disa të tjerat mbetshin si aventura. Këto lidhje dashuri, fejese dhe martesore u gjykonin normale, për të mos thënë në modë. Kjo gjendje e hidhur më ka acaruar tmerrësisht shumë. Marrëzia e pata arritur kulmin kur u shpallnin martesat mes arsimtarëve dhe nxënëseve të shkollave fillore. Një arsimtar që e mbante veten të mbushur me moral dhe respektues të rregullave hyjnore u shfaq për krahësh me nxënësen e tij të shkollës fillore. Sot këto lidhje dashurie dhe martesa skandaloze janë fatkeqësisht pjesë e realitetit shqiptarë dhe për çudi ne që jemi thirrur në mbrojtje të moralit po ecim me kokë ulur si qyqarë. Politizimi ua rrëmbej identitetin shumë shqiptarëve dhe para se të reagojnë ndaj dukurive të shëmtuara ata u shndërruan në shurdha-memec të gjorë. Disa prind kur reagonin në formë pakënaqësi ndaj kësaj dukurie negative, pushteti lokal këta mësimdhënës i transferonte në një shkollë tjetër meqenëse ishin anëtarë të partisë.
Në këto suaza mësimdhënësit dhunshëm kanë shkelur dhe vazhdojnë të shkelin mbi kodin penal, traditën shqiptare, moralin dhe etikën njerëzore sa që dënimi ideal do të ishte marrja e të drejtës për ta ushtruar këtë profesion dhe për t'i mbyllur prapa grilave të burgut. Ne kërkojmë të futemi në Evropë me mësimdhënës që martohen me të mitura, ku kjo martesë edhe njerëzve të rëndomtë do t'ju kushtonte me shumë vjet heqje lirie.
Skandalet e pedagogëve universitar i finalizoi rasti i fundit i profesorit të fakultetit juridik në Prizren, që kërkonte marrëdhënie seksuale në emër të notave. Fatkeqësisht nëpër shumë indekse të studenteve shqiptare është vënë nota në emër të marrdhënieve seksuale. Niveli më i lartë intelektual t'i detyron të bëhen pjesë e mëkatit skandaloz studentet e vuajtura, është një krim me dozë të lartë të tragjedisë. Ato kishin dy rrugë para këti propozim çnjerzor, të shkonin pa dëshirë në shtrat me moshatarë e etërve të tyre, ose ta përsëritnin vitin deri në tërheqje për shkak asaj note.
Nga mësimdhënsit pervers tek mësimdhësit mediokër dhe të papërgjegjshëm.
Përgjegjësve politik asnjëherë nuk do t'ja fal historia shqiptare madje do të tërheq edhe mallkimin e brezave të ardhshëm për kryemekatin: individët e pa formuar denjësisht i emëruan mësimdhënës. Përmes intervenimeve politike arritën të bëhen mësimdhënës pa përfillur kritere, duke ia zënë vendet atyre që kishin merita, ku në këtë mënyrë ia cenuan dinjitetin sistemit arsimor dhe vazhdojnë fatkeqësisht. Ata dallohen në sjellje, në të shprehur, në kulturë, në edukatë, në zbërthim të leksioneve dhe në çdo gjë tjetër që nuk përkon me natyrën e zgjuar të këtij profesioni më të rëndësishëm njerëzor. Këta disa herë i fillojnë mësimet duke i komentuar serialet televizive ose duke folur për pasionet e tyre. Ata shpesh tentojnë t'ja ngjallin militantzmin nxënësve për partin të cilës i shërbejnë. Ata gjatë periudhës së zgjedhjeve dalin nga orët e mësimit për t'ju bashkangjitur fushatave elektorale. Prej tyre ka që janë kundër figurës më të rëndësishme kombëtare Skënderbeut dhe sa herë ju qëllon të shpjegojnë për të, flasin kundër tij dhe pro pushtimit të osmalinjëve. Orët me ta janë monotone dhe të zymta, sepse, nuk paraqesin kurrfarë motivimi për dituri. Ata i mbushin tabelat ose ju diktojnë përmes fletoreve që i mbajnë në duar. Ata madje shpërblehen përmes çmimeve e nganjëherë avancohen edhe në postin e drejtorit.
Pasojat që janë duke i shkaktuar kanë përmasa tragjike dhe do të lënë gjurmë ndër breza. Mësimdhënësve të devotshëm dhe të dinjitetshëm ju përkulem para vuajtjeve dhe punës madhështore që kanë bërë për qenien tonë kombëtare.