Mësojeni bukur shqipen…Jo si ne prindërit
Nga Aurel Plasari
Vini re sot në një grumbull – jo të vogël – urimesh prindërore për nxënësit, për fëmijët që fillojnë vitin e ri shkollor, se si shkruhet shqipja “e flamosur”: “I uroj nxënësve…”, “Të gjithë fëmijëve të klasës së parë i uroj…”, “I uroj vit të mbarë të gjithë nxënësve…”. Etj.
Këta që shkruajnë kështu nuk dinë dallimin midis “i”-së dhe “u”-së si trajta të shkurtra të përemrit vetor në vetë të tretë njëjës dhe shumës (ai ose ajo, ata) të vendosur në rasën dhanore (atij ose asaj, atyre). Qysh në vitet e para të nxënies së shkrimit të gjuhës shqipe mësohet prova praktike duke bërë pyetjet: Kujt? Atij i… (në njëjës) dhe: Kujt? Atyre u… (në shumës). Dhe shkruhet: Atij i uroj…, ndërsa atyre u uroj. Atij i dëshiroj…, ndërsa atyre u dëshiroj.
Hollësi si kjo – duken të parëndësishme? – janë elemente të SISTEMIT të gjuhës shqipe, dhe SISTEMI është ai që e bën shqipen gjuhë më vete, gjuhë unike, dhe jo LEKSIKU, që është si yçi i lakrorit të cilin mund ta ndryshosh duke i hequr, duke i shtuar, duke e pasuruar me të huazuar a duke e varfëruar me të “purifikuar”. Me elemente të SISTEMIT të një gjuhe nuk bën të sillesh kështu.
Që gazetarë sa të duash mund të mos e dinë përdorimin e dalluar të këtyre dy trajtave të shkurtra – mes njëjësit “i” dhe shumësit “u” – nuk përbën problem: ata të nxisin të mos ua (dhe jo “ia”) lexosh shkrimet. Por prindër që urojnë fëmijët e tyre me këtë përdorim të gabuar të gjuhës shqipe do të duhej ta ndryshonin urimin pak a shumë kështu: “Mësojeni ta shkruani bukur shqipen, jo kështu si e shkruajmë ne, prindërit!”