Mësuesja që ndërroi jetë si artiste e profesionit
Nga Hyqmet Zane
Buzëqeshja ka qenë modeli i një mësueseje që rrezatonte mirësi dhe shpresë tek nxënësit e saj. Këto fjalë mund të jenë epitafi për Dhurata Krypën (Jahja), edukatoren dhe mësuesen që ndërroi jetë këto ditë në Elbasan. E them kështu se e tillë ishte ajo, ashtu e njohën fëmijët e kopshtit e deri nxënësit e shkollave ku ajo punoi me përkushtimin e një profesioni që e dashuronte shumë mes të tjerëve. Nga Cërriku, ku shërbeu si edukatore dhe drejtoreshë e kopshtit, e deri në Elbasan si drejtoreshë e jetimores dhe më pas në shkollën “Ptoleme Xhuvani”, si mësuese e historisë dhe gjeografisë, nuk ka fëmijë apo nxënës që nuk mban në mendje kujtimin e një mësueseje artiste, që punën e profesionit të saj e ktheu në art, në artin e dashurisë për të ardhmen e jetës së atyre që do të ishin objekti dhe subjekti i punës së saj mbi 40 vjeçare.
Kam qenë fëmijë në atë kohë kur drejtoresha e kopshtit në Cërrik, Dhurata Krypa (Jahja) ishte vezulluese në veshjen e saj me shumë etikë dhe bukuri, por më shumë më ka mbetur në mendje buzwqeshja, përkëdhelja, fjala e ëmbël dhe kujdesi për të mos munguar asgjë për fëmijët e saj, siç i quante ajo. Kjo grua, që vërtet ishte dhuratë si nënë e tre vajzave të mrekullueshme dhe e bashkëshortit të saj Eqerem Krypës, mësuesit të dashur që u bënë modeli i mësuesisë në Cwrrik. Ishte ky modeli, si shumë e shumë mësuesve të tjerë elbasanas që familjarisht iu përkushtuan profesionit fisnik si një fitore e jashëzakonshme e fëmijëve dhe nxënësve të qytetit të ri të asaj kohe. Me shumë të drejtë, mund të thuhet se mësuesia elbasanase ishte triumfi i kohës jo vetëm për një qytet që kishte aq shumë nevojë për mësimin dhe që nga duart e këtyre mjeshtërve të fjalës dolën intelektualë dhe profesorë, shkencëtarë dhe akademikë, deputetë, pushtetarë dhe politikanë që kanë dhënë shumë në çdo kohë në këtë vend, por kudo ku kanë shërbyer në trojet shqiptare brenda e jashtë kufirit shtetëror. Çfarë nuk dinte të bënte kjo mësuese që u kthye në një shoqe e mirë e të gjithëve që e njihni. Atë do ta shikojë si protagoniste në skenën e teatrit dhe estradës së qytetit të Cwrrikut, do e shihje si udhëheqëse e seminareve të kopshteve me drejtues nga ministria e Arsimit, do ta shikoje në aktivitete ceremoniale si në Cwrrik e në Elbasan që i organizonte me një performancë brilante. Do ta shihje kudo ku kishte vend për mendje të hollë dhe punë të stisur bukur e me kuptim, ku në çdo fjalë dhe detaj të punë së saj kishte mesazh mësimdhënës dhe edukimi. Ndoshta do ta teproj nëse them se edhe sot nuk mund të gjendet një model i tillë mësueseje dhe edukatoreje, që do të jetë një shembull i përkryer/ si dëshmitar okularë i dëgjoja bisedat e saj, të gjithë qenien e saj ia dedikonte babait, të mirënjohurit mësues i merituar Adem Jahja, që si një normalist i shkëlqyer, ishte i dashuruari i nxënësve të tij që shpreh edhe përmes vargjeve “40 vjet me ju kalova / thuaj gjithë jetën me gëzim / me afsh t’ze,rës ju mësova / sa kjo punë mu ba dëfrim”. Nuk kishte sesi të bëhej ndryshe, nga një baba dhe familje e përkushtuar do të dalin gjithë fëmijë të përkushtuar të profesionit kudo që të jenë.
Në Elbasan, Dhurata Krypa (Jahja) do të mbahet mend për ritualin e saj me shpirt kombëtar që tregonte në çdo festë të Pavarësisë së Elbasanit dhe të Shqipërisë, se do të ishte kjo grua pensioniste që me mbesën e saj Alma do të përgatiste ato fiongot kuq e zi që do ti vendosej çdo pjesëmarërsi në gjiks si shenjë e dashurisë për atdheun. Por edhe kudo ku ajo do të shkonte, në Boston të SHBA dhe në Bruksel ku jetojnë vajzat e saj, Dhurata do të ishte një simbol i përfaqësimit të shqitpares së devotshme që krijonte atmosferë dhe sillte mirësinë e shpirtit të saj artist, e pakrahasueshme dhe e paarritshme nga mësueset e reja sot. Ajo nuk jeton më, por në kujtesën e brezave të fëmijëve dhe nxënësve të saj jeton kujtimi i edukatores dhe mësueses që dha shpirtin për të krijuar botën e diturisë së pakufi, si një model i mësuesisë së një qyteti që ka në genin e tij këtë zanat që shkëlqeu në vite dhe që mbetet ende për tu arritur nga edukatoret dhe mësueset e sotëm e të ardhshëm. E gjithë kjo se në brendinë e zemrës së Dhurata Krypës ishte dashuria për profesionin dhe përkushtimi për mësuesinë.