Meta: Kuvendi, jo noter i projekteve të qeverisë
Por fakti është që Parlamenti funksionon dhe bashkëvepron me qeverinë në një mënyrë mjaft aktive”. Me një frazë të tillë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i është përgjigjur dje interesimit të mediave lidhur me debatet që janë krijuar shpesh nga deputetë të forcës politike që ai drejton në komisionet parlamentare, lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm. Duke lënë të kuptohet në këtë mënyrë, bashkëpunimin me ekzekutivin, por në të njëjtën kohë edhe funksionimin e legjislativit si i tillë. Sakaq, idenë e bashkëpunimit me qeverinë, meta e ka theksuar edhe gjatë qëndrimit të tij publik lidhur me reformën e qeverisë
për çmimin e energjisë elektrike.“Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha reformat në sektorin energjetik, të cilat e kthejnë këtë sektor nga një pengesë e madhe dhe nga një kosto e jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për koston e jetesës së qytetarëve në një faktor pozitiv brenda një kohe të shkurtër, pra brenda 2-3 viteve dhe duke mbështetur këto reforma strukturore, njëkohësisht do të jemi të vëmendshëm që duke goditur abuzimin dhe fenomenin e shpërdorimit dhe të vjedhjes së energjisë që është një problem madhor, të merren të gjitha masat për të mbrojtur shtresat më në nevojë të shoqërisë”, theksoi Meta. Për të vijuar gjithashtu mbështetjen ndaj qeverisë, edhe lidhur me faktin e hapjes së dosjeve. Vetëm se, sipas tij, duhen shmangur rastet kur mund të cenohet siguria kombëtare. “Unë jam dakord për një hapje, për transparencë pa asnjë diskutim, duke mos cënuar parimet kushtetuese, të cilat janë shumë të rëndësishme, pasi i dimë problemet që kanë ndodhur në të kaluarën me ligjin lustracionin. Çdo hapje do të ishte pozitive për t’i shërbyer transparencës në raport me opinionit publik, për të gjithë ato raste kur nuk cënohet siguria kombëtare”, ka thënë euroeparlamentari. Deklaratë kjo që vjen pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Për të përfunduar më tej me qëndrimin mbi reformën në drejtësi, e cila sipas tij, do të shkojë përpara me vështirësitë e saj, sepse nuk është një reformë e thjeshtë. “Ka shumë dimensione dhe është një reformë komplekse dhe për këtë absolutisht asnjëherë nuk do të mungojë vullneti ynë për të bashkëpunuar me të gjithë institucionet e tjera dhe padyshim edhe me Presidentin e Republikës”, përfundoi Meta.