Meta: Nuk do të ketë zona të ndara midis PS-LSI
Kryetari i Kuvendit dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta ka komentuar dje çështjen e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet vendore brenda koalicionit. Në një prononcim për mediat, Meta ju përgjigj interesit të gazetarëve, duke u shprehur se nuk do të ketë ndarjes zonash por kandidatë të përbashkët. Ai tha se “javën e ardhshme do të kemi mundësinë të shkëmbejmë mendime për ndërtimin e këtij procesi që unë përmenda më parë, i cili në çdo rast do të jetë një proces mjaft parimor dhe konstruktiv dhe do të synojë cilësinë e kandidatëve dhe jo thjesht kënaqjen e orekseve të njërës apo tjetrës parti, të njërit apo tjetrit kandidat”. Lidhur me akuzat e kreut të PD-së për mos ngritjen e komisionit të dekriminalizimti të Kuvendit, Meta tha se “nga ana e Kuvendit dhe administratës gjithçka ka qenë korrekte dhe patjetër besoj se ditën e nesërme Kuvendi do të shprehet duke miratuar vendimin dhe përbërjen e anëtarëve të këtij komisioni, pasi ato vetëm së fundmi janë dorëzuar nga grupet përfaqësuese”. Meta ju përgjigj interesit të mediave dhe për kandidaturën e Visar Zhitit për ambasador në Vatikan.
Z. Meta, viti 2015 është një vit elektoral me zgjedhje lokale në prag pas pak muajsh. Kur do të nxjerrë mazhoranca kandidaturën për Bashkinë e Tiranës meqenëse është më e madhja në vend dhe e dyta a ka një marrëveshje mes PS dhe LSI-së për zonat se si do të ndahet, a ka zona të lira dhe ku do të jenë ato?
Nuk besoj se do të ketë zona të ndara midis PS-së, LSI-së dhe aleatëve të tjerë, por do të ketë një marrëveshje për të bashkuar përgjegjësitë, me qëllim përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë pavarësisht siglave, që ata mund të përfaqësojnë, sepse këto nuk janë zgjedhje politike sipas vlerësimit tim. Këto gjanë zgjedhje lokale, zgjedhje vendore dhe është detyra jonë të ndërtojmë një proces, i cili zgjedh administratorët më të mirë për qytetarët kudo. Pra ky do të jetë prioriteti, një konsensus sa më i gjerë për kandidatët më përfaqësues të komuniteteve, jo thjesht një ndarje politike, pasi nuk kemi të bëjmë me zgjedhje politike sipas vlerësimit tim.
Dhe kur mendoni se do të jetë emri për kandidatin e Tiranës sepse kështu siç po e lini të kuptohet po bëhet fjalë për kandidatura që nuk vijnë mirëfilli nga partitë politike, të paktën nga pjesa e koalicionit tuaj. Do të ketë shoqëri civile, njerëz të cilët përfaqësojnë grupe të tjera interesi nga pikëpamja politike për mazhorancën tuaj?
Besoj se ndoshta javën e ardhshme do të kemi mundësinë të shkëmbejmë mendime për ndërtimin e këtij procesi që unë përmenda më parë, i cili në çdo rast do të jetë një proces mjaft parimor dhe konstruktiv dhe do të synojë cilësinë e kandidatëve dhe jo thjesht kënaqjen e orekseve të njërës apo tjetrës parti, të njërit apo tjetrit kandidat.
Z. Berisha është shprehur pro kandidaturës së z. Basha për Bashkinë e Tiranës. A ndihet e sfiduar mazhoranca kundrejt kësaj kandidature?
Mendoj se z. Berisha me shumë të drejtë e ka shpallur z. Basha si kandidatin për zgjedhjet e ardhshme të Bashkisë së Tiranës dhe mendoj se ka plotësisht të drejtë, pasi u bënë dhjetë vjet që z. Berisha punon për të ardhmen e z. Basha. Kështu le ta bëjë betejën z. Basha për të ardhmen e z. Berisha. Nuk kemi asnjë vërejtje. Megjithatë kjo është një çështje që i takon Partisë Demokratike.
A ka një ngërç mes PS-së dhe LSI-së. Marr shkas nga deklarata e z. Vasili që u shpreh kundër testimit të mjekëve?
Deklarata e ish-Ministrit të Shëndetësisë, z. Vasili, kanë natyrisht edhe ndjeshmërinë e tij profesionale, por unë besoj se nuk ka të bëjë aspak me marrëdhëniet midis LSI-së dhe Partisë Socialiste. Përkundrazi, këto janë marrëdhënie tepër solide dhe bashkëpunuese. Natyrisht, qeveria ka mbështetjen tonë të plotë, përfshirë edhe ministrin Beqja. Përsa i takon çështjeve të caktuara, ku ka edhe ndjeshmëri të veçanta, besoj se mënyra më e mirë është gjithmonë ajo parimore dhe konstruktive e bashkëpunimit dhe e shkëmbimit të mendimeve dhe jam i bindur që ministrat kanë qenë dhe janë të hapur për këtë bashkëpunim, dhe padyshim edhe Kryeministri.
Z. Meta, ish-presidenti Topi ka shprehur shqetësimin se e ish-presidentët nuk janë përfshirë në reformën në drejtësi. Keni një qëndrim për këtë?
Mendoj se kritika e ish-presidentit Topi është me vend, është shumë e drejtë dhe besoj se përfshirja e ish-presidentëve në procesin e diskutimit dhe hartimit të reformës në drejtësi është shumë e rëndësishme, sepse secili prej tyre mbart një eksperiencë të rëndësishme dhe të çmuar dhe dihet që presidenti ka patur dhe ka një rol të rëndësishëm për sistemin tonë të drejtësisë dhe besoj se përfshirja e tyre do të ndodhë, dhe jo thjesht se është e rëndësishme, por sepse besoj do të jetë edhe shumë e dobishme dhe e çmuar.
Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, si e cilësonin kandidaturën e z. Zhiti si ambasador në Vatikan nga mazhoranca?
Kandidatura e Zhitit për mendimin tim është e vlefshme për çdo post në Republikën e Shqipërisë.