Meta prezanton Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë
Sot, në datë 6 shkurt 2015 Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta prezantoi Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në prani të punonjësve të Bankës së Shqipërisë.
Sejko u emërua Guvernator i Bankës në datë 5 shkurt 2015 nga Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Sejko vjen në këtë pozicion pas një eksperience 20-vjeçare bankare, në pozicione të ndryshme drejtuese në sistemin bankar shqiptar dhe në Bankën e Shqipërisë. Ai ka mbaruar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, në vitin 1991, ku është diplomuar si ekonomist industrie. Në vitin 1997 kreu studimet pasuniversitare dhe zotëron diplomën Master në Kontabilitet Ndërkombëtar dhe Menaxhim Financiar (MAcc), nga Universiteti i Glasgow-t, Skoci, ku ka mbrojtur temën e disertacionit: “Roli i bankave dhe privatizimi i bankave në ekonomitë në tranzicion”.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta siguroi mbështetjen e plotë të Kuvendit për institucionin e bankës qendrore për përballimin e sfidave të ardhshme për garantimin e stabilitetit financiar në vend.
Ndërsa, Guvernatori Sejko në fjalën e tij falenderoi jo vetëm Kuvendin e Shqipërisë, por edhe politikën shqiptare për mbështetjen që i dhanë Bankës së Shqipërisë, si autoritet monetar qendror i vendit.
Gjithashtu, ai theksoi se falë profesionalizmit dhe përkushtimit të punonjësve, Banka e Shqipërisë do të jetë institucion i denjë për besimin dhe respektin e qytetarëve.