Meta: Shkodra nuk i harron bijtë e vetë

Në nderim të veprës së “5 heronjve të Vigut”, Kryetari i Kuvendit vendosi një kurorë me lule pranë monumentit.  Në një prononcim për mediat, Kryetari i Kuvendit deklaroi se përmes rivendosjes së monumentit të “5 heronjve të Vigut” në Shkodër, rivendoset dinjiteti i atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit dhe Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare. “Kjo është një ngjarje mjaft domethënëse, që populli i Shkodrës nderon sot bijtë më të shquar të Shkodrës, të Lezhës dhe të Mirditës, pesë heronjtë e Vigut që dhanë jetën për çlirimin e atdheut. Në prag të 70-vjetorit të çlirimit të vendit, vëmë në vend jo vetëm dinjitetin e tyre, por edhe të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, për të cilën Shkodra, Lezha, Mirdita dhe e gjithë Shqipëria kanë bërë sakrifica të panumërta duke dhënë jetën e bijve më të mirë. Ndaj sot vepra e “5 heronjve të Vigut” në prag të 70-vjetorit të çlirimit të atdheut shkëlqen dhe ndriçon rrugën tonë për të ardhmen, rrugë që bazohet tek mirënjohja për sakrificat e tyre sublime në emër të një Shqipërie më të mirë, për gjeneratat e të ardhmes”, tha z. Meta. Kryetari i Kuvendit e vlerësoi këtë ditë si të rëndësishme dhe tregues se populli i Shkodrës dhe i të gjithë Shqipërisë nuk harron sakrificat e atyre që dhanë jetën për të ardhmen e atdheut.  “Unë dua t’u shpreh mirënjohjen Prefektit, kryetarëve të njësive vendore që u angazhuan në këtë aksion mjaft të rëndësishëm dhe njëkohësisht deputetëve dhe të gjithë popullit të Shkodrës e në mënyrë të veçantë familjarëve të “5 heronjve të Vigut”, familjarëve të dëshmorëve, të cilët kanë kohë që e prisnin këtë ditë. Mendoj që kjo është një ditë e rëndësishme që tregon se populli i Shkodrës dhe populli shqiptar nuk i harron bijtë e vet më të mirë të cilët sakrifikuan gjithçka për të ardhmen e atdheut. I paharruar dhe i përjetshëm kujtimi i “5 heronjve të Vigut” dhe i të gjithë dëshmorëve të atdheut”, theksoi Kryetari i Kuvendit.  Meta tha se Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare nuk ishte vepër e asnjë individi të caktuar dhe se çdo përpjekje për t’u kapur pas ndonjë figure të caktuar për të dëmtuar vlerat e kësaj lufte është e dështuar. “Siç e shikoni këtu nuk ka asnjë portret. Ka një monument të pesë djemve nga më të mirët e Shkodrës, të Lezhës dhe të Mirditës dhe e theksoj edhe një herë tjetër që Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare nuk ka qenë vepër e asnjë individi të caktuar. Ka qenë vepër e mbarë popullit shqiptar, e mijëra dëshmorëve të atdheut dhe ne në këtë 70- vjetor kujtojmë dhe nderojmë veprën e tyre të shkëlqyer dhe të pavdekshme. Çdo përpjekje për t’u kapur pas një figure apo një ideologjie të caktuar për të dëmtuar vlerat e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, është e dështuar sepse siç e shikoni edhe sot, populli i Shkodrës dhe i gjithë Shqipërisë i ruan të freskëta dhe të gjalla idealet për të cilat “5 heronjtë e Vigut” dhe djemtë më të mirë të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë dhanë jetën”,- shtoi z. Meta. Më pas, Kryetari i Kuvendit dhe deputetët që e shoqëronin vizituan familjen e Ahmet Haxhisë, një prej “5 heronjve të Vigut”.

 

SHKARKO APP