Metodat asimiluese ndërshekullore për shuarjen e etnisë shqiptare
“Domosdoshmëria për mosasimilimin e kombit shqiptar, ka lindur nga trysnia e egër e fqinjëve tanë serbë e grekë që kërkojnë nënështrimin e shqiptarëve nëpërmjet pushtimit dhe detyrimit të konvertimit në besimin ortodoks (shembujsh janë të shumtë edhe në ditët tona). Strategji këto të filluara nga periudha bizantine dhe në vazhdim, të cilat, i lexojmë edhe tek shkrimi i Riad Limanit me titull: “Spastrimi dhe asimilimi etnik dhe aleanca antishqiptare“, ku ndërmjet të tjerash shkëpusim: “Shfarosja e parë në Evropë e kombit Shqiptar ishte planifikuar dhe inicuar nga Serbia, ky projekt filloi nga vera e vitit 1913, mirëpo u pengua nga situata ndërkombëtare, ishte fillimi i Luftës së Parë Botërore. Leo Freundlich {(1875-1953), publicist hebre, u lind nga një familje çifute e pasur në Bielitz-Biala)}, në Albanies galgotha-botuar në Vjenë 1913, ndër të tjera përshkruan ngjarjet e tmerrshme midis muajit tetor 1912-mars 1913″…
Nga Fahri Dari –
Në shkrimin redaktorial, i postuar në Gazetën “Mapo” më 21 dhjetor 2015 me titull: “Skandali “Vorio Epir” nga Universiteti i Gjirokastrës” tërhiqet vëmëndja për të pavërtetat e dokumentarit, të shfaqur në Universitetin e Gjirokastrës. duhet vlerësuar dhe analizuar doemos nga organet përkatëse shqiptare, sidomos nga Ministria e Jashtme dhe ajo e Arsimit dhe Kulturës, sigurisht nëse edhe këto institucione e njohin historinë tonë ashtu siç thuhet në këtë shkrim, ndryshe, nëse e pranojnë se historia është ajo që thuhet në dokumentarët e turpshme, armiqësore, shtrembëruese të historisë, le të heshtin. Është pikërisht ky lloj skandali, nga i cili marr shkas për sqarimin e disa ngjarjeve, thënieve dhe veprimeve nëpërmjet këtij shkrimi.
E sigurtë, Athina zyrtare nuk do të heshtë, por do të bënte nota proteste dhe denoncime në të gjitha diplomacitë, nëse një dokumentar i këtij lloji do të shfaqej në Universitetin e Janinës, Selanikut, apo të Athinës, ku te thuhej se Greqia nuk ka ekzistuar para shekullit VII para Krishtit. Nëse në ndonjë dokumentar do të shfaqej atje dhe të thuhej se Dorianët (fis pellazg) shkuan në Athinë e në Spartë, dhe me mençurinë e tyre, i dhanë qytetërimin athinasve, por, për fatin e tyre, megjithëse ishin shumicë, u asimiluan nga pakica helene, e cila si pakicë përvehtësoi arritjet e emigrantëve shumicë. Më pas nga emri i një fisi Graeci, nga jugu i Italisë, mori emrin Greqi. Ndërsa pas pothuaj 2.700 vjetësh, të thuhet se po në Greqi ndodhi i njëjti fenomen, ku turko-ortodoksët, të cilët u shpërngulën nga vendlindja e tyre,Turqia dhe u vendosën në Greqi gjatë viteve 1920-1924 si efekt i besimit ortodoks u quajtën grekë, edhe këta si dorianët, vërtet ndryshuan strukturën e popullatës së shtetit grek. Ndryshe nga dorianët nuk dhanë qytetërim, këta kanë përvehtësuan kulturën e trashëguar, gjithë qytetërimin e gjetur. Sot pretendojnë të quhen “Helenë” dhe drejtojnë Kishën ortodokse dhe shtetin grek.
Nëse do të thuhet se mitologjitë e jugut të Ballkanit janë iliro-epirotë dhe jogreke, të cilat i kanë përvehtësuar grekët me mashtrime, gënjeshtra dhe trillime si të tyre, të tilla si Dodona në Çamëri, Hadesi, Qenvarroi (shqip:“qeni me tre koka, që ruan varret”) dhe varkëtari plak që voziste në lumin Aheron nga bregu në breg, që çonte të vdekurit në Hades (shqip: Ha-dhé, e ha dheu), gjenden në Çamëri, apo që shtjellimi i ngjarjeve më të shumta të Homerit tek Odiseja dhe Iliada janë zhvilluar në Çamëri; apo Alkmena bijë thesprote, mbesa e Inakos (Irakliut që ndërtoi rrugën pranë detit të “Zonjës”në Çamëri); apo tu thuhet se Aleksandri i Madh ishte ilir dhe greqishten ja mësoi Aristoteli, apo që e ëma, Olimbia, gruaja e Filipit II ishte epirote, apo deklarimi i Strabonit, që në udhëtimet e bëra në Thesproti, përmend se edhe në kohën e tij kishte ndeshur me fise pellazgjike dhe që flisnin gjuhën e tyre jogreke, apo Nikropoli, Gitana, Fanoti, Butrinti, Apollonia etj. ishin vendbanime ilire.
Për të mos u zgjatur me lashtësinë, të vijmë me faktet gjatë këtyre 100 viteve e këndej tregojmë se sipërfaqja dhe popullsia e shtetit grek pas Luftrave të Parë dhe të Dytë Botërore dhe asaj Ballkanike, u trefishuan në kurriz të Epirit, të Shqipërisë së Jugut, të Maqedonisë etj. Apo t’u thuhet se aktualisht shtetasit grekë janë një përzierje popujsh, si nga ortodoksët turq, që përbëjnë rreth 47 përqind të popullsisë, nga arvanitasit që në strukturë zënë mbi 36 përqind të popullsisë. Ata janë tjetërsuar nga karakteri i origjinës si efekt i konvertimit në komb grek dhe pjesa tjetër prej 17 përqind i takojnë ortodoksëve me origjinë greke, por që përfshihen edhe shtetas të origjinës sllave, arumune, egjyptiane, turke, etj. Sa sipër 83 përqind e shtetasve në Greqi, nuk janë të etnisë greke, por quhen të tillë sipas besimit ortodoks, por për vetë faktin se shtetasit “aziatikë”, bashkë me pjesën e grekëve, sllavëve, egjiptianëve, arumunëve përbëjnë 64 përqind të popullsisë, si shumicë ata kanë privilegjin për të drejtuar shtetin grek, por nën mbikqyrjen e “elitës” greke. Në këto kushte, vetvetiu duhen pyetur: “A keni shtet grek, me grekë të vërtetë, apo jeni shtet me etni të përziera dhe e formoni kombin, që e quani grek për nga besimi ortodoks?. “Raca e Helenëve është një ideologji e rreme, por fort mirë e manipuluar nga ana e tyre, të cilët dallohen për manipulatore dhe të pabesë…Asnjë pikë gjaku nuk rrjedhë në venat e të krishterëve prezent në Greqi”, shkruan Fallmerayer .
Gjithë këto “nëse”dhe shumë të tjera, po t’u thuhen atyre nga institucionet tona shtetërore, a do të heshtëte shteti grek, a do të heshtnin Universitetet greke (jo të gjitha), me siguri do të merrnin vrapin për në KE dhe BE për të na sulmuar, për të na trembur, për të na treguar se anëtaresimi në Europë varet prej tyre? Apo kryepartiaku i “të drejtave të njeriut” në Shqipëri, nuk do merrte turravrapin drejt Kuvendit, në kërkim të interpelancës me Kryeministrin, në mbrojtje të Greqisë?.
Në trajtimim e strukturës së popullsisë së shtetit grek, si më sipër, nuk është qëllimi për shifra metafizike, siç duan të shprehen mjaft antishqiptarë, por për të njohur të vërtetat e përbërjes së banorëve në atë shtet, siç veprohet për çdo shtet tjetër. Por kjo përbërje e popullsisë, sipas shifrave të mësipërme (llogaritur me metodat statistikore), nuk u vjen për shtat dhe u vrasin veshin greqishtfolësve, duke i quajtur metafizike, domethënë abstrakte, ndërsa kur bëhet rregjistrimi i popullsisë në Republikën e Shqipërisë, nuk mbetet gur pa lëvizur, duke filluar nga mediat, zyrat shtetërore në Shqipëri, Greqi, Bashkimi Europian e më gjërë, ku zotërinjtë e “metafizikës” ngrejnë me forcë zërin duke kërkuar që në census të përfshihet etnia, raca, besimi fetar, etj, që edhe për mua është normale. Pra, për popullsinë që jeton në Shqipëri, kërkesat e tyre, për përbërjen strukturore të popullsisë, sipas etnive dhe besimeve fetare, nuk janë metafizike. Kuptohet, kontrastet janë mjaft të dukshme dhe tepër armiqësore, prandaj kjo trajtesë po ndalet tek tema e asimilimit që shpie në humbjen graduale të popullsisë, nëse nuk mbrohet nga agresorët, që shtrijnë si oktapodët duart në besimet fetare dhe territoret e të tjerëve.
Lidhur me kundërshtitë dhe deklarimet tona për të vërtetat e përpjekjeve të fqinjëve për asimilimin e shqiptarëve, janë shfaqur dhe shfaqen mendime të ndryshme dhe të shumta. Në njërin prej tyre është dhe mendimi se disa shqiptarë të konvertuar në ortodoks (jashtë trevave shqiptare), të cilët na kritikojnë duke na thënë se “përrallat për asimilimin i keni në majë të gjuhës”, ose në mungesë të argumenteve shkencore të përcaktimit të kombit mbi baza fisnore dhe jo të besimeve fetare, ne shqiptarëve na quajnë “tradhëtarë të kombit grek”, sepse shumica janë të besimit mysliman dhe, sipas tyre, si myslimanë na quajnë edhe turq. Ka dhe teori të tjera që shkojnë edhe më larg të vërtetave, të cilat për të mohuar kombin shqiptar, përdorin edhe fraza: ”Përralla e asimilimit është tejet e përhapur ndër shqipfolës”.
Ky lloj trajtimi i shqiptarëve, duke i quajtur shqiptarët si shqipfolës, bëhet për të arritur atje ku duan ata, që duke mos qenë të besimit ortodoks, pra të kombit grek, sipas tyre, shqiptarët na dalin se nuk kanë as etnitet. Dashur pa dashur, ndodhemi përpara një mospranimi të ashpër mes dallimit të përcaktimit të kombit mbi baza fetare dhe të kombit mbi baza etnie, të farë e fisit. Sulmet nuk bëhen se nuk dihet etnia e shqipëtarëve dhe qëndresa e patundur e tyre se, feja nuk e përcakton kombin (shqiptarët pavarësisht nga besimet fetare, nuk ndjehen as grekë, as serbë dhe as turqë, por ndjehen shumë komodë dhe të sigurtë me etninë e tyre iliro-shqiptare), por duan me çdo kusht që në Shqipëri të vendoset kriteri kombëtar me baza ortodoksinë, për të arritur në përfshirjen e kombësisë greke, apo serbe. Ky është qëllimi i tyre, të cilët na akuzojnë duke na thënë: “ajo përralla e asimilimit që keni në majë të gjuhes”, por pikërisht këto përralla asimilimi që i quajnë ata, janë realitetet e synimeve të tyre për asimilimin e popujve duke përdorur besimin ortodoks.
Për t’i sqaruar këta tipa, problemin nuk do e trajtojmë duke treguar shembuj të shumtë, apo dhe me përfundime shkencore që dihen, qoftë edhe nga lashtësia, por do perifrazojmë dy mendime të personave të ndryshëm, me kahje të kundërt të deklaruara në ditët e sotme, pikërisht lidhur me bazat e mbështetjese së kombit tonë.
- Perifrazim i parë është një konkluzion historik, prej një personaliteti të kohës sonë dhe konkretisht mendimi i historianit gjerman Aleksandre Lambert, në intervistën:“Evropa e sabotoi historinë tuaj në shekullin XIX, kur Ilirinë e quajti Ballkan”, By nacionalAlbania on December 27,2015), ku shprehet: “Përkundrazi, ndërrimi i fesë për shqiptarët ka qenë një mjet për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar, dhe ata e kanë ruajtur këtë identitet për një kohë shumë të gjatë”. Më tej ai vazhdon: ”Po të kemi parasysh se në të njëjtën kohë shumë popuj të tjerë të Evropës u romanizuan, u gjermanizuan, dhe u sllavizuan. Te shqiptarët ky fenomen asimilimi ndodhi vetëm te popullsia ortodokse e atyre krahinave kufitare që jetonin afër serbëve dhe grekëve. Ata nuk i qëndruan presionit fetar të drejtuar nga kisha ortodokse që është e njohur shumë mirë në histori për çështje asimilimi. Ata e humbën identitetin e tyre kombëtar për t’u bërë grekë, serbë e malazezë vetëm për të ruajtur fenë ortodokse”. Kështu e përfundon konkluzionin historiani gjerman, i cili nuk është shqiptar, as grek dhe as serb.
- Perifrazim të dytë po sjell njohjen me një deklaratë të bërë nga Agjenti serb i UDB, postuar tek gazeta “Mapo”, më10 janar 2016 me titull: “Ja si mund t’i fusim në luftë civile shqiptarët?.. “Doni të shkatërroni shqiptarë?Vrisni një katolik dhe më pas akuzoni një mysliman… Shteti shqiptar është lehtësisht i mundshëm të shkatërrohet nëse ekziston vullneti te shërbimet sekrete serbe”. Deklarata vjen nga bashkëpunëtori i inteligjencës serbe dhe mik i afërt me ish-drejtorin e inteligjencës serbe “UDB”, Dejan Luçiç. Ai hapur fton shërbimet inteligjente serbe të nxisin luftë civile ndër shqiptarët duke përçarë ata në vija fetare dhe fisnore. “Nuk është vështirë të grinden shqiptarët ndërmjet tyre, Toskët dhe Gegët, të krishterë dhe myslimanë. Në linja fisnore dhe fetare lehtë mundet të shkatërrohet shteti shqiptar, ndërsa me luftë qytetarëve në Shqipëri u tretet ëndrra për “Shqipërinë e Madhe”….“Vritni një politikan shqiptar, akuzoni konkurentin e tij dhe ja, luftë fisnore mes shqiptarëve”.
Këto dy mendime apo konkluzione të kundërta, të nxjerra nga një joballkanas dhe nga një serb, besoj se e qartësojnë domosdoshmërinë e ruajtjes së identitetit dhe moslejimin e asimilimit të shqiptarëve nëpërmjet besimit fetar, pavarësisht se joshqiptarët, apo ndonjë shqipfolës, asimilimin e quajnë përralla.
Domosdoshmëria për mosasimilimin e kombit shqiptar, ka lindur nga trysnia e egër e fqinjëve tanë serbë e grekë që kërkojnë nënështrimin e shqiptarëve nëpërmjet pushtimit dhe detyrimit të konvertimit në besimin ortodoks (shembujsh janë të shumtë edhe në ditët tona). Strategji këto të filluara nga periudha bizantine dhe në vazhdim, të cilat, i lexojmë edhe tek shkrimi i Riad Limanit me titull: “Spastrimi dhe asimilimi etnik dhe aleanca antishqiptare“, ku ndërmjet të tjerash shkëpusim: “Shfarosja e parë në Evropë e kombit Shqiptar ishte planifikuar dhe inicuar nga Serbia, ky projekt filloi nga vera e vitit 1913, mirëpo u pengua nga situata ndërkombëtare, ishte fillimi i Luftës së Parë Botërore. Leo Freundlich {(1875-1953), publicist hebre, u lind nga një familje çifute e pasur në Bielitz-Biala)}, në Albanies galgotha-botuar në Vjenë 1913, ndër të tjera përshkruan ngjarjet e tmerrshme midis muajit tetor 1912-mars 1913: “Serbia dhe Mali i Zi vendosën ta pushtojnë tokën e huaj. Por ajo tokë është e banuar me popull liridashës dhe trim. Përkundër skllavërisë, e cila zgjati me shekuj, kurrë nuk është toleruar zgjedha e huaj. Për shkak të këtij fakti zgjidhja u bë e ditur “Shqiptarët duhet të shfarosen” . Një paraqitje ushtarake brutale çnjerëzore u shfaq me procedurë të tmerrshme për ta vënë krejt këtë në praktikë. Fshatra të panumërta u dogjën rrafsh me tokë dhe njerëz të panumërt u prenë (u vranë-FD) në mënyrën më të egër dhe mizore. Në fillim të luftës (Lufta I Botërore), mua personalisht, shpesh më kanë thënë haptas organet përgjegjëse serbe “Ne duhet patjetër t’i shfarosim shqiptarët”. Nuk mendoj se janë të tepërta trajtimet që bëhen lidhur me drejtuesit e kishës ortodokse greke, të cilët kanë inspiruar shpirtërisht dhe udhëhequr fizikisht gjenocidet greke ndaj shqiptarëve, siç shkruhet edhe nga z. Arben Llalla tek:” Kryepeshkopi grek përkrah Zervës në masakrat çame”. Postuar më 13 janar, 2016 tek Gazeta “DITA”. Ndër të tjera thuhet: “Kryepeshkopi i Greqisë, Spiridon Vllehu, me ushtrinë greke kreu masakra në jugun e Shqipërisë, shkurt 1914″. Më tej vazhdon: “Përveç Kryepeshkopit të Greqisë, Spiridon Vllehu, me ushtrinë greke që kreu masakra në Prevezë, Janinë e tërë Çamërinë, shkurt 1913, Janinë, ai ka publikuar edhe një foto, ku është Mitropoliti i Paramithisë Dhorotheos me Napoleon Zervën, më 27 qershor 1944 në Paramithi, që kryen masakra mbi popullsinë çame”. Pjesmarrja e drejtuesave të kishës ortodokse greke në masakrat ndaj shqiptarëve, tregon përpjekjet e parreshtura të klerit ortodoks për asimilimin e popujve nëpërmjet luftërave duke përdorur besimin fetar si ndarës mes tyre. Ndofta shqiptarët “përrallën e asimilimit” e kanë në majë të gjuhës, por e vërteta është se këtë “përrallë fqinjët tanë ortodoksë e kanë në majë të shpatës”. Këtu bëhet dallimi mes përcaktuesve të kombit me bazë etninë dhe përcaktuesave të kombit sipas besimit fetar. Ndaj iliro-epirotëve dhe më pas shqiptarëve, shumica e shteteve europiane kanë zbatuar pamëdyshje asimilimin, duke përdorur vendime të qarta kundër kësaj bashkësisë.
- Në vitin 1913, arësyen e copëtimit të Shqipërisë nga ana e Fuqive të Mëdha, e mësojmë nga interpelanca e Z.Eduard Grey, ish ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe nga 1905 deri 1916. Ai ka deklaruar: “…..Por, duhet të kemi parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qëllimi kryesor ishte që të mos hapej konflikt midis Fuqive të Mëdha. Prandaj, në qoftë se marrëveshja mbi Shqipërinë u arrit duke mbajtur harmoninë ndërmjet Fuqive të Mëdha, mund të themi se ka qenë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes në Evropë”.
- Arësyeja e shkëmbimit të popullsive, sqarohet po nga zyrtari i lartë anglez, Zoti George Nathaniel Curzon, sekretari i jashtëm britanik (1924-1925), i cili “ndjehej thellësisht keq, që shkëmbimi i detyrueshëm i popullsive duhet të ishte një zgjidhje, pasi ajo zgjidhje është tërësisht e keqe dhe vicioze, për të cilat bota do të paguajë një dënim të rëndë për njëqind vitet që vijnë”.Nuk ka vend për koment në dy ndërmarrjet e realizuara me vetëdije të plotë nga udhëheqësit e lartë të Fuqive të Mëdha, duke vetëdeklaruar dëmet serioze qindravjeçare që u krijonin shqiptarëve ato vendimmarrje, por nuk mund të anashkalohen argumentimet e tyre, duke zëvëndësuar arësyetimet llogjike me emocionet e çastit për ngjarjet. Pikërisht për ato vendime të marra emocionalisht, shqiptarët kërkojnë dhe gjykojnë se ka ardhur koha të riparohen me vendime të bazuara në arësyetimet llogjike, pavarësisht se pushtuesit e mbi ½ e hapësirës së Shqipërisë natyrale, do të na quajnë “nacionalistë”, “joasimilues”, apo “turkoshakë”, etj, epitete boshe dhe pabosht.
Ne, shqiptarëve, pavarësisht se na urrejnë dhe na sulmojnë, na njohin kush jemi dhe çfarë kemi bërë dhe bëjmë, por nuk mund t’i deklarojnë as serbët dhe as grekët, pasi do të poshtëronin veten e tyre. At Gjergj Fishta në Konferencën e Paqes në Paris, ndërmjet të tjerash në fjalën që mbajti në emer të delegacionit shqiptar dhe dëshirave të kahershme dhe të drejta të kombit të lashtë të Shqipërisë, Kosovës e Çamërisë tha: “…Cili popull ka ndjesi më të kthjellëta në Ballkan se populli shqiptar? A mos vallë sllavi i ngadalshëm e i ngathtë, që i përkulur mbi shatë deri dje nuk merrte frymë pa urdhër të Carit të vet autokrat? Apo greku, ajo skilja e vjetër që gjithmonë si një bimë parazitare iu ngjesh më të fortit për të mbajtur gjallë shpirtin e vet? Apo është shqiptari që është mbështetur në fuqitë e veta, që është i drejtë me miqtë, bukëdhënës me të huajt, dhe i rreptë me armiqtë? Balli madhështor i shqiptarit nuk ju përkul kërkujt përveçse Zotit të vet. Ishin pushtuesit mbi Shqipërinë, por kurrë nuk u bënë zotërues mbi shqiptarët. Për liri të vet, zotni shqiptari, bën fli shtëpinë, Tokën e mjerisht, edhe Besimin. Derisa shqiptarët luftonin kundra turkut për Liri të Shqipërisë e Europës mbarë, çfarë bënin grekët e serbët, ata që sot konferenca e Paqes është duke i mbajtur nën sqetull si djem dëshiri? Grekët edhe atëherë kur Turqit kishin mbërritur në dyert e Kostandinopojës, rrinin duke u marrë me çështje fetare kundër Kishës së Romës. Kështu edhe despoti i Serbisë niste krushqi me turq duke i dhënë të bijën për grua sulltanit, dhe ndaloi bashkimin e ushtrive të Skënderbeut me ata të Huniadit, duke shkaktuar thyerjen e ushtrive të Krishtera në Varna që mori në qafë gjysmën e Europës. E tani pikërisht këta grekë e serbë janë ata që më fort se kërrkush tjetër shpifin kundër shqiptarëve e thonë se këta s’kanë bërë asgjë për liri e pavarësi të kombit të vet”.
Kisha dhe shteti grek, nëse kanë urrejtje dhe armiqësira fetare dhe territoriale të trashëguara nga e kaluara me shtetin dhe besimin mysliman në Turqi, logjika dhe gjykimi i drejtë dhe bashkëkohor është t’i sheshojnë ato mes tyre, pa përfshirë popuj të tjerë që mbajnë njërin apo tjetrin besim fetar, pasi besimet nuk mund dhe nuk duhet të jenë ose të turkut, ose të grekut dhe akoma më shumë kur besimet nuk mund dhe nuk duhet të konvertohen me etnitë, apo kombet. Kjo duhet të kuptohet nga çdo akuzues militant i çfarëdo besimi fetar. Nëse duhet të futemi thellë në historinë e “Farë e Fisit”, do të kuptohet se përpjekjet për asimilimin tonë, krahas përdorimit të besimit fetar, pushtuesit kanë përdorur me sukses edhe termin “përça e sundo”, duke funksionuar në dy drejtime:
a)- Si një term shumë i vjetër që përkon me moshën e vetë politikës, është përdorur në vazhdimësi për të prishur qetësinë në kampin kundërshtar, për të krijuar kontradikta dhe ashpërsime, qoftë dhe qejfmbetje, me shpresën që ato do të shkojnë në një divorc të mundshëm politik, deri edhe në konflikte të armatosura mes tyre. Ky variant i politikës “përça e sundo”, ndaj nesh ka gjetur mbështetje, sepse krerët shqiptarë, civilë e klerikë, në vazhdimësi nuk kanë patur një unitet mendimi sidomos në zgjedhjen e aleatit të jashtëm.
b)- Drejtimi i dytë i përdorimit me sukses nga të huajt i këtij termi, ka qenë i përqëndruar në fushat e riorganizimeve administrative, e thënë ndryshe, në copëzimin e së tërës dhe të përzierjes me popuj të tjerë, mënyrë kjo ndikuese në krijimin e kushteve tepër lehtësuese për asimilimin e më pas arritjen e sundimit dhe nënështrimit. Për këto qëllime, Roma zbatoi në Iliri një organizim administrativ që i shërbeu politikës së asimilimit ose romanizimit, duke e sjellë të ndarë gjendjen e Ilirisë në shekullin I-II pas Krishtit. Ilirinë e Jugut e ndau në 4 provinca: Prevali (me qendër Shkodrën), Dardania (me qendër Shkupin), Epiri i Ri (me qendër Durrësin) dhe Epiri i vjetër (me qendër Nikopojën-Prevezë). Me këtë ndarje, kufijtë e pronarëve të rinj nuk përputheshin me kufijtë që kishin pasur shtetet e pavarura ilire. Ndarja krijoi distancimet provinciale, filluan grindjet, u shtuan ambiciet dhe sukseset i korri termi “përça e sundo”. Shkëputja e provincave nga trungu ilir, si efekt i riorganizimeve të qëllimshme nga të huajt, duke i përfshirë në popullsi sllavo-romane, siguroi përfundimin e asimilimit të ilirëve veriorë, ata mbi Prevali.
Në kohën antike gadishulli i sotëm ballkanik quhej, me termin gjeografik,“Gadishulli ilirik” dhe popullsia e këtij gadishulli ishin ilirët. Fiset ilire që ndodheshin më në veri, u përzien me popullsinë gjermane e kelte që me kohë edhe u asimiluan, ndërsa disa fise ilire, që në kohën e pushtimeve romake nuk ishin përzier shumë me fiset kelte dhe gjermane. Më pas ata e humbën individualitetin e tyre duke u sllavizuar dhe konkrtisht: Liburnët, që shtriheshin në Dalmacinë e Veriut, tek Alpet Dinarike në çarkun e Zarës së sotme, rreth degës së majtë të lumit Krka, ndërmjet Skardonës e Kuinit (Kninit); Dalmatët, fis i madh ilir shtriheshin në jug të liburnëve. Qyteti më i madh i dalmatëve në bregdetin Adriatik ka qenë Solana, romakët e bën kryeqytet të Dalmacisë. Diokleciani-{Diokle 243-313, perandorak romak 20/11/284 deri 01/05/305) pasi u tërhoq nga politika, jetoi në Solanë derisa vdiq. Dalmatët, u pushtuan prej romakëve, dalëngadalë u romanizuan, humbën edhe gjuhën e tyre. Ardianët ishin fisi i tretë i ilirëve të veriut, që shtriheshin në krahun e djathtë të lumit Narenta (Neretva), ndërsa në krahun e majtë të këtij lumi shtriheshin Autarjatët. Të dy këto fise ilire shtriheshin në Hercegovinën Perëndimore dhe në bregdetin Adriatik. Qysh në shek. IV para Krishtit, historianët i tregojnë si kundërshtarët më të rreptë të kolonialistëve grekë që gjendeshin brigjeve të Adriatikut. Adrianët e quanin kusarinë e detit legjitime dhe ishin bërë profesionistë. U suleshin qyteteve të huaja dhe i plaçkitnin. Këto sjellje të Adrianëve shkaktuan luftën e Romës kundër mbretërisë ilire në udhëheqjen e Teutës. Pasi ilirët e humbën luftën, Teuta e transferoi kryeqytetin nga Risiani (në Mal të Zi) në Shkodër. Në lumin Narentën e Poshtme (Neretva) jetonte fisi ilir Daorsët; Japodët kanë qenë fis i madh ilir që jetonin pranë liburnëve në brendësi dhe në bregdet, në Bosnjë e në Kroaci. Kryeqyteti kishin Metulum, që gjendej në malin Vinçiça afër Çakovecit të sotëm dhe qytetit kroat Ugolin. Desiatët jetonin në mes të Bosnjës, larg bregdetit, ata morën famë me kryengritjen e Batonit. Kryeqytet ka qenë Artufa, që u rrënua tërësisht në kohën e Tiberit, në vitin IX pas Krishtit. Fise të tjera ilire, të cilët nuk janë asimiluar, ose disa pakica mes tyre të asimiluar, janë Labeatët rreth Liqenit të Shkodrës; Dukleatët, në Mal të Zi. Pirustët, në Mirditën e sotme. Fiset ilire të paasimiluar mund të përmenden: Dardanët, fis i madh ilir nga Vardari, Drini i Bardhë e deri në Timok, ku ndan kufirin ndërmjet Serbisë e Bullgarisë së sotme. Në fushën e Korçës shtriheshin Dasaretët deri në Berat dhe në breg të Liqenit të Ohrit; Kandavët, shtriheshin gjatë Shkumbinit të Sipërm, deri në Ohër; Fisi ilir Fordaj shtrihej rreth lumejve të Devollit e Shkumbinit të mesëm, kryeqytet ishte Skampa (Elbasan); Partinët, shtriheshin nga Shkëmbi i Kavajës e deri në breg të Matit (gjithë fushën e Shqipërisë së mesme); Albanët/Arbanët, fis ilir shtrihej nga malet e Krrabës, në vargmalin e Dajtit, përfshi dhe fushat në mes të tyre me kryeqytet Albanopolin; Penestët, shtriheshin në pjesën e sipërme të Matit e Drinit të Zi, me kryeqytet Uskana (Dibra e vjetër); Skritonët, ndodheshin në Malësinë e Gjakovës, përfshiheshin Reka e Keqe, Tropoja, Gash e Krasniqe, Nikaj-Mërtur.
Nga autorë të vjetër grekë e romakë, fise ilire përmenden edhe në Jug të lumit të Shkumbinit, me terma gjeografike ata jetonin në Epir (Epiri përbëhej nga tre fise kryesore: Thesprotët, kaonët, mollosët dhe prej 14 nënfiseve të tyre). Epiri është quajtur edhe Toskëri. Kufinjtë më jugorë të Shqipërisë etnike janë Gjiri i Prevezës dhe i Artës. Në Epirin e Vjetër përfshiheshin: Kassiopie me qytetet e vjetra Prevezë dhe Nikopojë (Nicopolis); Amfilotët me kryeqytetin e vjetër Argos, sot është i mbuluar me ujë; historianët thonë se amfilotët nuk kanë qenë grekë, trajtoheshin si “barbarë”, dmth jogrekë. Krahina e Sulit me suliotët, vend me rëndësi të madhe në Thesproti/Çamëri. Ajdonati, (Paramëthia) me rrethinat e saj, ku përfshihet edhe krahina e Sulit, ndodhet në jugperëndim të Sulit, që quhej edhe Çeltik. Zagoria, në lashtësi quhej Perrebbi. Ujërat e zonës formojnë lumin Narta (nga emri i qytetit Narta, sot Arta), që quhet edhe Araktus. Atintonia afër Zagorisë me qytetin e vjetër Konica. Si rrjedhojë e luftrave etnofetare, zona e Epirit të vjetër, si më lart, i është dhuruar shtetit grek dhe sot ai territor është në administrimin e tij. Pjesa më e madhe e popullsisë së zonës është larguar dhunshëm nga kisha dhe shteti grek, sidomos gjatë gjysmës së parë të shekullit XX; ndërsa një pjesë e etnisë shqiptare (çamët në krahinën e Çamërisë, me qënë se janë ortodoksë quhen grekë), pothuaj janë të asimiluar.
Gjatë periudhës së mesjetës dhe mbasi emri “Iliri” ishte shuar, perandoritë e radhës, njëra pas tjetrës, investuan shumë për asimilimin e popullsisë së mbetur ish ilire. Ndër shekuj u përdorën edhe shpërnguljet e detyruara, të cilat ishin të shumta në numur dhe të shpeshta ndërvite. Shumica e arbërorëve u vendosën në Italinë jugore, duke u quajtur “arbëreshë”; një pjesë tjetër e arbërorëve u vendosën në Thesali, More, Eube, etj. dhe sot njihen si “arvanitas”. Ndaj pasardhësve ilir, nga ana e serbëve dhe grekëve, u përdor e njëjta strategji, asimilimi nëpërmjet besimit fetar dhe shpërngulja e detyruar, sidomos e theksuar kjo ishte mbas luftërave botërore, drejt orientit, të cilët edhe sot quhen arnautë. Duhet theksuar se në të dy Epirët, pushtuesi ka përdorur krahas “kërbaçit” edhe besimin fetar, për të pushtuar dhe zgjeruar territore, nën slloganin e përcaktimit të kombit grek të banorëve të besimit ortodoks dhe të kombit turk të banorëve të besimit mysliman dhe rezultatet janë të qarta në dëm të shqiptarizmës dhe frytdhënëse për strategët e strategjive asimiluese që nga koha e ilirëve.
Iliria u shkërmoq sepse pushtuesit arritën përdorimin me sukses të të dyja formave të politikës “përça e sundo”. Romakëve dhe grekëve i duhej shuarja e ilirëve, sepse ata përvetësuan kulturën, arritjet shkencore dhe përparimin e zhvillimit ekonomiko-shoqëror, si dhe rrëmbimin e pasurive antike të zonës, të cilat dalëngadalë po zbulohen dhe agimi i rilindjes së shoqërisë ilire po i jep dukshëm shenjat e para, duke filluar me Kosovën, ku u çlirua territori i okupuar nga serbët, me piramidat e fshehura Ilire të Kroacisë, me shkrimet e vjetra ilire që po nxirren nga arkeologjia, me të vërtetat e vendimeve historike të marra kundër shqiptarizmës, të dala nga arkivat ndërkombëtare.
Shqyrtimi i problemit nën prizmin historik tregon se Kosova dhe Çamëria u ndanë nga trungu shqiptar në një periudhë kur, me gjithë pengesat e shkaktuara nga regjimi otoman, ishte krijuar një formacion kombëtar unik, i mbështetur jo vetëm mbi territorin dhe gjuhën e përbashkët, por edhe mbi një bashkësi historiko-kulturore dhe ekonomike. Shprehje e këtyre lidhjeve ekonomike dhe e bashkësisë shpirtërore e kulturore ka qenë Uniteti i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ku të dyja këto krahina (Kosova e Çamëria) kanë luajtur një rol të veçantë.
Pas pavarësisë së Shqipërsië dhe krijimit të shtetit të saj, dy krahinat, Kosova dhe Çamëria të mbetura jashtë shtetit politik, patën dy rrjedhime të rëndësishme:
- Ruajtjën bashkësinë gjuhësore dhe mbajtën të paprekur bashkësinë shpirtërore.
- Në këto dy komunitete, u kultivuan në maksimum ndjenjat kombëtare e patriotike dhe prirjet për të ruajtur bashkësinë ekonomike me Shqipërinë, duke e konsideruar atë tokë mëmë të pandarë të tyre.
Sigurisht, bashkësia fetare, me shumicën myslimane të popullit shqiptar dhe dallimi me popullsinë ortodokse greke dhe sllave, ka ushtruar e vazhdon të ushtrojë ndikimin e saj. Këta faktorë të fuqishëm subjektivë, vazhdojnë të luajnë edhe sot rol të rëndësishëm, duke u mbështetur në bazën objektive, bashkësinë gjuhësore dhe atë territoriale. Zgjidhja e problemit të përcaktimit të kombit sipas kriterit etnik, kërkon trajtimin e disa çështjeve të karakterit praktik për dy krahinat. Për Kosovën kjo gjendje qëndronte deri para vitit 1999, ndërsa për krahinën e Çamërisë vazhdon të paraqesë ende vështirësi dhe konkretisht:
- Mungojnë studimet shkencore monografike dhe dokumentacioni arshivor mbi historinë e këtyre dy krahinave pas vitit 1913, të cilat praktikisht e vështirësojnë zbatimin me korrektësi të kriterin etnik.
- Problemi vështirësohet lidhur me trajtimin e historisë së periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos për krahinën e Thesproti/Çamërisë (komuniteti çam ortodoks, trajtohen si grekë dhe jo të etnisë shqiptare), ku qëndrimet e historianëve grekë dhe shqiptarë janë diametralisht të kundërta. Ndërsa pas pavarësisë së shtetit të Kosovës janë krijuar kushte dhe mundësi për trajtimin e historisë së saj.
Krijimi i shtetit shqiptar është relativisht i vonshëm. Duke filluar nga dalja në arenën ndërkombëtare e çështjes shqiptare,sidomos dhe kryesisht që nga Lidhja e Prizrenit, shqiptarët nuk kanë pushuar së luftuari për autonominë e tyre politike. Vetëm në vitin 1912, u realizua shpallja e pavarësisë dhe në vitin 1913, Konferenca Ndërkombëtare e Ambasadorëve në Londër njohu pavarësinë e Shqipërisë dhe kufijtë e saj. Sigurisht kombi ynë e pagoi shumë shtrenjtë këtë pavarësi, me gjysmën e territoreve të populluara nga shqiptarë, që diplomacia botërore ia dhuroi grekëve, serbëve dhe malazezëve. Pikërisht që nga ajo kohë antishqiptarët filluan të përdorin shprehjen “Shqipëri e Madhe“, si akuzë ndaj shqiptarëve, synimi për të poshtëruar shqiptarët dhe çdo kërkesë tonën për kthim të territoreve të grabitura e të dhuruara, ata për të na luftuar, e përkthejnë në akuzua si irredentistë, luftënxitës, duke na ngjyrosur edhe me nocionet e nacionalizmit shqiptar, pavarësisht se kanë zaptuar territoret tona dhe ndaj banorëve shqiptarë në trojet e tyre përdorin metoda rraciste dhe asimiluese.
Në vitin 1920, në Kongresin e Lushnjës patriotët shqiptarë zgjodhën Qeverinë, me kryeqytet Tiranën dhe ndihmuan kryengritjet popullore kombëtare. Populli kryengritës bëri “Luftën e Vlorës” dhe zbrapsi divizionet italiane nga Shqipëria. Kjo luftë e ngriti autoritetin tonë kombëtar. Në Gjenevë, më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjeve së Kombeve. Grekët dhe serbët, u detyruan të largohen nga Shqipëria, rrjedhojë e presionit të Lidhjes së Kombeve. Traktati i Paqes së Versajës na dënoi me copëtimin e trojeve tona, duke lënë jashtë kufijve shtetërorë mbi gjysmën e territoreve të Shqipërisë dhe të banuar nga Shqiptarët.
Parashikimi i një të ardhmjeje, ku kombi shqiptar të jetë i lirë, të gëzojë pa patur trysni, qoftë etnike apo fetare nga të tjerët dhe të jetojë i qetë, larg shpifjeve, mashtrimeve të qëllimshme, është i mundshëm për t’u realizuar, nëse shteti shqiptar do të udhëhiqet nga elita e përgaditur për të drejtuar me përgjegjshmëri vendin; ndryshe, nëse vazhdohet drejtimi, me zhvillimet politiko-ekonomike e sociale nga “elitat”e papërzgjedhura, duhet pranuar të ecurit drejt asimilimit të popullit tonë me popujt e tjerë, kryesisht euroatllantikë. Konkluzioni bazohet tek fenomeni i lëvizjeve demografike të pandalshme gjatë dekadave si dhe emigrimet masive të kohëve të fundit në vendin tonë.
Le të analizojmë shtesat dhe pakësimet e popullsisë. Popullsia në Shqipëri, sipas censusit të vitit 2011 rezultoi 2.831.741 banorë (pa përfshirë emigrantët dhe ata që nuk ndodheshin në kohën e rregjistrimit). Në vitin 1990 popullsia ishte 3.446.882, me shtesë natyrore vjetore 63.900 banorë. Në vitin 2015 popullsia, me atë ritëm shtese, arrin në 4.980.500, nga kjo, për një shifër më të besuar, zbresim 10 përqind dhe popullsia efektive (megjithë emigrantët) rezulton 4.482.500 banorë. Nisur nga ecuria e lëvizjeve demografike, ku 1.450.000 e banorëve, ose 35 përqind ndodhen jashtë vendit, duke patur parasysh se edhe shtesa natyrore e popullsisë është më e madhe në moshat e reja, që predominojnë emigracionin, po ashtu dihet që vdekjet natyrore janë më të larta në moshat e mëdha, që predominojnë në popullsinë e mbetur në vendin e tyre, si dhe faktorët e tjerë që ndikojnë në pakësimin e popullsisë, ajo e lënies së shtetësisë nga emigrantët dhe mos regjistrimi i fëmijëve të lindur jashtë, të gjitha këto të marra së bashku japin një prognozë të trishtuar lidhur me mbetjen e popullsisë në Shqipëri. Sipas llogaritjeve, nëse shteti shqiptar nuk do të krijojë kushtet e nevojshme për jetesën normale të popullsisë, numuri i banorëve në vendin tonë, brenda 15 viteve të ardhshëme, do të mbetet rreth 1 milionë banorë. Kështu mbi 4 milionë shqiptarë do t’u shtohen popullsive të shteteve të tjera.
Nuk mund të mos na shqetësojë emigrimi masiv i shqiptarëve, sidomos largimet gjatë vitit 2015, fenomen që konstatohet se me anë të emigracionit bëhet i mundur një spastrim etnik i shqipëtarëve; shanse përfituese për fqinjët etnoracistë në realizimin e strategjive të asimilimit të kombit tonë. Udhëheqësit e shtetit tonë, duhet ta kuptojnë dhe të reflektojnë edhe ndaj porosisë së ish-sekretarit të NATO-s Lord Robertson, i cili në kuadër të vizitës së tij në Kosovë (19.01.2016), në ligjëratën me studentët e Kolegjit Universum në Prishtinë tha: «Mund të ikni dhe ta varfëroni vendin, apo mund të qëndroni dhe ta ndërtoni shtetin tuaj”.
Në përfundim, përpjekjet për të mashtruar, fshehur dhe fshirë ekzistencën e ilirëve dhe të epirotëve, apo përdorimi i epiteteve “turkoshak”,“tradhëtarë të kombit”, si pasojë e mos pranimit të ortodoksisë si përcaktuese të kombit, etj. nuk do t’ia arrijnë asnjëherë dhe këtë antishqiptarët e dinë nga realitetet e mijëra viteve që janë përpjekur për shuarjen e Ilirisë dhe të Epirit. Faktet flasin në favor të të drejtave të shqiptarëve, e theksuar kjo duket qartë tek krijimi i shtetit të Kosovës në trojet amëtare, me popullsi etnike, duke rikuperuar hapësirat e rrëmbyera apo të dhuruara.
Spiralja do na shpjerë atje nga ku ka nisur, drejt rikrijimit të kombit etnik me shtet “Iliria & Epiri” shqipëtar, i cili, pavarësisht se ndodhet në shtete të ndryshme ballkanike, aktualisht përbëhet nga mbi 25 milionë banorë, nuk do dëmtojë askënd, përkundrazi do të forcojë më tej bashkëpunimin me fqinjët dhe krahas respektimit do të mbizotërojnë dallueshëm tolerancat fetare dhe etnike në Ballkanin e trazuar.