MF: Ish-të përndjekurit e gjallë të tërheqin dëmshpërblimet

 

Ministria e Financave u drejtoi dje thirrje ish-të dënuarve politikë që janë gjallë dhe që nuk kanë marrë këstet e fundit të dëmshpërblimeve të paraqesin dokumentet bankare për t’u futur menjëherë në listat e përfituesve. “Në rast se një qytetar përfitues që është gjallë nuk ka përfituar këstin e 4 e të 5-të, po vetëm tre të parat, ai paraqitet para zyrave tona.

Duke dorëzuar një certifikatë personale të muajit aktual dhe vërtetim të llogarisë bankare, me vulë të njomë dhe një firmë nga banka dhe ai menjëherë hyn në radhë  për pagesë, dhe përfiton dhe këstin e katërt dhe këstin e pestë”, tha Alma Delija, Drejtore e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve, në këtë dikaster. Aktualisht, janë 23 dosje të plotësuara, nga të cilat 2300 u përkasin të përndjekurve që janë gjallë, ndërsa të tjerat 20.700 janë për subjektet  e trashëgimtarëve. Sipas ligjit aktual, kategoria e atyre që janë gjallë janë përfituesit e parë. 70% e fondit prej 2 miliardë lekësh për këtë vit do të shkojë për ta dhe do të marrin këstin 5 nga 8 që janë gjithsej. Ndërsa për kategorinë e trashëgimtarëve, do të shpërndahet vetëm kësti i dytë. Me këto ritme pretendohet që të persekutuarit politikë që janë gjallë të dëmshpërblehen plotësisht brenda vitit të ardhshëm. Më pas, skema do të vazhdojë me trashëgimtarët.

***

Në bazë të ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve

politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, ministria e Financave, në bashkëpunim me ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe ministrinë e Drejtësisë, bëri disa ndryshime ligjore, të cilat konsistonin në ndarjen në dy kategori të ish-të përndjekurve politikë, në atë parësore dhe joparësore. Kategoria e parë është kategoria parësore, në të cilën përfshihen “gra, ish të dënuara që jetojnë në momentin e pagesës”. Për kategorinë e dytë me prioritet, “persona ish të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit që vazhdojnë të jenë gjallë”. Për kategorinë e tretë me prioritet, “persona ish të dënuar politikë të gjallë që vuajnë nga sëmundje të rënda”. Për kategorinë e katërt me prioritet, “për persona ish të dënuar që janë gjallë, të cilët, pavarësisht moshës në momentin e pagesës, kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç”. Për kategorinë e pestë me prioritet, “për persona ish të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç”. Për kategorinë e gjashtë me prioritet, “për persona ish të dënuar që janë gjallë dhe në momentin e pagesës nuk kanë mbushur moshën 75 vjeç”. Në bazë të buxhetit vjetor, të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë nga regjimi komunist, është ndarë, në mënyrë proporcionale, në një raport prej 70% për të gjitha kategoritë e subjekteve përfituese parësore e 30% për trashëgimtarët e ish-të dënuarve.

APELI

“Në rast se një qytetar përfitues që është gjallë nuk ka përfituar këstin e 4 e të 5-të, po vetëm tre të parat, ai paraqitet para zyrave tona. Duke dorëzuar një certifikatë personale të muajit aktual dhe vërtetim të llogarisë bankare, me vulë të njomë dhe një firmë nga banka dhe ai menjëherë hyn në radhë  për pagesë, dhe përfiton dhe këstin e katërt dhe këstin e pestë”, tha Alma Delija, Drejtore e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve në MF.

SHKARKO APP