Mihal Popi, një personalitet unik i artit skenik shqiptar, kontributori i trashëgimisë, si aktor, fotograf dhe komedian

Mihal-Popi_fotokolazh-Albert-Vataj
Mihal-Popi_fotokolazh-Albert-Vataj

Nga Albert Vataj
Sot, më 19 shtator, në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Mihal Popit, përulemi me nderim përpara kujtimit të një figure që mbetet e pashlyeshme në kujtesën kulturore shqiptare. Ai nuk ishte thjesht një aktor i madh; ai ishte një institucion i gjallë, një shkollë arti dhe qytetarie, një frymë e përjetshme që i dha teatrit tonë një dimension të ri dhe i bëri skenat shqiptare të marrin frymë me dritën e tij.
I lindur në Shkodrën e kolosëve të artit dhe mendimit, më 7 nëntor 1909, Mihal Popi ishte vetë mishërimi i shpirtit të këtij qyteti: një shpirt i gjallë, i gdhendur nga tradita, i ushqyer nga kultura dhe i shndërruar në art me përkushtimin e tij të palëkundur. Nga skenat e para të grupeve amatore, deri te themelimi dhe konsolidimi i Teatrit Popullor, ai nuk “luajti” role, ai i jetoi ato. Çdo karakter që mishëronte merrte prej tij një dimension të vërtetë, të thellë, aq sa spektatori nuk shihte më aktorin, por njeriun që jetonte nëpërmjet tij.
Me një natyrshmëri të pakrahasueshme, me finesën që kalonte kufijtë e kohës, dhe me një humor të pastër e të brishtë, që shpërthente si një dritë e ngrohtë në ditë të vështira, Mihal Popi mbeti jo vetëm një mjeshtër i skenës, por edhe një dëshmitar i shpirtit shqiptar, i gjallërisë dhe i forcës krijuese të tij.
Figura e tij nuk kufizohet në historinë e teatrit; ajo është një shënim i përhershëm në hartën e kulturës kombëtare, një busull që tregon se arti nuk është thjesht zbavitje, por përjetim, dritë dhe udhërrëfim. Sot, duke e kujtuar, ne kujtojmë jo vetëm aktorin e madh, por edhe mësuesin e heshtur të brezave, njeriun që na mësoi se skena është një altar, ku arti i shërben shpirtit dhe shoqërisë.
Në çdo personazh që mishëroi, ai nuk thjesht interpretonte, por ndërtonte një botë personaliteti dhe shpërfaqi një shpirt të bukur. Dhe publiku, gjithnjë e më i etur për të, e shpërblente me duartrokitje që nuk kishin nevojë për regji.
Sot, kujtimi i tij nuk është vetëm një homazh. Është një thirrje për të mos harruar se arti i vërtetë lind nga përkushtimi, nga dashuria për publikun dhe nga ndershmëria e shpirtit. Mihal Popi mbetet një udhërrëfyes për brezat e rinj, një testament i gjallë se skena shqiptare ka pasur dhe do të ketë gjithmonë yje që ndriçojnë përtej kohës.
Mihal Popi mbylli sytë më 19 shtator 1979, duke lënë pas një trashëgimi të pashlyeshme në artin shqiptar si fotograf dhe mbi të gjitha si aktor. Që në rininë e hershme, ai e nisi udhën e tij artistike në vitin 1924, në Tiranë, me grupet amatore, për të themeluar më pas në vitin 1932 trupën e tij teatrale pranë kinemasë “Gloria”, ku shkëlqeu në bashkëpunim me emra të tjerë të skenës së kohës si Xhevat Serezi, Mihal Stefa e Hasan Reçi.
Gjatë pushtimit, Popi nuk u shkëput nga arti, punoi si fotograf, por edhe si aktor në valët e Radio Tiranës. Viti 1945 shënon një kthesë vendimtare, ai bëhet një nga themeluesit e Teatrit Popullor, ku shkëlqeu që në rolet e para dhe mbeti për më shumë se tri dekada shtylla e këtij institucioni. Në skenë, Popi mishëroi më shumë se 80 personazhe, ndër të cilët spikasin prefekti Qazim Mulleti te “Prefekti” (Pavarësisht linjës ideologjike se si politikat e kulturës dhe imponimet demagogjike u bënë barrë dhe përgjegjësi), Anton Antonoviçi në “Revizori”, Falstafi në “Gratë gazmore të Uindsorit”, Zhurdeni te “Borgjezi fisnik” apo senatori Lington. Jo rastësisht, publiku gjithnjë e zgjidhte lojën e tij si më të dashurën dhe më të besueshmen, madje edhe kur shfaqjet dubloheshin për arsye sigurie. Vetëm “Prefektin” ai e luajti mbi 250 herë, duke e kthyer rolin në një legjendë skenike.
Ajo që e bënte të veçantë Mihal Popin nuk ishte thjesht talenti i lindur, por mënyra si e sublimonte rolin. Ai nuk imitoi kurrë; ai e jetonte personazhin, e ndërtonte me finesë, e lartësonte me aftësitë e tij dhe e sillte në skenë me një natyrshmëri që e bënte të pakonkurrueshëm. Ky ishte edhe sekreti pse publiku e adhuronte dhe e shpërblente me duartrokitje të pafundme.
Humori ishte fryma e tij e pandashme. Që në vitin 1928, Popi interpretonte skeçe, kuplete e pantomima në kinematë “Gloria” dhe “Nacional” të Tiranës, duke krijuar së bashku me kolegët e tij Shoqatën e Humorit, ku u zgjodh kryetar. Prej asaj kohe e deri në fund të jetës, nuk iu nda kurrë artit të së qeshurës, duke e lartësuar atë si një pasuri kombëtare.
Pas viteve të lavdishme në teatër, ku interpretoi edhe në vepra si “I Shurdhri”, “Zotnia pa pantallona”, “Dreqi dhe i ligu”, “Cubat”, “Doktor pa dashje”, “Dom Gjoni” i Kol Jakovës apo “Mirandolina”, Popi la gjurmë edhe në filmat artistikë dhe në estradën e shtetit. Për kontributin e tij të pamatë, u nderua me titullin më të lartë artistik “Artist i Popullit”.
Mihal Popi e dëshmoi se talenti i vërtetë sfidon mungesën e shkollës profesionale, sepse ai ishte nxënës i palodhur i vetë jetës artistike. Ai e tejkaloi kufirin e “autodidaktit” dhe u bë mjeshtër i skenës, duke treguar se arti nuk është vetëm çështje formimi akademik, por mbi të gjitha dhuratë e lindur që piqet me punë, përkushtim dhe dashuri ndaj publikut.
Kujtimi i tij është sot një amanet për brezat e rinj dhe një dëshmi e gjallë se arti i vërtetë nuk njeh kohë. Ne kemi detyrimin moral e kulturor ta kujtojmë, ta shkruajmë dhe ta lartësojmë emrin e tij, sepse në figurën e Mihal Popit mishërohet dinjiteti i aktorit shqiptar dhe qytetaria europiane e skenës sonë. Ai mbetet, përtej kohës, një ikonë e papërsëritshme e teatrit dhe humorit kombëtar.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?