Miku im Janis, ministri grek i Financave
Një rrëfim për anën njerëzore, krejt ndryshe nga ajo që mund të duket, dhe për aftësitë në fushën e ekonomisë së politikanit të momentit
Nga Steve Keen, Forbes
E kam takuar për herë të parë Janis Varufakis kur ai ishte docent (ose më saktë senior lecturer, shkalla e tretë në sistemin australian që ka 5 të tilla, i barasvlefshëm me një Profesor në SHBA) në Sydney University në fund të viteve ’80, dhe unë isha asistent (shkalla e parë) tek University of New South Wales. Qysh atëherë u bëmë miq dhe tani ai është bërë i njohur botërisht si ministri i Financave i ekonomisë më të trazuar dhe me profil të lartë të planetit, atë të Greqisë.
Tani Janis si njeri, ashtu sikurse Janis si ekonomist, do të vihet nën trysninë dhe hulumtimin e mediave dhe të politikanëve të tjerë. Shumë prej këtyre do të kenë për qëllim ta rrëzojnë atë, apo t’i kthejnë dilemat me të cilat ai do të përballet në rolin e tij serioz, në një burim për mediat. Unë dua të përshkruaj njeriun dhe ekonomistin që njoh me asnjë prej këtyre qëllimeve në mendje.
Do ta nis me njeriun, duke qenë se pa asnjë mëdyshje, sulmi i parë ndaj tij do të jetë për karakterin dhe jo për intelektin që ka.
Janë të pakët ata njerëz që të lënë një përshtypje aq të fortë që në takimin e parë saqë, dekada më pas, mund ta kujtosh ende fare mirë takimin. Janisi pati një impakt të tillë. Shkova të ndjek një seminar te Sydney University ku Janisi ishte prezantuesi. Shumica e seminareve akademike janë të mërzitshme; pavarësisht se fakti i të qenit akademik nënkupton në praktikë të qenin në skenë, shumë pak akademikë kanë aktualisht një paraqitje skenike. Ata mërmërijnë, shohin përreth rrëmbimthi, sorollaten duke folur si të ishte monologu i ndonjë të marri, ose iu flasin slajdeve të tyre më shumë sesa audiencës në atë që është quajtur me të drejtë si “Vdekja nga PowerPoint”-i.
Janisi, përkundrazi, e mbushte skenën porsa niste të fliste, e angazhonte audiencën me kontaktin direkt të syve dhe fliste si një orator më shumë sesa një akademik i thjeshtë. Fytyra e tij kishte gjithashtu një buzëqeshje të përhershme me sarkazëm dhe prezantimi i tij përfshinte një bollëk me humor ironik sapo e linte veçmas mençurinë rutinë të fushës së tij.
Ai humor, dhe prirja për qasjen oratorike, treguan se ishin pjesë intime të qenies së tij, ashtu sikurse ngrohtësia e përgjithshme dhe shpirti zemërgjerë mjaft njerëzor.
Mbështetja te kjo zemërgjerësi është një forcë substanciale, si fizike ashtu edhe intelektuale apo emocionale. Ai mund të nevrikoset nga individë mizantropë, gjë që mund të më ndodhë edhe mua, por gjatë përballjes me ta, ai mund të sulmojë pretendimet e tyre intelektuale por jo vetë individët.
Duket sikur lexon biografinë e një shenjtori, por kjo vetëm sepse Janis është me të vërtetë një njeri i mirë. Kjo u shfaq nga mënyra se si reagoi karshi përvojës më të vështirë në jetë: marrjes së vajzës së tij në Sidnej kundër dëshirës së Janisit, më 2005-n nga bashkëshortja e tij australiane, pasi ai ishte kthyer në Greqi që në vitin 2000. Përshkrimi që i bëri ai kësaj ngjarjeje në blogun e vet jep një shenjë të mirë për integritetin e tij emocional dhe ndershmërinë personale: “Jeta mori një kthesë të keqe, personalisht, shumë përpara krizës ekonomike globale të 2008-s dhe rrënimit të Greqisë më 2009-n. Ishte viti 2005. Atë gusht vajza ime fare e vogël, Ksenia, m’u mor nga… Australia. Për arsye që tani i pranoj si të legjitimuara, mamaja e saj vendosi ta merrte Ksenian në Sidnej dhe të ndërtonte një shtëpi për të atje, në mënyrë të përhershme. Largimi i Ksenias më futi në një gjendje shoku (që atëherë ajo ka jetuar në Sidnej, duke garantuar kësisoj jetëgjatësinë e marrëdhënies sime me Sidnejin).. (“From personal calamity to restored hope” http://yanisvaroufakis.eu/about/from-personal-calamity-to-restored-hope/ ).
Tani të flasim për ekonominë e tij. Në takimin e parë perceptova gjithashtu një shpirt të mprehtë intelektual te Janisi sepse ai, sikurse unë, ishte kritik i besimeve të zakonshme në ekonomi si një matematicien i trajnuar mirë që ishte (kualifikimi formal i Janisit në matematike është një Master Shkencor në Matematike dhe Statistikë, i kryer te Birmingham University). Opsioni i lehtë i karrierës për një ekonomist me një themel të fortë matematike është që t’i përdorë këto njohuri për të arritur përfundime që iu pëlqejnë ekonomistëve të zakonshëm, të tipit: je gati që të shkruash nëpër “gazetat më të mira” dhe të kesh një karrierë të suksesshme. Janisi zgjodhi rrugën më të gjatë dhe të vështirë për t’i përdorur këto njohuri, për të shfaqur të metat në të menduarit e zakonshëm.
Specialiteti i tij kur mbërriti në Sidnej, qe që të hidhte poshtë një teori të ekonomisë që njihet si teoria e lojërave, e cila është ende një zbavitje e njohur mes ekonomistëve të sotëm. Problema tipike e teorisë së lojërave njihet si “Dilema e të Burgosurve”: dy bashkëpunëtorë në krim vihen përballë zgjedhjes për ta rrëfyer ose për ta mohuar krimin. Nëse e mohojnë që të dy, që të dy marrin dënime më të lehta (sepse policia nuk ka prova të forta kundër tyre); nëse e rrëfejnë që të dy, që të dy marrin dënime mesatare; nëse njëri e rrëfen dhe tjetri hesht, ai që e rrëfeu falet, ndërsa mbi tjetrin bie barra e të dyja dënimeve. Figura 1 shfaq skenarin bazë dhe parashikimi bazik i teorisë së lojërave në këtë rast është që të dy të burgosurit të rrëfehen.
Logjika është se, ndërkohë që do të kishte qenë më mirë për të dy nëse heshtnin, ekziston rreziku që njëri prej bashkëpunëtorëve të rrëfehet, duke sjellë kështu një dënim 10-vjeçar për atë që hesht. Kështu që gjëja racionale për të dy është që të rrëfehen, duke sjellë kështu nga 5 vjet burg për secilin, në vend të 6 muajve që do të kishin marrë nëse do të kishin heshtur që të dy.
Xhon Nesh, krijuesi i teorisë së lojërave, ka qenë një matematicien dhe qasja e tij u prit me gëzim nga ekonomistët, sepse ajo iu dha atyre një tjetër mënyrë për të provuar shumë gjëra që ata donin që të ishin të vërteta- për shembull, ata donin që të ishte e vërtetë se kompanitë do të konkurronin me njëra-tjetrën në treg, në vend që të bënin marrëveshje të paligjshme, edhe nëse marrëveshjet do të sillnin më shumë fitime.
Kishte vetëm një problem. Dilema e të Burgosurve aplikohej për një rast të vetëm. Çfarë ndodh nëse ky event përsëritet, në stilin e Groundhog Day (rit tradicional në Amerikën Veriore për të parashikuar motin në 6 javët e ardhshme), vazhdimisht? Në këtë rast të burgosurit do të vendosnin të heshtnin, bashkëpunimi në vend të spiunimit të njëri-tjetrit do të ishte strategjia optimale. Dhe kur kjo aplikohet në teorinë e konkurrencës, ajo nënkupton se marrëveshja e paligjshme do të ishte rezultati normal, jo konkurrenca që ekonomistët aktualë duan që të jetë rasti në fjalë.
Reagimi i zakonshëm ndaj kësaj duhej të kishte qenë që ta pranonin se ndoshta marrëveshja e paligjshme do të kishte qenë rezultati i mundshëm në botën reale. Por ja që ata zhvilluan konceptet e “induksionit prapavajtës” dhe “njohurinë e zakonshme të racionalitetit instrumental (CKR)”, të cilat argumentuan se loja e përsëritur do të kishte dhënë të njëjtin rezultat si në një “rast të vetëm”.
Janis deklaroi me zgjuarsi se ky përfundim i ripërpunuar mbart një logjikë të shtrembër. Argumenti qe se, përballë një loje me 100 raunde, lojtarët e Dilemës të së Burgosurve do ta ruanin strategjinë më të mirë për në raundin e fundit, që do të ishte ajo e të rrëfyerit, duke qenë se nëse partneri yt nuk flet, ai do të shkojë në burg edhe për pesë vjet ndërsa ti do të lirohesh. Më pas ata do të konsideronin raundin e 99-të, ku rezultati do të ishte i njëjtë. E kështu me radhë deri në raundin e parë, në të cilin ata do të rrëfehen. I njëjti përfundim ndiqet për konkurrencën: kompanitë do të konkurrojnë në vend që të bashkëpunojnë për shkak të “induksionit prapavajtës” dhe do të rivendoset supremacia e konkurrencës.
Nëse tani po thoni me vete: “gjepura”, shumë mirë, sepse edhe Janis kështu tha. Ai dëshmoi pavërtetësinë në këtë “logjikë” të zakontë nëpërmjet një punimi me një tjetër lojë në të cilën dy lojtarë marrin me radhë nga një monedhë ari nga një tryezë. Nëse një lojtar merr një monedhë, edhe tjetri mund të marrë një monedhë; por nëse ndonjëri nga lojtarët merr dy monedha, loja përfundon (nuk lejohet të merren më shumë se 2).
Përfundimi i zakonshëm qe se, përballë një tryeze me 1000 monedha, loja do të përfundojë në turnin e parë kur lojtari i parë do të marrë dy monedha. Kjo mund të duket qesharake për një jo-ekonomist: vërtetë njerëzit do të mbajnë radhën duke marrë vetëm nga një monedhë gjatë gjithë lojës, derisa të futin në xhep nga 500 monedha secili?
Janis tregoi se jo-ekonomistët kishin të drejtë, sepse përfundimi i zakonshëm qe tërësisht kontradiktor. Ai doli në përfundimin se një agjent “racional” do të marrë gjithnjë 2 monedha në raundin e parë, duke e mbyllur kësisoj lojën, por arriti në këtë përfundim duke konsideruar se çfarë do të bënte një agjent në raundin final të lojës, i cili mund të ndodhë nëse lojtarët kanë marrë vetëm nga 1 monedhë gjatë të gjitha raundeve të mëparshme, përfshi edhe të parin.
Janis përdori një shpjegim teknik se përse një agjent racional do të zgjidhte vetëm një monedhë, pra të bëjë atë që presin jo-ekonomistët dhe që bëjnë në fakt njerëzit kur luhet loja, dhe dha disa kontribute të tjera kritike në këtë fushë. Që kur mundësia e një krize iu duk e qartë në fillimin e viteve 2000 dhe ai u zhvendos te çështjet makroekonomike dhe në mënyrë të veçantë tek ajo se çfarë duhej bërë për t’i dhënë fund krizës europiane – çështje që do t’i trajtoj në shkrime të tjera.
Hëpërhë, dua t’ju garantoj se një njeri i mirë me një intelekt të mprehtë ndodhet në kuvertën e anijes së trishtuar europiane, duke u përpjekur që t’i bëjë kapitenët e keqorientuar që të ndryshojnë drejtim. Për të mirën jo vetëm të Greqisë, por të të gjithë Europës, i uroj atij shumë sukses.
Përktheu: Sokol KONDI