Miliarderi shqiptar Samir Mane hyn në botën e universiteteve private
Në auditorin e TBU ishin të pranishëm jo vetëm studentë por edhe pedagogë të cilët ju bashkuan studentëve me pyetje. Në fillim të fjalës së tij Mane i përgëzoi studentët për zgjedhjen e një universiteti që është i orientuar drejt krijimit të profesionistëve për kompanitë private në Shqipëri dhe krijimin e një karriere të suksesshme për vetë studentët. Duke ju përgjigjur interesit të studentëve ai tregoi rreth ditës së tij të punës, si nisi biznesin e tij të parë në vitin 1993, eksperiecat e tij si student në fillim të viteve ’90 dhe projektet më të reja që Grupi Balfin do të zhvillojë.
Gjithashtu një pjesë e mirë e interesit të studentëve lidhej me të ardhmen e tyre, mundësitë e punësimit në Grupin Balfin dhe bizneset e tjera në Shqipëri. Mane i parashtroi studentëve hapësirat ku mund të përfshiheshin në vetë Grupin Balfin duke filluar që tani si studentë. Kjo do i ndihmojë studentët që të njihen me shoqëritë por edhe shoqëritë t’i njohin e të vlerësojnë prirjet e tyre në mënyrë që procesi i punësimit të jetë sa më i shpejtë.
Në mbyllje të fjalës së tij Samir Mane ju drejtua studentëve duke i thënë që “për të qenë të suksesshëm, në çdo fushë të jetës e jo vetëm në biznes, duhet ta doni atë që bëni çdo ditë. Duke e dashur atë që bëni, shikoni gjithnjë nga e ardhmja, mendoni vetëm për të ardhmen, jo të shkuarën. Do të ishte gabim i madh, për të rinj inteligjentë, të kulturuar dhe të edukuar si ju, të kërkoni suksesin duke menduar për atë që nuk e keni më. Investoni fort tek vetja jua, forconi vlerat tuaja personale dhe përmirësoni telentet tuaja. E ardhmja është sfida juaj.”
Këtë shtator, TBU dhe Grupi Balfin kanë arritur një marrëveshje partneriteti mes tyre qëllimi i të cilës është që të zgjerohen kapacitetet dhe TBU të bëhet shkolla e lartë më cilësore shqiptare në përgatitjen e sipërmarrësve, menaxherëve, juristëve, profesionistëve në fusha shërbimi të lidhura me sipërmarrjen si dhe të nëpunësve publikë të atyre sektoreve që administrojnë marrëdhëniet e përditshme të shtetit me sipërmarrjen.
Grupi BALFIN
Grupi BALFIN është një ndër grupet private investuese më të mëdha në Shqipëri dhe rajon. Portofoli i investimeve të Grupit përfshin shoqëri që merren me zhvillimin e pasurive të paluajtshme, shitjet me pakicë, ofrimin e shërbimeve dhe manaxhimin e hapësirave tregtare apo industriale, industrinë minerare, financime dhe programe besimi për konsumatorët, etj.
Me fillesat e veta që në vitin 1993 tashmë ka krijuar një reputacion si Grupi më aktiv dhe inovator, falë investimeve të suksesshme në ide që kanë transformuar dhe revolucionarizuar jo vetëm tregun por edhe sjelljen e konsumatorëve. Sot, me zyrat qendrore në Tiranë, Grupi BALFIN ka një aktivitet të shtrirë në Shqipëri, Austri, Serbi, Maqedoni, Mali i Zi, Itali, Kosovë dhe Dubai.
Pjesë të Grupit Balfin janë shoqëritë: Neptun, Mane TCI, AlbChrome, Fashion Group, ACREM, Food Way, Skopje City Mall, QTU, TEG, Tirana Logistic Park, Jumbo, FinAl, Faleminderit.al, Elektro-Servis, etj.
TBU
TBU njihet gjerësisht në rrethet universitare, profesionale e të sipërmarrësve e profesionistëve dhe ekspertëve si shkollë e lartë e fokusuar tek cilësia dhe harmonizimi i teorisë me praktikën mësimore pranë sipërmarrjeve të suksesshme dhe institucioneve të ndryshme në Shqipëri dhe vende të tjera. Pasi u licencua dhe nisi aktivitetin në Tetor të vitit 2010, në vitin 2013 TBU mori akreditimin e plotë institucional si dhe akreditimin për të gjitha programet studimore që ofron. TBU kaloi me sukses inspektimin mbi ligjishmërinë, të kryer këtë vit tek të gjitha shkollat e larta të vendit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, duke u kualifikuar si shkollë e lartë që respekton ligjet dhe rregullat në fuqi. TBU ka nxjerrë brezin e parë të studentëve të diplomuar në Bachelor dhe në Master, të cilët janë të gjithë të punësuar tashmë. Këtë Tetor brezi i dytë i të diplomuarve është në prag të diplomimit duke hyrë me objektiva ambiciozë në vitin e pestë të aktivitetit akademik.