Militanti i “vdekur” i Shtetit Islamik
Në muajin gusht të vitit të kaluar, mediat në Ballkan kanë raportuar me një ndjenjë “lehtësimi” për vrasjen e Lavdrim Muhaxherit, një militanti famëkeq të Shtetit Islamik, gjatë një sulmi ajror në Siri.
Muhaxheri, nga Kaçaniku i Kosovës, ka shkaktuar bujë në korrik të vitit të kaluar, me postimin e disa fotografive të tij në rrjetin social Facebook, ku shihej duke i hequr kokën një njeriu.
Megjithëse është pretenduar se Muhaxheri është vrarë tash e sa muaj, dëshmi të reja kanë nxitur spekulimet se militanti mund të jetë gjallë.
Një video shqetësuese, e shpërndarë më 21 maj 2015 nga një grup i fshehtë aktivistësh sirianë që veten e quajnë “Raqqa Is Being Slaughtered Silently”, [RSS], Muhaxheri duket duke e vrarë një sirian me raketë anti-tank [RPG].
Aktivisti Abu Mohammed nga “RSS” i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk e di saktësisht kur ka ndodhur vrasja që shfaqet në video, por ai beson të jetë e kohëve të fundit. Abu Mohammed thotë se e ka marrë videon nga një kontakt i tij në Deir al-Zor, 450 km në verilindje të kryeqytetit të Sirisë, Damask.
Ebi Spahiu, një hulumtuese e cila hulumton mbi militantët shqiptarë, në kuadër të Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare me seli në Tiranë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk është e qartë nëse videoja e Muhaxherit është xhirim i ri.
“Media në Kosovë dhe Shqipëri janë duke e trajtuar si video të re, pa pasur në konsideratë mundësinë që mund të jetë video e vjetër”, thotë Spahiu.
I gjallë apo i vdekur?
Muhaxheri njihet si një militant me famë, që ka vepruar si ndërlidhës ndërmjet Shtetit Islamik dhe shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, thotë Spahiu.
Ashtu siç edhe pritet nga një rekrutues i Shtetit Islamik, Muhaxheri njihet të ketë qenë shumë aktiv në mediat sociale, por që prej fjalëve për vdekjen e tij, ai pothuajse është zhdukur fare. Faqja e tij në Facebook është shlyer ndërkaq.
Nëse Muhaxheri ka zgjedhur këtë kohë për t’u rishfaqur pas një heshtjeje të gjatë, “ai do të dilte në skenë me një mesazh më të fuqishëm”, thotë Spahiu.
Ndërkohë, duket se një tjetër shqiptar, Ridvan Haqifi ose Ridvan al-Albani, ka zënë vendin e Muhaxherit, thotë Spahiu. Haqifi, njihet për urdhërin që ka dhënë për të vrarë ata që ndihmuan në kthimin e një djali 8 vjeçar nga Siria në Kosovë. Fëmija ishte dërguar në Siri nga i ati, gjithashtu militant i Shtetit Islamik.
Fisi Al-Sheitaat
Një gjurmë që mund ta mbështesë idenë se videoja e Muhaxherit mund të mos jetë e kohës së tashme, është identiteti i sirianit të vrarë nga militanti shqiptar.
Në video, Muhaxheri shihet teksa e “merr në pyetje” një të ri sirian pak para se ta vriste. Viktima e identifikon veten si Ibrahim Shraideh, pjesëtar i fisit Al-Sheitaat nga fshati Abu Hammamnë lindje të Deir al-Zor. Shraideh "pranon” të ketë luftuar kundër Shtetit Islamik, duke thënë se ka vrarë me RPG dy militantë të IS-it.
Por, Shraideh nuk është pjesëtari i parë i këtij fisi që IS-i ka vrarë.
Pikërisht në muajin gusht të vitit të kaluar, Shteti Islamik ka kryer një numër ekzekutimesh në rajonet fisnore Al-Sheitaat në Deir al-Zor, në kuadër të fushatës për të shtypur këtë vend rezistence në rajon.
A ka gjasa që vrasja e sirianit Shraideh nga Muhaxheri të ketë ndodhur në të njejtën kohë – në gusht të vitit të kaluar – pak para se të raportohej vrasja e militantit shqiptar?
Kjo megjithatë mbetet një teori pa përgjigje.
Adrian Shtuni, një analist i politikës së jashme me seli në Washington, thotë se është e mundshme që videoja të jetë bërë më vonë, ose pak më vonë se muaji gusht i vitit 2014.
Një gjurmë tjetër që ia vlen të përmendet mund të jetë dukja fizike e Muhaxherit në video.
Në një fotografi të tijën të bërë në verën e 2014-s, militanti duket të jetë më në peshë, thotë Shtuni.
Një fotografi e postuar gjithashtu në mediat sociale në shtator të 2014-s, për të “dëshmuar” se ai është ende gjallë, ai duket gjithashtu më në peshë, gjë që lë të kuptohet se videoja e fundit, e shpërndarë më 21 maj, është bërë në një periudhë tjetër nga ajo e fotografive.
Policia e Kosovës thotë se po punon me partnerët ndërkombëtarë për të verifikuar autenticitetin e videos dhe kohën e publikimit. Autoritetet në Kosovë janë duke punuar me pretendimin se Muhaxheri është ende gjallë.
Fatos Makolli, drejtor i Departamentit Anti-Terrorizëm në kuadër të Policisë së Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Muhaxheri tashmë është person i kërkuar ndërkombëtarisht dhe po kërkohet edhe nga Interpoli.
"Me gjithë raportimet për vdekjen e tij, Policia e Kosovës nuk ka ndonjë informacion që do të mund të konfirmonte se Lavdrim Muhaxheri ka vdekur", ka thënë Makolli.
Një strateg?
Atëherë, nëse Muhaxheri është vërtetë ende gjallë, pse ka vendosur të zhduket nga syri i publikut?
"Sepse është strateg. Është shumë më i mençur se një ushtar i rëndomtë” ,thotë Shtuni.
Ai mund të jetë duke imituar figura të larta të IS-it, përfshirë këtu edhe liderin e grupit, Abu Bakr al-Baghdadi, dhe komandantin e tij ushtarak, Umar al-Shishani. Për këtë të fundit, sikurse edhe për Muhaxherin, është raportuar disa herë nga mediat kurde se është vrarë.
Muhaxheri thuhet të ketë punuar në kampin e forcave amerikane Bondsteel, afër Ferizajt, ndonëse nuk është ende e qartë se cfarë saktësisht ka punuar aty. Në vitin 2010, raportohet nga mediat vendore në Kosovë se është angazhuar përmes një kompanie private, për të punuar për dy vite në kampet e NATO-s në Afganistan.
Me t’u kthyer në Kacanik, Muhaxheri ishte angazhuar në një qendër lokale “Rinia Islame në Kaçanik”, para se të merrte rrrugën për në Siri. Autoritetet e rendit në Kosovë besojnë se udhëtimi i tij i parë atje ka ndodhur në vitin 2012, prej nga është kthyer në Kosovë një vit më vonë. Në këtë periudhë – në vitin 2013 – Policia e Kosovës nis hetimet mbi të dhe ai sërish udhëton drejt Sirisë.
Shqiptarët në Siri dhe Irak
Besohet se rreth 500 shqiptarë nga Ballkani Perëndimor janë duke luftuar në Siri dhe Irak, sipas një raporti të fundit nga zoti Shtuni.
Rreth 232 prej tyre, besohet të jenë nga Kosova, sipas një raporti të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë në Prishtinë.
Të paktën dihet për një rast të një shqiptari që nuk jeton në Kosovë, të ketë udhëtuar drejt Sirisë: Fatlum Shalaku, 20 vjeçar nga Kosova, me vendbanim në Londër, është identifikuar nga mediat britanike si njëri nga gjashtë sulmuesit vetëvrasës, të cilët kanë ndihmuar militantët e Shtetit Islamik të avancojnë drejt qytetit irakian Ramadi. Ramadi ka rënë në duart e IS-it më 17 maj 2015.