Ministri Demo: Bashkitë po evidentojnë dëmet nga reshjet, dëmshpërblimi në aktin normativ të dhjetorit
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo në përgjigje të interesit të deputetëve të opozitës mbi situatën e krijuar nga moti me reshje, tha se strukturat vendore dhe ato qendrore po monitorojnë situatën në të gjitha bashkitë e prekura, ndërsa priten raportet përfundimtare të dëmeve që do të përcaktojnë masën e mbështetjes financiare në aktin normativ të dhjetorit.
Sipas tij, bashkitë në të gjithë vendin kanë nisur procesin e evidentimit të dëmeve në terren, për të përcaktuar saktësisht shkallën e ndikimit dhe nevojat për ndërhyrje emergjente. ”Po presim që bashkitë të finalizojnë evidentimin e dëmeve dhe, në bashkëpunim me ministritë përkatëse, do të bëjmë të mundur që këto dëme të përfshihen në aktin normativ të dhjetorit 2025 për dëmshpërblimin”,-u shpreh Demo.
Ministri bëri të ditur se buxheti i vitit 2026 parashikon fonde të dedikuara për emergjencat civile, duke reflektuar realitetin e rrezikut të shtuar të fatkeqësive natyrore si pasojë e ndryshimeve klimatike. Ai theksoi se qeveria është angazhuar që fondet të shpërndahen në mënyrë më të drejtë dhe më efektive. ”Jemi angazhuar që buxheti për emergjencat të shpërndahet sipas nivelit të rrezikut që paraqesin bashkitë. Po punojmë për një metodologji të re të ndarjes së fondeve, pasi formula aktuale e bazuar në sipërfaqe dhe numër popullsie nuk ka reflektuar realisht situatat e krijuara”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër Demo vuri theksin se në shumë raste, bashkitë e vogla kanë hasur probleme më të mëdha sesa bashkitë e mëdha, për shkak të ekspozimit të lartë ndaj ndryshimeve klimatike dhe kapaciteteve më të kufizuara për menaxhimin e tyre.
KOHA JONË SONDAZH

