Ministri Gonxhja pret John Newbigin: Në fokus zhvillimi i industrive kreative
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja priti në një takim John Newbigin, OBE një nga figurat më të njohura ndërkombëtare në fushën e ekonomisë kreative. Newbigin është Kryesues i Këshillit Global për Ekonominë Kreative dhe Ambasador i Kryetarit të Bashkisë së Londrës për këtë fushë. Gonxhja e vlerësoi takimin një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit strategjik për zhvillimin e industrive kreative në vend.
“Diskutuan mbi ndërtimin e një ekosistemi kulturor dhe inovativ të qëndrueshëm, që mbështet artistët dhe profesionistët e rinj dhe e përkrah industrinë kreative si një motor të zhvillimit ekonomik dhe social”, u shpreh ministri.
Gonxhja vuri në dukje se, në fokus të bisedimeve ishte mundësia për partneritete ndërkombëtare në fushën e kulturës dhe inovacionit, mbështetja e talenteve të reja në art dhe industri kreative dhe rishikimi i kuadrit ligjor për kinematografinë dhe sektorin audiovizual.
Ministri nënvizoi se vizioni strategjik për kulturën dhe industrinë kreative është i qartë: kthimi i saj në një sektor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. Takimi u mbyll me angazhimin për bashkëpunim të mëtejshëm mes palëve, në funksion të fuqizimit të këtij sektori në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
KOHA JONË SONDAZH

