Ministri Hoxha pret Konjufcën: Koordinim të ngushtë në çdo çështje të interesit kombëtar
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti në një takim në Tiranë në kuadër të Samitit të IV të Diasporës Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca. Pas takimit, Hoxha dhe Konjufca dhanë në deklaratë për shtyp, ku theksuan se ky samit është një dëshmi e qartë e vullnetit tonë të përbashkët për ta shndërruar diasporën shqiptare në një fuqi të organizuar dhe vendimtare për të ardhmen tonë kombëtare. Në fjalën e tij, Hoxha tha se “diaspora jonë mbetet një aset i pazëvendësueshëm, një urë e gjallë që lidh kombin tonë me botën dhe një motor i fuqishëm zhvillimi, që kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e ekonomisë, shoqërisë dhe identitetit tonë”.
Ministri Hoxha u shpreh se “në vijim të një dialogu intensiv dhe të frytshëm, takimi i sotëm riafirmoi vendosmërinë tonë për të çuar përpara bashkëpunimin strategjik Shqipëri-Kosovë. Ne jemi të vendosur ta thellojmë këtë bashkëpunim në çdo fushë prioritare, nga ekonomia dhe infrastruktura te energjia, arsimi, kultura, mbrojtja dhe siguria”.
Hoxha u shpreh se “interesat tona janë të përbashkëta, dëshira jonë është e pafund dhe mundësitë janë po ashtu të pafundme. Ne do të shfrytëzojmë absolutisht çdo moment, siç e bëmë sot në një takim të parë, ku biseduam për gjithçka që ka interes për Shqipërinë dhe për Kosovën, për ta forcuar këtë marrëdhënie vëllazërore, për të bërë një inventar të të gjitha marrëveshjeve, dakordësimeve, angazhimeve, sepse kemi përpara detyrën e madhe që çdo premtim që e kemi marrë në Tiranë, në Prishtinë, në çdo nivel, në nivelin e ministrave apo në nivele më të larta të kryeministrave apo të kryetarëve të shtetit, ta çojmë përpara në të mirë të Shqipërisë, Kosovës dhe në të mirë të madhe të rajonit”.
Në takim theks të veçantë Hoxha dhe Konufca i dhanë nevojës për riaktivizimin e mekanizmave të përbashkët institucionalë, si dhe përshpejtimin e projekteve madhore kombëtare. “Në planin rajonal dhe ndërkombëtar, Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën dhe perspektivën e saj euroatlantike. Theksuam qartë se momenti pozitiv në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian duhet të shfrytëzohet pa vonesë. Dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është një domosdoshmëri politike dhe strategjike e mirëvendosur në kohë dhe një investim me vlerë për të ardhmen evropiane të rajonit tonë. Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm në mbështetje të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në çdo aspekt”, nënvizoi Hoxha duke shtuar se nuk kemi luksin e pritjes. Koha kërkon veprim, vendosmëri, bashkërendim dhe unitet.
Prandaj, tha ministri Hoxha, riafirmuam angazhimin tonë për koordinim të ngushtë dhe veprim të përbashkët në çdo çështje të interesit kombëtar, me synimin e qartë për të investuar së bashku në stabilitet afatgjatë, zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët tanë, si dhe në paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal.
Konjufca tha se “ishte një takim shumë i mirë, shumë miqësor. Biseduam edhe për ato çka na presin mes dy shteteve tona, por edhe për atë që e pret Kosovën nëpër forume të rëndësishme multilaterale, anëtarësimet tona të radhës, edhe proceset e integrimeve evropiane, edhe të anëtarësimit në Këshillin e Evropës”. “Ne, në fund të fundit, përfaqësojmë interesin e të njëjtit komb. Kështu unë e shoh politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës: ne, të dy shtetet, e përfaqësojmë interesin e kombit shqiptar në botë. Prandaj, dëshiroj më të mirat për ju, zoti Hoxha, për të dy shtetet tona dhe për kombin tonë në përgjithësi”, theksoi Konjufca.
KOHA JONË SONDAZH


