Ministri teknik i Drejtësisë shkarkon 8 zyrtarë të lartë

8 zyrtarë të lartë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Sistemit të Burgjeve dhe Zyrës së Përmbarimit janë shkarkuar ditën e sotme nga ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi për përfshirje në fushatën zgjedhore.

Mësohet se janë shkarkuar nga detyra Drejtori i IEVP Fier Jetnor Krakulli, Regjistruesi i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës  Ani Dyrmishi, Drejtori i IEVP Lezhë  Eduart Kurti, Regjistruesi i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë Adriana Shehu, Drejtori i IEVP Rrogozhinë Ahmet Bala, Drejtori i IEVP Burrel Fatjon Kurti, Kryetari i Zyrës së Përmbarimit Gjyqësor Durrës z. Surin Hoxha, Drejtori i IEVP “Jordan Misja Fatjon Fana.

Gjithashtu bëhet e ditur se  Ministri i Drejtësisë i ka kërkuar zyrtarisht Departamentit të Administratës Publike të pezullojë nga detyra dhe Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë Juliana Hoxha për shkak se është kandidate për deputete në Qarkun e Tiranës, me PS.

Rastet janë referuar dhe në Prokurori për veprën penale të përfshirjes në kundërshtim me ligjin në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor.

Njoftimi i Ministrisë së Drejtëisë:

Shkarkohen dhe kallëzohen në Prokurori 8 zyrtarë të lartë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Sistemit të Burgjeve dhe Zyrës së Përmbarimit, për përfshirje në fushatë zgjedhore

Ministri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi, shkarkoi sot nga detyra 8 zyrtarë të lartë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Sistemit të Burgjeve dhe Zyrës së Përmbarimit, si dhe ia referoi rastin e tyre Prokurorisë së Përgjithshme, për veprën penale të përfshirjes në kundërshtim me ligjin në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor.

Shkarkimi, erdhi pas verifikimeve dhe inspektimeve të kryera nga strukturat e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, si dhe informacioneve të plota të marra, ku konstatohet përfshirja e këtyre zyrtarëve, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin, si dhe neglizhencë e theksuar në kryerjen e detyrave.

Konkretisht, Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar shkarkimin e:

1) Drejtorit të IEVP Fier z. Jetnor Krakulli;

2) Regjistruesit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës z. Ani Dyrmishi;

3) Drejtorin e IEVP Lezhë z. Eduart Kurti;

4) Regjistruesit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë znj. Adriana Shehu;

5) Drejtorit të IEVP Rrogozhinë z. Ahmet Bala;

6) Drejtorit të IEVP Burrel z. Fatjon Kurti;

7) Kryetarit të Zyrës së Përmbarimit Gjyqësor Durrës z. Surin Hoxha;

8) Drejtorit të IEVP “Jordan Misja” (nr.313) z. Fatjon Fana.

Ministri i Drejtësisë z.Bardhi, sipas rastit, i ka referuar çështjen organeve të prokurorisë, si dhe ka vënë në dijeni Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se zyrtarët e lartëpërmendur, kanë kryer veprën penale të parashikuara nga nenet 328/a dhe 248 të Kodit Penal.

Gjithashtu, Ministri i Drejtësisë i ka kërkuar zyrtarisht Departamentit të Administratës Publike që të zbatojë Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe ligjin për nëpunësin civil, dhe të pezullojë nga detyra, Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë znj. Juliana Hoxha, e cila ushtron funksionin në kundërshtim flagrant me ligjin, që nga data 29 Prill 2017, për shkak se është kandidate për deputete në Qarkun e Tiranës, me subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë. Për këtë arsye, Ministri i Drejtësisë z. Bardhi ka informuar zyrtarisht Kryeministrin dhe është në pritje të ndërhyrjes së tij për zbatimin e plotë të ligjit.

Ministria e Drejtësisë gjen edhe njëherë rastin të inkurajojë çdo qytetar që të denoncojë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve.

Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve së administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

SHKARKO APP