Ministri Vengu në bazën e Pashalimanit: Rritje e buxhetit për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi sot një vizitë në bazën detare të Pashalimanit. Vengu nënvizoi se rritja e buxhetit të Mbrojtjes do të thotë rritje të kapaciteteve operacionale dhe përsosje të kapitalit njerëzor, për rritjen e industrisë vendase dhe përmbushjen e detyrave në hapësirën Adriatiko-Joniane dhe në kuadër të NATO-s. Ai nënvizoi se një rritje e buxheteve të mbrojtjes do të ndikojë në përmirësimin e kapaciteteve dhe në zhvillimin e mëtejshëm të kapitalit njerëzor, duke krijuar mundësi për një forcë detare të fortë dhe të gatshme për çdo situatë.
”Është shumë e rëndësishme që forca jonë detare të jetë e përgatitur, jo vetëm për misione në kuadër të Aleancës apo në kuadër të Bashkimit Evropian, por të ketë aftësitë, mjetet, sistemet dhe armatimin e nevojshëm që të përmbushi dhe detyrat e saj kushtetuese, qofshin këto mbi ujë apo nën ujë, sepse është një dimension i ri i kërcënimeve hibride që të mund t’i përgjigjemi dhe kërcënimeve që kanë të bëjnë me pasuritë nënujore apo me infrastrukturën nënujore”, tha Vengu.
Ministri Vengu theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve të nevojshme për forcën detare, duke përfshirë rigjenerimin e Shkollës së Marinës në Vlorë dhe avancimin e aftësive profesionale të personelit detar. Po ashtu, ai njoftoi se janë në proces negociatash me liderë të industrisë detare evropiane për prodhimin e anijeve luftarake dhe përmirësimin e kapaciteteve për riparimin dhe mirëmbajtjen e anijeve luftarake.
“Për sa i përket investimeve në mjete, ku jemi në negociata me liderë të fushës në Evropë, sa i përket prodhimeve të anijeve luftarake dhe riparimit e mirëmbajtjes së tyre, sikundër dhe investimeve që duhet të ndodhin nga pikëpamja e sistemeve të vëzhgimit, në mënyrë që Shqipëria të mund të marrë përgjegjësi të reja në hapësirën Adriatiko-Joniane përkundrejt aleatëve të sajë në NATO”, u shpreh Vengu.
KOHA JONË SONDAZH

