Ministria e Arsimit, me një platformë anti-doping në shkolla

Ministria e Arsimit dhe Sportit prezantoi  një platformë të re të Edukimit Fizik dhe Sportiv. Në qendër të seminarit ka qenë diskutimi i programit të ri Antidoping.  Gjatë muajve të fundit të vitit që shkoi, disa sportistë shqiptarë të peshëngritjes bënë krenar çdo shqiptar, duke fituar tituj deri në kampion bote, por pa kaluar as një muaj, suksesi i tyre “u shemb”, për shkak se rezultuan pozitivë në testet anti-doping. Kampionët shqiptarë të peshëngritjes, si dhe Federata, rrezikojnë përjashtimin dhe pezullimin për një afat të gjatë nga aktivitetet pasi disa nga sportistët rezultuan pozitivë në testet anti-doping.  Për të edukuar më mirë të rinjtë, Ministria e Arsimit kërkon të njohë brezat  e rinj në shkolla, me platformën anti-doping. Zv/ministri i Arsimit dhe Sporteve, Rauf Dimraj, nuk ka dashur të bëj ndonjë koment për heshtjen që mbizotëron për këtë çështje, duke injoruar skandalin, ndër më të rëndit në historinë e sportit shqiptar.  Dimraj ka paraqitur një pjesë të mirë të programit informues të arsimit parauniversitar mbi dopingun, ndërkohë që i ftuar i Ministrisë për këtë program ka qenë dhe profesori italian Alessandro Donati, i cili kryen edhe funksionin e këshilltarit të Agjencisë Ndërkombëtare Anti-doping.  I pyetur për ngjarjet e fundit, ai mundi të theksojë se për ngjarje të tilla sportisti nuk është fajtori i vetëm, por së bashku me të, përgjegjësi të madhe mbajnë trajnerët. Sportistët shqiptarë janë stërvitur në Greqi dhe dyshohet se ata nuk kanë pasur dijeni për përdorimin e substancave të ndaluara. Pritet ende përgjigja përfundimtare për Daniel Godellin, që u shpall kampion bote në dy-garësh, pasi ka bërë analizat e testit B. Këto analiza rikonfirmuan si pozitive dy peshëngritësit e tjerë, Romela Begaj dhe Hysen Pulaku, çka i dhanë një goditje të fortë dhe prishje imazhi të peshëngritjes.

SHKARKO APP