Ministria e Energjisë padit demokratët Mima dhe Bozdo
Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka përmbyllur procesin e auditit lidhur me rregullshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të shitjes së aksioneve të “HEC UlëzShkopetit” dhe “HEC Bistrica 1 e Bristrica 2” tek shoqëria “Kurum International” sha.
Nga auditimi sipas këtij dikasteri, është evidentuar se ish-titullarët e Ministrisë Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ministri Florjon Mima dhe Zv. Ministri Enno Bozdo kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës çka i ka shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm 3.4 milion euro.
Midis ish-METE, përfaqësuar respektivisht nga Mima dhe Bozdo janë nënshkruar deklaratat e përfundimit lidhur me marrëveshjet e shitjes për këto HEC-e, ndërsa me urdhërat e ishMinistrit është bërë transferimi i aksioneve të HEC-eve.
Nga përllogaritjet e kryera nga auditimi, përveç parregullsive në procedurë, rezulton se blerësi duhet të paguante vlerën e rregullimit prej rreth 3.4 milion euro për HEC UlëzShkopet, shumë e cila përbën dëm ekonomik për interesat e shtetit dhe përfitim të padrejtë për blerësin.
Deklarata e përfundimit të shitjes për këtë HEC është nënshkruar nga Bozdo.
Për Hec Bistrica 1 dhe 2 nuk rezulton të ketë vlerë rregullimi në çmimin e shitjes.
Titullarët e ish-METE (veçanërisht ish zv.ministri Enno Bozdo, i cili ka nënshkruar dy kontratat dhe deklaratën e përfundimit për HEC Ulëz Shkopet) duke mos vepruar në rinovimin apo ngritjen e një grupi të ri pune, mos ndjekjen prej tyre të zbatimit të detyrimeve dhe angazhimeve të marrëveshjeve, kanë bërë që këto marrëveshje të mos finalizohen për veprimet e mëposhtme:
– Ish organet drejtuese të shoqërive që janë privatizuar, pas datës së përfundimit, nuk kanë përgatitur Draft Bilancet e Përfundimit dhe Draft Vlerën Neto të Aktiveve të Përfundimit, sipas parashikimeve të Shtojcës 4, Pjesa 1, pika 2 të Marrëveshjeve respektive.
– Nuk janë bërë përllogaritjet per investimet e kryera nga KESH sha per llogari te HEC UlezShkopet. Investimet kanë përfunduar në muajin maj 2013 ( në kohën kur është përpiluar deklarata e përfundimit) dhe ato ende figurojnë dhe mbahen si investime në proces në bilancin financiar të konsoliduar të KESh sha.
"Në këto kushte, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në përmbushje të detyrimit ligjor të parashikuar nga neni 281 i Kodit të Procedurës Penale, kërkoi nga organi i akuzës rregjistrimin e procedimit penal ndaj shtetasve Florjon Mima dhe Enno Bozdo, për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal. Ajo vazhdon procesin e auditit në të gjitha konçesionet me objektiv kontrollin e zbatueshmërisë së detyrimeve dhe procedurave ligjore", citon MEI.