Ministria e Mbrojtjes njofton për situatën e përmbytjeve: Ja zonat që rrezikojnë

Ministria e Mbrojtjes njofton lidhur me situatën e përmbytjeve për shkak të reshjeve intensive të shiut dhe bllokimit të rrugëve nga bora.

Njoftimi i Ministrisë: 

Qarku Gjirokastër paraqet situatën më problematike. Në bashkinë Gjirokastër ka prezencë dëbore në njësinë administrative Picar, ndërsa lumi Drino i është afruar trupit të rrugës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për forcimin e argjinaturës. Në disa fshatra si Odrie, Lunxhëri dhe Zagori, po punohet për lirimin e akseve të bllokuara dhe të një ure të vogël në aksin Krinë–Tranoshisht–Saraqinishtë. Në bashkinë Dropull, ura e Glinës mbetet problematike, ndërsa po punohet për lirimin e akseve Pogon–Dropull dhe Zagori–Libohovë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në qarkun Lezhë, reshjet e dëborës kanë prekur edhe zonat e ulëta, përfshirë qytetin e Lezhës, ku riparimi i argjinaturës së dëmtuar në lumin Drojë është përfunduar. Qarku Vlorë shfaq përmirësim të rënies së prurjeve në lumin Vjosë, ndërsa nënkalimi në fshatin Bishan mbetet i bllokuar, por pa dëmtime banesash, vetëm ujë në oborre.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në Elbasan dhe Peqin, dëbora dhe ngricat kanë bllokuar disa akse rurale, ndërsa në Dibër, forcat e emergjencës civile po punojnë për lirimin e akseve me prezencë akulli dhe rrëshqitje dherash. Ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike në njësitë administrative Bulqizë, Klos, Dibër dhe Lurë.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se Forcat e Armatosura, Mbrojtja Civile, policia dhe shërbimet bashkiake janë të angazhuara në terren për përballimin e situatës dhe rikthimin e normalitetit. Banorëve të zonave të prekura u bëhet thirrje të shmangin lëvizjet e panevojshme, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të raportojnë çdo emergjencë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?