Ministrja Koçiu: Kthimi i pasurive të konfiskuara në shërbim të komunitetit, prioritet i institucioneve
Kthimi i pasurive të konfiskuara nga krimi në mundësi reale për një të ardhme më të sigurt për viktimat e dhunës dhe trafikimit mbetet një nga prioritetet kryesore të institucioneve shqiptare.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu së bashku me ekipin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, vizitoi një nga shembujt më domethënës të kësaj nisme: një objekt i përfituar nga veprimtari kriminale, i cili sot funksionon si strehë e sigurt për viktimat e dhunës dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Ky model dëshmon se pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme mund të rikthehen në shërbim të shoqërisë, duke u shndërruar në mbështetje konkrete për kategoritë më të ndjeshme. Deri në vitin 2025 janë realizuar mbi 15 projekte të ngjashme, janë mbështetur më shumë se 20 institucione dhe janë ndihmuar drejtpërdrejt rreth 300 viktima të dhunës dhe trafikimit, përmes shërbimeve të mbrojtjes, rehabilitimit dhe riintegrimit.
Koçiu u shpreh se këto pasuri përfaqësojnë një mundësi reale për t’u kthyer në shërbime sociale dhe publike në dobi të komunitetit. Ajo theksoi se objekti i vizituar, një vilë dykatëshe, i krijon mundësi shoqatës “Të Ndryshëm, të Barabartë” të ofrojë shërbime për gra dhe fëmijë viktima të dhunës në familje apo trafikimit.
Ministrja nënvizoi se institucionet do të vijojnë punën për të rikthyer çdo pasuri të përfituar në mënyrë të paligjshme në shërbim të komunitetit, duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore. Ajo shprehu dëshirën që ky projekt të shërbejë si një model i suksesshëm, i cili do të replikohet edhe në asete të tjera të konfiskuara në të ardhmen.
Koçiu vlerësoi rolin e rëndësishëm të shoqatave që ofrojnë shërbime sociale, duke theksuar se mbështetja ndaj tyre është e domosdoshme, gjë që dëshmohet edhe nga numri i lartë i përfituesve. Sipas saj, edhe vendndodhja e këtyre qendrave është thelbësore, pasi shërbimet duhet të ofrohen në ambiente të sigurta, diskrete dhe të mbrojtura, për të garantuar mirëqenien dhe privatësinë e përfituesve.
KOHA JONË SONDAZH

