Ministrja Koçiu mbledh ministrat dhe prefektët: Planet e emergjencës të ndryshojnë sipas terrenit

Pas reshjeve intensive që shkaktuan përmbytje me dëme në disa qarqe, qeveria po lëviz me shpejtësi për përballimin e sezonit të dimrit. Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, thirri sot në një takim koordinues të gjitha hallkat e sigurisë dhe menaxhimit civil, përfshirë Ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, Ministrin e Pushtetit Vendor Ervin Demo, si dhe 12 prefektët e qarqeve.

Mesazhi i Koçiut ishte që tani kërkohet gatishmëri maksimale. Në fokus të takimit ishte roli i prefektëve, të cilët ministrja i cilësoi si drejtuesit kryesorë të operacioneve në terren. Ajo u kërkoi atyre braktisjen e raporteve burokratike dhe kalimin në veprime konkrete. Brenda një kohe të shkurtër duhet të përmbyllet bilanci i dëmeve të shkaktuara nga reshjet e fundit, si dhe planet e emergjencës në letër duhet të përshtaten me realitetin e ri të terrenit në çdo qark.

Ministrja kërkoi që asnjë problematikë të mos neglizhohet. ”Në menaxhimin e emergjencave nuk ka ”detaje të vogla”. Suksesi varet nga informacioni i saktë, koordinimi i pandërprerë dhe reagimi i shpejtë në terren”,-deklaroi Koçiu.

Swiss Digital Desktop Reklama

Takimi konfirmoi se përveç Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Zjarrfikës, në gatishmëri të plotë janë vendosur edhe strukturat e Mbrojtjes Civile dhe kapacitetet mbështetëse të Ministrisë së Mbrojtjes. Pjesëmarrja e ministrave Vengu dhe Demo sinjalizon një qasje të integruar, ku pushteti qendror, ai vendor dhe forcat e armatosura do të veprojnë bashkarisht. Ministrja e Brendshme e mbylli takimin me një apel për përgjegjshmëri institucionale. ”Na duhet punë, përgjegjësi dhe bashkëpunim. Ne jemi gati. Dhe të gjithë duhet të jemi gati”.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?