Ministrja Koçiu shkon në Zejmen: Në monitorim zonat përreth lumenjve Drin dhe Mat
Ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu ndoqi nga afër situatën e krijuar në njësinë administrative Zejmen, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në të gjithë territorin e vendit. Sipërfaqe tokash bujqësore janë përmbytur në disa njësi administrative në Lezhë. Në Njësinë Zejmen ka prani uji në toka bujqësore në Spiten dhe Tresh.
Për shkak të reshjeve të shumta dhe shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, situata në territor u rëndua, ndërkohë Koçiu bëri të ditur se të gjitha strukturat janë në gatishmëri dhe koordinim të plotë për menaxhimin e situatës.
Sipas saj, po mbahet në monitorim të vazhdueshëm zona përreth lumenjve Drin dhe Mat. Koçiu nënvizoi se gjatë orëve në vijim pritet intensifikim i reshjeve, dhe u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin komunikimet dhe njoftimet e autoriteteve dhe të bashkëpunojnë me to në çdo rast nevoje.
Ministrja ishte e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, prefekti i qarkut, Taulant Malshi, si dhe nga strukturat vendore, në njësinë administrative Zejmen.
KOHA JONË SONDAZH




