Ministrja Koçiu: Shteti nuk negocion me paligjshmërinë. Territori është vijë ndarëse mes së shkuarës kaotike dhe së ardhmes europiane

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu u përball në interpelancë me deputetin Agron Shehaj, lidhur me operacionin e gjerë të rikthimit të ligjshmërisë në territor. Në një fjalë të detajuar, ministrja bëri paraqitje të plotë të masave të ndërmarra, të procedurave të ndjekura dhe të rezultateve të operacionit, duke theksuar qasjen e qeverisë për mbrojtjen e territorit si një nga prioritetet kryesore të shtetit. Ministrja Koçiu u shpreh se është e pazakontë që në një parlament europian t’i kërkohet llogari qeverisë pse po prish ndërtime të paligjshme, duke nënvizuar se për vite me radhë Shqipëria u dëmtua nga ndërtimet pa kriter që u shndërruan në një plagë të shoqërisë. Ajo vuri në dukje se vizionet politike për territorin ndajnë qartë të shkuarën nga e ardhmja: një qasje e vjetër që nxit betonizimin e pakontrolluar dhe një vizion i ri që synon zhvillimin e qëndrueshëm, turizmin dhe respektimin e pasurive natyrore.

Duke iu referuar akuzave se prishjet janë selektive apo të motivuara politikisht, ministrja i cilësoi këto pretendime si “thriller politik”, duke theksuar se kriteret janë transparente, të njëjta për të gjithë dhe të bazuara rreptësisht në ligj. Ajo bëri të ditur se të gjitha ndërhyrjet në territor janë zhvilluar pas një procesi të qartë: evidentim në terren, verifikim të dokumentacionit, vendim për masat administrative, njoftim të pronarëve dhe ekzekutim të prishjes aty ku shkeljet janë flagrante.

Ministrja Koçiu paraqiti të dhënat e plota të operacionit kombëtar, duke theksuar se në zonat me vlerë të lartë turistike toleranca ka qenë zero. Vetëm në Theth janë vendosur 46 masa administrative me gjobë, 49 masa pezullimi punimesh dhe 57 vendime prishjeje. Në Valbonë janë marrë 15 vendime prishjeje, 15 masa administrative dhe 12 pezullime punimesh. Në zonat bregdetare janë prishur 102 objekte, janë dhënë 42 gjoba dhe janë pezulluar 38 punime. Ndërhyrje janë bërë edhe në zonat lumore me 15 prishje, në Rinas me 10 prishje dhe në akset rrugore, ku janë evidentuar mbi 2.000 struktura të paligjshme, nga të cilat rreth 240 janë prishur, ndërsa pjesa tjetër është hequr vullnetarisht.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ajo theksoi se procesi ka qenë i drejtë dhe i njëjtë për të gjithë, duke rikujtuar se pronarët e objekteve të prishura janë njoftuar paraprakisht dhe të vetëdijshëm për shkeljet e tyre. Në shumë raste, vetë qytetarët kanë liruar hapësirat e zëna pa pritur ndërhyrjen e autoriteteve, pasi kanë kuptuar se shteti nuk negocion më me paligjshmërinë dhe se tentativat për të legjitimuar shkeljet me mik, presion apo justifikime kanë marrë fund. Ministrja Koçiu sqaroi se gjatë kësaj periudhe Policia e Shtetit ka evidentuar dhe ka referuar në Prokurori 1,387 raste të dyshuara të veprave penale që cënojnë regjimin juridik të tokës, duke treguar se shteti ka qenë dhe mbetet në krye të detyrës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ajo theksoi se legalizimi ka qenë një proces madhor i kësaj qeverie që ka kthyer me qindra mijëra objekte në ekonomi të ligjshme. Por ministrja bëri të qartë se nuk mund të legalizohen objekte të ngritura në zona të mbrojtura, në buzë të lumenjve, në hapësira publike apo, siç ishte rasti ekstrem në oborr të një kishe në Theth.

Në vijim, Koçiu solli në vëmendje paketën e re ligjore të miratuar në Kuvend, e cila shtrëngon masivisht kontrollet dhe penalitetet për ndërtimet jashtë lejes. Ajo prezantoi shembullin e Farkës dhe Lundrws, ku vetëm për një muaj inspektimesh janë kontrolluar 753 objekte në 30 komplekse rezidenciale, janë evidentuar 5.100 m² shtesa pa leje, 2.300 m² janë prishur dhe janë nisur procedurat për konfiskim për një objekt 3-katësh, një kompleks vilash dhe tre kate shtesë në një godinë 11-katëshe. Gjobat totale në këtë zonë arrijnë në 2.5 milionë euro.

Në përmbyllje të interpelancës, ministrja Koçiu deklaroi se Shqipëria është në një etapë të re ku ndërtimi duhet të jetë sinonim i zhvillimit dhe jo i kaosit, dhe ku hapësira publike është e pakontestueshme. Ajo garantoi se operacioni i rikthimit të ligjshmërisë në territor do të vijojë me të njëjtin rigorozitet në të gjithë vendin. “Territori është vija më e qartë ndarëse mes së shkuarës së çrregullt dhe të ardhmes sonë europiane. Kjo qeveri ka zgjedhur të jetë në krah të qytetarëve dhe në krah të ligjit, duke mbrojtur pasuritë e përbashkëta të të gjithëve,” përfundoi ministrja Koçiu.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?