Ministrja Qato: Sipërmarrja me një draft të vetëm për paketën fiskale

Paketa fiskale tashmë është në dorë të biznesit dhe po diskutohet në të gjithë aktorët. Në një prononcim për TV SCAN, Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, u shpreh  se  sugjerimet e të gjitha  Dhomave të Tregtisë  dhe shoqatave të biznesit do të përmblidhen në një draft të vetëm, I cili më pas do ti paraqitet Ministrisë së Financave. Sipas saj, qëllimi është që të lehtësojmë klimën e biznesit.

“Ne kemi nisur një sipar të mbledhjes së të gjitha propozimeve nga të gjitha grupet e interesit dhe shoqatat aktive në vend. Jemi duke përpunuar propozimet e tyre dhe me siguri që këto propozime do t’i kalohen shumë shpejt qeverisë në raport me çfarë reflektimi do të ketë qeveria nga propozimet e paraqitura. Është e sigurt që propozimi nga zyra e Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në qeveri ka për të  shkuar me një paketë të grumbulluar të të gjitha propozimeve, të cilat kanë rol dhe ndikim në ekonomi”, tha Qato.

“Ne e kemi marrë paketën fiskale, e kemi lexuar, kemi sugjerimet tona. Javës tjetër do i çojmë edhe kërkesat tona, të kryesisë, të të gjitha shoqatave duke u mbledhur dhe duke trajtuar me shumë kujdes kush është problematika që shqetëson biznesin. Sepse shpesh qeveria dhe ministrat nuk e dinë realisht problematikën, sepse mungon edhe mënyra e strukturimit të kërkesës dhe zgjidhjes së problematikës”, u shpreh Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Drafti i paketës fiskale që do të shoqërojë buxhetin e vitit të ardhshëm përmban disa ndryshime ligjore, ku më kryesoret janë ndryshimi i formulës së taksës së pronës, lehtësimi i TVSH për bizneset në fushën e turizmit, si dhe ndryshimet në nivelin e akcizës për cigaret.

SHKARKO APP