Ministrja Sala: 12 spitale me autonomi menaxheriale, rritet buxheti i barnave me 15 milionë euro
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala informon se pagat në sistemin shëndetësor për vitin 2026 janë indeksuar me 2,5%. Në fjalën e saj në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Sala tha se njihet vjetërsia e diferencuar deri në 30 vite, ku përfitojnë mjekë, farmacistë, infermierë, laborantë dhe teknikë që punojnë në shërbimin parësor dhe dytësor dhe shëndetin publik.
Sa i përket vaksinimit kundër HPV, Sala theksoi se “që nga janari 2026 vaksina është zgjeruar për të përfshirë edhe djemtë 13-vjeçarë duke shënuar një zgjerim të konsiderueshëm të programit, në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare”. Duke e cilësuar një lajm shumë të mirë, Sala tha se “vaksinimi ndaj hepatitit B ka arritur një mbulim vaksinal 98%. Studimi i prevalencës së kryer në vitin 2025 midis fëmijëve të moshës 6-7 vjeç sipas niveleve ndërkombëtare rezultoi në një prevalencë zero të infeksioneve me hepatit B, pa asnjë rast pozitiv të identifikuar dhe kjo është një provë e fortë që Shqipëria është në rrugën drejt certifikimit të eliminimit të hepatitit B në popullatën pediatrike”.
Sala bëri të ditur se në fokus të punës së MSHMS është edhe zgjerimi i fashave respektive mbi programin e depistimit. “Duhet të përmirësohet rritja e mbulesës vaksinale në programin kombëtar të vaksinimit, specifikisht për fruth, rubeolë dhe parotitit”, tha ajo. Ministrja Sala foli edhe mbi shërbimin e kujdesit parësor, duke theksuar se “volumi i vizitave në këtë shërbim për muajin janar 2026 ka qenë 712 275 vizita, ndërsa në banesa janë kryer në total 13 627 vizita”.
Ministrja Sala u ndal në fjalën e saj edhe tek shërbimi social, duke theksuar se “për janarin 2026, 48 157 familje në nevojë e kategori të veçanta kanë përfituar pagesa nga skema e ndihmës ekonomike. Në nëntor-dhjetor 77 445 persona me aftësi të kufizuar përfituan pagesën e fondit të asistencës sociale. Për 2026-ën u financuan nga fondi social 14 shërbime të reja sociale me 2500 përfitues”.
Sala tha se “ka filluar procesi i binjakëzimit me Aleancën Kundër Kancerit të Shoqatës Italiane për krijimin e infrastrukturës, ekspertizës dhe pajisjeve e barnave onkologjike. Gjithashtu janë miratuar nga Bordi i Tumoreve të gjitha protokollet e unifikuara. E rëndësishme kjo kur flasim për barnat onkologjike dhe janë të tëra të konsultuara dhe me standarde të njëjta si me Institutin Kombëtar të Tumoreve të Milanos me të cilin do të bëjmë një binjakëzim”.
KOHA JONË SONDAZH

