
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu ka kritikuar qëndrimin e opozitës gjatë diskutimeve për buxhetin, duke i kërkuar të lërë mënjanë sulmet politike dhe të përqendrohet te propozimet konkrete për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Në fjalën e saj, ministrja u shpreh se debati parlamentar duhet të fokusohet te mënyra se si mund të përdoren burimet financiare për të ofruar shërbime më të mira, në vend që vëmendja të përqendrohet te zhvillimet e brendshme të Partisë Socialiste.
“Unë do ta kisha vlerësuar shumë më tepër nëse kolegët e opozitës do të ishin investuar më tepër në opsione se çfarë mund të ndryshojë buxheti sesa në Asamblenë e PS”, deklaroi Spahiu. Ajo vuri në pikëpyetje kundërshtimin e buxhetit nga deputetët opozitarë, duke argumentuar se në të janë reflektuar edhe kërkesa të ngritura gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare.
“Pse duhet që çdo deputet i opozitës mos ta miratojë këtë buxhet kur e gjen veten në kërkesat që ka pasur në çdo komision?”, u shpreh ministrja. Spahiu i sfidoi përfaqësuesit e opozitës të paraqesin alternativa konkrete, në vend që, sipas saj, të mohojnë investimet e realizuara. “A keni ju ndonjë opsion tuajin çfarë mund të bëhet më mirë? Kështu duhet të diskutohet më mirë dhe jo të vini e të nxini këtu çdo investim të kryer”, theksoi ajo.
Në përfundim, ministrja ashpërsoi tonet ndaj opozitës, duke akuzuar disa deputetë se përmes deklaratave të tyre po nxisin tensione te qytetarët. “Pashë deputetë sot që janë çuar jo 1 herë, por 10 herë dhe e vetmja fjalë që kanë është të karikojnë qytetarët. Boll me benzinën, boll me protesta të dhunshme! Kthehuni te qytetarët”, përfundoi Spahiu.
